OpEd

Jackpot

Dhe duke e menduar punën e lotarisë, më shkoi në mendje t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese me kërkesë, se ankesën ma rrëzon hala pa e shikuar, që ta shkruajë një normë të re, sipas së cilës ministri i Financave detyrohet që: ose t’i fusë paratë “e kursyera” në qarkullim, ose që t’i shndërrojë në “jackpot” të Lotarisë së re... shpresës së zhvillimit ekonomik të Kosovës

Kanë mbetur edhe dhjetë ditë afat që Kushtetuesja të na dalë edhe me një interpretim, apo edhe normë të re, për ta zgjidhur apo për ta komplikuar edhe më lëmshin e quajtur Kuvendi i Kosovës.

Mbas gati dy dekadash shtetësie është shumë zhgënjyese të shohësh se si nuk jemi në gjendje ta çojmë një proces zgjedhor deri në fund si duhet, për shkak se sivjet, më shumë se kurrë, dëshmuam se jemi shumë kreativë kur duhet bërë interpretime të Kushtetutës.

Krejt u bëmë ekspertë. Që të gjithë patëm diçka të themi në lidhje me një fjali a dy të aktit më të lartë juridik dhe të gjithë dhamë zgjidhje ashtu siç na mori mendja. Porse nuk arritëm t’u bënim garë dy nga interpretuesve më të mirë kushtetues: Hekuran Muratit dhe Hykmete Bajramit.

* * *

Prejse nisi zyrtarisht fushata për zgjedhjet komunale, interpretuesit nuk u bënë gjallë – veç po e paramendoj çastin kur të dalë aktgjykimi i ri, e t’i shohim statuset gjysmëfaqeshe, në të cilat, patjetër, njëra palë do të thotë: e shihni se si kemi pasur të drejtë.

Ani që secili interpretim që e pasoi paraprakun në pesë-gjashtë muajt e fundit nuk doli të ishte ai i kategorisë, “a të kam thënë”.

Pra ende ka shpresë... por ndoshta bash nuk duhet pritur ditën e fundit të muajit, ku do të marrim vesh nëse, më në fund, do të shkojmë në zgjedhje të reja parlamentare me vendim të Kushtetueses, apo me shpërndarje të vullnetshme të badihavxhinjve, të cilët kanë dalë fitues në lotari, ani pse lotaria te ne është e ndaluar me ligj.

A propos lotarisë, ende nuk e kam të qartë se përse u ndalua ajo, përderisa e kam pjesërisht të qartë ndalimin e bastoreve. Lotaria në të gjitha vendet perëndimore shërben edhe si një formë e mbledhjes së fondeve që derdhen në buxhet e duhet të shfrytëzohen për punë në shërbimin e qytetarëve.

Gjithashtu, në të gjitha vendet perëndimore, individët luajnë lotari, me shpresën se ndonjëherë edhe mund të fitojnë para të majme. Për shembull, “Eurolotto” për të martën i ka 92 milionë euro për t’i shpërndarë nëse ka tiketa me numra të qëlluar. Dje kishte qëlluar një fitues: nja 700 mijë euro i kishte fituar. Po edhe gjysmën ta paguajë tatim, prapë do t’i mbesin shumë para.

* * *

Dhe duke e menduar punën e lotarisë, më shkoi në mendje t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese me kërkesë, se ankesën ma rrëzon hala pa e shikuar, që ta shkruajë një normë të re, sipas së cilës ministri i Financave detyrohet që: ose t’i fusë paratë “e kursyera” në qarkullim, ose që ato t’i shndërrojë në “jackpot” të Lotarisë së re... shpresës së zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Norma do t’ia sqaronte ministrit se kursimet nuk mbahen në trezor, se aty askush nuk paguan interes për shfrytëzimin e parave, për shkak se askush nuk i shfrytëzon ato.

Ato rrinë aty, për krekosje të dikujt dhe për mjerimin e dikujt tjetër, që në vend se t’i shohë të përdorura për ndonjë gjë të hairit, e supozon se paratë e mbledhura edhe nga kontributet e të gjithëve, në fakt po i ha inflacioni qe nja katër vjet.

Ah, por harrova, sa marroqe: Kosova s’ka inflacion; Kosova nuk ka problem me qarkullimin e cashit; bankat e Kosovës nuk kanë probleme me likuiditet; në Kosovë, veç ata që kanë kartela “star” apo të ngjashme, blejnë me këste, e ky numër do të jetë neglizhent...

Dhe krejt këto tipare e bëjnë Kosovën shtet, i cili me elan të pandalshëm është duke e krijuar një shoqëri të shtresës së mesme, ku krejt do t’i kemi kushtet dhe mundësitë e njëjta (po ma kujton një sistem që u ndërtua, së paku deklarativisht, mbi këto parime, dhe kur nuk ia doli ta realizonte qëllimin)... apo mbase e kam gabim, se ajo që është duke ndodhur tash është që edhe ajo shtresë e mesme që mbase edhe ka ekzistuar, është nisur rrugës për të rënë nga liga e dytë, në të tretën.

Kosova po varfërohet përditë e më shumë. Por badihavxhinjtë nuk kanë kohë të merren me këtë punë... ani sidomos tash në mes të fushatës...

* * *

Nuk po di sa shpjegoj, por ka disa muaj që ndiej thuajse jam duke jetuar në një balon të palëvizshëm, në të cilin nuk ndodh asnjë send përtej hajgareve politike.

Thuajse jeta është ndalur për krejt të tjerët, pos për ata që duan t’i përmbushin ambiciet personale në dëm të krejt të tjerëve.

Nuk ka ditë që nuk më bie në sy bile një lajm nga teknologjia a shëndetësia - lajme që sjellin shpresë se sëmundjet deri tash të pashërueshme do të gjejnë ilaç, pa pasur nevojë për krejt terapitë e mundimshme, që jo përherë dalin të jenë të qëlluara. E derisa bota flet për këtë robot, e atë program, e këtë eksperiment e atë bar, ne flasim për kush ka luftuar, kush ka tradhtuar, kush është fshehur e kush ka ikur, e kush gënjyer e kush ka heshtur, e kush ka qenë agjent i BIA-s e kush i CIA-s... truri na ka mbetur gati 30 vjet mbrapa...

Dhe natyrisht me trurin e angazhuar tri dekada prapa, zor që mund të ecim tri dekada përpara. Prandaj edhe i kemi krejt sistemet çfarë i kemi, arsimor e shëndetësor, për shembull – të dobëta, të “shminkume”, duken ndoshta bukur, por përbrenda mezi mbahen në shtyllat mbajtëse të gërryera nga kanalizimi i hajnive dhe keqpërdorimeve, mosdijes dhe neglizhencës.

* * *

E keqja e gjithë këtij rrëfimi është se “jackpoti” do t’u bjerë sërish badihavxhinjve posa të mbahen zgjedhjet e radhës. Sepse seanca plenare normale zor se do të mbajnë dhe se edhe më zor do të mund të kalojnë çfarëdo ligji, përfshirë ratifikimet e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Jo që mërziten shumë për këtë punë... po të ishin mërzitur i kishin votuar ato qysh vjet, dhe e kishin konstituuar Kuvendin me votë ndërgjegjeje e jo urdhër partie.

[email protected]