OpEd

Helmeta dhe humor

Gjermania ka vendosur ta furnizojë Ukrainën me 5000 helmeta dhe ta ndihmojë me një spital fushor. Kjo ndihmë ka gjallëruar humorin e zi: Gjermania refuzon t'i japë armë Kievit, por ia ofron një spital për të trajtuar ushtarët që mund të plagosen nga agresioni rus

Në mesin e miqve të Vladimir Putinit në Gjermani këto ditë është e popullarizuar fjala "Säbelrasseln". Në shqip kjo fjalë i bie: vringëllim me shpata duke u matur për të goditur dikë. Ish-kancelari socialdemokrat gjerman, Gerhard Schröder, akuzoi javën që shkoi Ukrainën për vringëllim me shpata. Ukrainën?

Rusia ka stacionuar rreth 100 mijë ushtarë në kufi me shtetin fqinj dhe kërcënon me agresion, ndërsa ish-kancelari akuzon Ukrainën! Sa i përket Schröderit: atij më shumë i shkojnë për shtati titujt "propagandist i Putinit", "lobist i Kremlinit", "argat i Moskës".

Schröder nuk është i vetmuar. Ka edhe politikanë të tjerë, të cilët, për dallim nga Schröder, ende janë aktivë në politikën gjermane dhe sillen si konsuj të Kremlinit në Berlin. Shumica prej tyre i përkasin Partisë Socialdemokrate (SPD). Schröder, mik personal i Putinit, akuzoi edhe ministren e re të Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, për provokim të Rusisë, sepse ajo para se të vizitonte Moskën qëndroi në Kiev.

Pa e tepruar shumë mund të thuhet se ekziston një SPD proruse dhe një properëndimore. Shumë shtete aleate perëndimore këto ditë janë të habitur me qëndrimin ambivalent gjerman ndaj krizës në Ukrainë si pasojë e kërcënimeve ruse. Ministri i Mbrojtjes i Letonisë, Artis Pabriks, në një intervistë dhënë gazetës "Financial Times" akuzoi Gjermaninë për marrëdhënie të "pamoralshme dhe hipokrite" me Rusinë dhe Kinën. Me këto marrëdhënie, sipas tij, Berlini po e saboton unitetin evropian. Artis Pabriks reagoi ashpër për shkak se Gjermania nuk ka lëshuar leje që Letonia të furnizojë Ukrainën me armë gjermane (për eksportimin e tyre në vende të tjera nevojitet pëlqimi gjerman).

Pas presionit të aleatëve perëndimorë Berlini vendosi të furnizojë Ukrainën me 5000 helmeta. Dhe me një spital fushor. Komentatorë të njohur gjermanë si Jörg Lau (Die Zeit) dhe Mathieu von Rohr (Der Spiegel) kritikuan ngurrimin gjerman për të përkrahur Ukrainën. Lau shkroi në numrin e fundit të "Die Zeit" se politika gjermane ndaj Lindjes ka marrë një kthesë të habitshme: "Ajo ka hyrë në fazën e humorit të zi". Ministrja e Mbrojtjes, Chris­ti­ne Lam­brecht, tha se nuk do t'i jepen armë Ukrainës, sepse ato s'qenkan të dobishme aktualisht. Por një spital fushor mund të ndërtohet me para gjermane në Ukrainë. Ka diçka komike në këtë qasje: Ukrainës, sipas palës gjermane, i duhen urgjentisht spitale fushore, por ajo duhet t'ia dalë pa armë?

Raporti i forcave mes Rusisë dhe Ukrainës as që duhet të shtjellohet shumë. Moska është në epërsi në të gjitha aspektet. Ukraina pothuaj nuk ka një marinë ushtarake. Qytete ukrainase si Mariupol apo Odesa do të ishin të pambrojtura po u sulmuan nga deti. Rusia ka shumë më tepër avionë luftarakë se Ukraina. Dhe mbrojtja kundërajrore ukrainase është shumë e dobët.

Megjithatë, siç shkruan "Die Zeit", në një reportazh nga Ukraina lindore, pra nga "vija e frontit" me territoret separatiste, gjendja e ushtrisë ukrainase nuk mund të krahasohet me vitin 2014, kur Vladimir Putini pushtoi Krimenë, një trevë që sipas së drejtës ndërkombëtare i takon Ukrainës. Ndërkohë Turqia po e furnizon ushtrinë ukrainase me dronë, Kanadaja dhe Britania e Madhe kanë dërguar këshilltarë ushtarakë, Londra edhe armë, po ashtu edhe Polonia dhe Estonia. SHBA-ja gjithsesi. Me 900 zyrtarë Ambasada Amerikane në Kiev është njëra prej më të mëdhave në Evropë.

Në situatën e acaruar ukrainasit ndihen të lënë anash, madje të "tradhtuar" nga Gjermania. Tejet e dëmshme për unitetin evropian është që te Partia Socialdemokrate e Gjermanisë shumë funksionarë të lartë nuk janë në gatshëm të bëjnë dallimin mes agresorit dhe të sulmuarit. Nga ky këndvështrim i verbër problem më i madh janë 4000 apo 5000 ushtarë të NATO-s në shtetet anëtare të NATO-s afër Rusisë sesa mbi 100 mijë ushtarë rusë në gjendje gatishmërie në kufi me Ukrainën.

Qëllimi i Putinit është i qartë: ai dëshiron të revidojë historinë, t'i bëjë të padukshme zhvillimet në Evropë në 30 vjetët e fundit dhe ta kthejë Rusinë në rolin që e ka pasur dikur Bashkimi Sovjetik. Në këtë rol Moska do të vendoste jo vetëm për fatin e shteteve në fqinjësi të afërt, por do të kishte ambicie për të dominuar në Evropë dhe për të destabilizuar demokracitë perëndimore. Ndaj këtij kërcënimi helmetat gjermane nuk kryejnë punë.