Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka vizituar disa biznese në Komunën e Ferizajt, ku ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së sektorit privat. Ai ka premtuar se Qeveria që do ta udhëheq ai do t’i mbështesë bizneset të rriten, të investojnë dhe t’i rrisin pagat për punëtorët. Hamza ka premtuar rritje prej 50 për qind të pagave e të pensioneve
Premtimin për rritje të pagave prej 50 për qind e ka ritheksuar kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza, duke iu kundërpërgjigjur deklaratave të kundërkandidatit nga Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili një ditë më parë i ka kontestuar premtimet elektorale të PDK-së për ulje të tatimeve dhe rritje të shpenzimeve, pagave dhe pensioneve.
Hamza ka thënë se programi i PDK-së bazohet në përvojë konkrete qeverisëse dhe në vendime që, sipas tij, kanë përmirësuar jetën e qytetarëve në të kaluarën.
“Në mungesë vizioni, guximi, vendimmarrje që vetë nuk i kanë ditë dhe nuk dinë me i ba, ata po konsiderojnë që këto nuk bahen dhe nuk munden me i bë të tjerët. E na edhe kena ditë edhe i kemi bë. Dhe po ju tregoj që po në janar 2009 ne i kemi ulë tatimet në fitimin e korporatave nga 20 në 10 për qind, si dhe tatimi në të ardhurat individuale nga 20 në 10 për qind për shkallën e lartë”, ka thënë Hamza
Hamza ka ironizuar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
“Po të them të drejtën, nuk kanë as kualifikime, as përvojë profesionale e as institucionale. I pastë në qafë ai që i ka thanë, e ky pse i ka dëgjue, që ju ka thanë që kjo punë nuk bëhet, bëhet”, ka theksuar ai.
Gjatë ditës, Hamza, bashkë me kryetarin e Ferizajt që vjen nga radhët e PDK-së, Agim Aliu ka vizituar disa biznese në Komunën e Ferizajt, ku ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së sektorit privat si bazë e zhvillimit ekonomik.
Ai u ka shpërndarë qytetarëve fletushka me pesë zotimet kryesore për vitin 2026, përfshirë zhvillimin, punësimin, paga më të larta dhe mirëqenie për familjet.
“Qeveria ime do të jetë partnere e sektorit privat, sepse pa një sektor privat të fortë nuk ka zhvillim të shtetit. Ne do t’i mbështesim bizneset të rriten, të investojnë dhe t’i rrisin pagat për punëtorët... Bizneset kanë nevojë për mbështetje dhe politika të drejta, jo pengesa. Programi ynë parasheh tatim sipas fitimit real për qarkullim deri në 30 mijë euro dhe grante deri në 30% për rritje, zhvillim dhe investime të reja”, ka shkruar Hamza në “facebook”.
Hamza, ndërkaq, ka premtuar edhe rritje prej 50 për qind të pensioneve.
E, kandidati i PDK-së për deputet, Bashkim Gllareva, gjatë një debati në KTV, premtoi se do të rriten pagat në sektorin e shëndetësisë për 50 për qind.
“Kemi demotivim të skajshëm të punëtorëve shëndetësorë, humbje të dinjitetit, prandaj Partia Demokratike do t’ua kthejë dinjitetin punëtorëve shëndetësorë, duke ua rritur pagat, ofruar kushte dhe infrastrukturë të mirë, ndërtuar spitale të reja”, është shprehur Gllareva.
Kandidati i PDK-së ka folur edhe për problemet me prokurimin dhe me furnizimin me barna, e që sipas tij janë pasojë e keqmenaxhimit të Qeverisë së udhëhequr nga LVV-ja.
Gllareva në debat ka përmendur top-prioritetet e PDK-së në fushën e shëndetësisë.
“Do të jenë prioritet sigurimet shëndetësore, mbulimi 100% i barnave esenciale, ndërtimi i Qendrës Klinike Universitare të re ose ndërtimi i spitalit të Prishtinës, si dhe ndalja e rrjedhjes së trurit duke bërë politika të reja që parashohin dhënien e specializimeve, edukimin e stafit terciar dhe sekondar, si dhe mbështetja e nivelit primar shëndetësor”, ka theksuar ai.
Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, Gllareva ka përmendur edhe infermierët, për të cilët ka thënë se do të përfitojnë rritje të pagës dhe kushte më të mira të punës.
PDK-ja në zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit ka dal partia e dytë me 20.95 për qind të votave, apo gjysmë më pak sesa partia fituese LVV-ja (42.30 për qind).