Një fishekzjarr nga seria e rrëfimeve të hidhura-hareshme.
Jon Reyes është ministër për zhvillim ekonomik dhe vende të punës në krahinën Manitoba të Kanadasë. Kjo krahinë nuk është e prapambetur, ajo është e hapur për të huajt, njerëzit thuhet se janë tolerantë, përfshirë edhe burrat, së paku disa prej tyre: ata nuk tërbohen dhe nuk marrin dyfekun me çark për të luftuar kundër barazisë gjinore. Ndoshta edhe ministri Jon Reyes është përkrahës i madh i barazisë gjinore, por me një postim në Twitter ai ka sugjeruar të kundërtën dhe tani e ka krejt botën në qafë, nëse si «botë të tërë» e konsiderojmë makinën e zemërimit që punon pandërprerë në mediat sociale.
Jon Reyes ka bërë një fotografi nga dhoma e tij e ditës. Në fotografi shihet gruaja e tij në oborr duke hequr borë me një lopatë të madhe. Zoti Reyes shkruan: «Edhe pas 12 orë pune në ndërrimin e natës në spital, gruaja ime ende ka forcë për të hequr borën dhe hapur rrugën». Zoti Reyes shtoi edhe këtë: zoti e bekoftë atë dhe të gjithë punëtorët në front. Me front ai mendon frontin kundër koronës. Zoti Reyes mund të jetë njeri i pakujdesshëm, por shpirtkatran duket se nuk është, sepse në fund të postimit ai shkroi se po ia përgatiste mëngjesin gruas së tij.
Megjithatë, megjithatë, megjithatë – përgatitja e mëngjesit në dhomën e ngrohtë është aktivitet pothuaj mbretëror në krahasim me heqjen e borës pas një ndërrimi të natës në spital. Burri mesatar ballkanik dhe maksimalisht patriarkal mund të gajaset së qeshuri kur lexon lajmin nga Kanadaja dhe mund të thotë: «Ky burrë kanadez e paska gruan nën kontroll».
Por në botën reale, pardon virtuale gjërat kanë ndryshuar: komuniteti i të zemëruarve në World Wide Web, burra e gra progresivë, e bënë ministrin kanadezë «për pesë pare», siç thuhet në Kamenicë e Suharekë e gjetiu në Kosovë e ndoshta ky kombinim frazeologjik kuptohet edhe në Sarandë e Kurvelesh. Ministri Jon Reyes u ballafaqua me një «Shitstorm», që në shqip domethënë: «me të ba për pesë pare».
Me këtë rast – sa i përket gjuhës - m’u kujtua slogani më gjenial nga landi gjerman i Baden-Württembergut: «Ne dimë gjithçka. Përveç gjermanishtes standarde». Njerëzit e këtij landi nuk flasin gjermanishten letrare (Hochdeutsch) ose përtojnë ta flasin, andaj e kultivojnë dialektin e tyre, që aty-këtu ngurrueshëm i afrohet dialekteve të Zvicrës gjermane, disa prej të cilave janë aq melodike, saqë kur i flet ndonjë burrë simpatik nga Sri Lanka, rrezikon që pastaj të shtrihet në karrigen e dentistit, ku duhet t’ia qepin gjuhën e lënduar.
Koka e kanadezit Jon Reyes me gjasë është e mbështjellë (simbolikisht!) me fasha nga sulmet e shumta në mediat josociale. Sikur Jon Reyes të kishte përzhitur vezët dhe lënë telefonin aspak të mençur larg shporetit dhe dhomës së ditës, s’do të kishte shkrepur as fotografinë fatale. Puritanët gjuhësorë tani mund të acarohen dhe mallkojnë autorin e këtyre radhëve pse e përdori fjalën (foljen) «përzhit». Qe pse: është në fjalorin e gjuhës shqipe. Nuk di të ketë gjuhë në botë që ka më shumë sinonime për «përzhitje» se shqipja, ja disa: fërgoj, tiganis, përflakoj, thek, skuq.
Në lidhje me Baden-Württembergun: dialekti nuk është pengesë për sukses. Në këtë land gjerman e kanë selinë ndërmarrjet si Mercedes (154 miliardë euro qarkullim vjetor), Porsche (28 miliardë), Bosch (71 miliardë), Stihl (4,5 miliardë), SAP (27 miliardë), Phoenix (28 miliradë). Shifrat i referohen vitit të kaluar.