OpEd

Kaq shpejt ndryshon historia

Ukraina, Rusia, varrosja e iluzioneve gjermane dhe 100 miliardë euro

Në maj të vitit 2021 e vizitoi Ukrainën Robert Habeck, shef i Partisë së Gjelbër gjermane. Në traditën e politikanëve realistë të të gjelbërve Habeck tha se Gjermania së paku duhet të marrë në konsideratë mundësitë që të furnizojë Ukrainën me armë mbrojtëse, defensive. Habeck u kritikua nga gati të gjithë – nga qeveria, nga shumica e mediave dhe nga disa kolegë të partisë së tij.

Pastaj skena politike gjermane iu kthye normalitetit. Në fushatën elektorale u fol për shumë tema, por jo aq sa duhet për politikën e jashtme. Me ashpërsimin e krizës në Ukrainë u ashpërsua edhe gjuha e disa politikanëve gjermanë – jo kundër agresorit, pra Rusisë, por kundër të gjithëve. Në stilin më absurd për tensionimin e situatës akuzoheshin “të dyja palët”, njëkohësisht duke ia futur një shkelm edhe Amerikës, sepse disa politikanë gjermanë nuk mund të jetojnë pa e marrë çdo ditë dozën e tyre antiamerikane.

Javëve të fundit shumë politikanë gjermanë “shkëlqyen” me deklarata tejet të pamatura, naive, skandaloze. Disa shembuj: Nuk është në interes të Rusisë të sulmojë Ukrainën (Sahra Wagenknecht, komuniste e majtë). Me logjikën e Luftës së Ftohtë, ne të mirë, ata të këqij, zi dhe bardh, nuk arrihet larg (Ralf Stegner, socialdemokrat). Duhet të heqim dorë nga çdo gjë që ndikon që dinamika e luftës të marrë hov (Rolf Mützenich, socialdemokrat). Shërbimet sekrete amerikane po thonë se rusët do të marshojnë në Ukrainë, unë nuk iu besoj (Gregor Gysi, komunist i majtë, e ka takuar Slobodan Milosheviqin gjatë bombardimeve të NATO-s). Rrena përrallore të shërbimeve sekrete amerikane (Sevim Dagdelen, komuniste e majtë, njëra prej kundërshtareve më të zhurmshme të pavarësisë së Kosovës). Rusia nuk është armike e Evropës (Markus Söder, kryeministër i Bavarisë, kristiandemokrat). Rusia nuk duhet të përjashtohet nga sistemi i pagesave SWIFT. Disa po kanë shumë qejf ta ndjellin luftën (Ralf Stegner, socialdemokrat). Ukraina po vringëllon me armë (Gerhard Schröder, ish-kancelar, socialdemokrat).

Por agresioni rus kundër Ukrainës, kërcënimi i Vladimir Putinit me armë bërthamore, gjuha e tij vulgare, primitive, e marrë kundër Perëndimit, klithmat se Rusia refuzon “pseudovlerat” perëndimore, e kanë detyruar politikën gjermane të bëjë një kthesë prej 180 shkallësh. Ndryshimet janë pothuaj epokale. Çfarë përjashtohej dje me çdo kusht, sot është krejt ndryshe. Kjo u pa dhe u dëgjua në fjalimin e kancelarit Olaf Scholz në Parlamentin gjerman të dielën. Gjermania themelon një fond të veçantë për forcimin e forcave ushtarake: 100 miliardë euro investime, mes tyre dronë dhe avionë të rinj luftarakë. Buxheti për mbrojtje do të jetë përherë 2 për qind e Bruto Prodhimit Vendor. Në Bundestag kancelari Scholz e quajti Putinin gjakftohtë, të paskrupullt dhe mizantrop. Scholz nuk la asnjë pikë dyshimi për përcaktimin e Gjermanisë në politikën e jashtme: Gjermania mbetet besnike ndaj NATO-s dhe të gjitha vendeve partnere.

Një përgjegjësi të lartë e tregoi edhe shefi i opozitës konservatore CDU & CSU Friedrich Merz. Ai tha: “Zoti kancelar, ne ju falënderojmë juve për deklaratën në Bundestag”. Merz shtoi: “Jemi të turpëruar që këtij vendi (Ukrainës) nuk i kemi ndihmuar më herët”. Kjo mund të kuptohet edhe si kritikë ndaj opozitës konservatore (CDU & CSU), e cila ka qenë në pushtet nga viti 2005 deri vitin e kaluar. Pastaj Merz shprehu mllefin e tij kundër Putinit: “Ta quash nazist dhe narkoman presidentin e Ukrainës, Zelenski, i cili ka prejardhje hebraike, tregon një përmasë poshtërsie që në këtë kontinent qëmoti nuk e kemi parë”. Merz goditi, pa ia përmendur emrin, ish-kancelarin socialdemokrat Gerhard Schröder, i cili e ka quajtur Putinin “demokrat të pastër si loti”. Schröder është lobist i firmave ruse të gazit. Merz e quajti “idiote të dobishme“ kryeministren socialdemokrate të një landi gjerman, e cila e ka përkrahur gazsjellësin rus, madje me ndihmën e Rusisë ka themeluar një fondacion kinse për mbrojtjen e ambientit, në fakt fondacioni ka për qëllim të blejë pjesë për të furnizuar firmat që kanë ndërtuar dhe mirëmbajnë gazsjellësin “Nord Stream 2”. Kështu synohet të anashkalohen sanksionet amerikane kundër këtyre firmave. Me sulmin e Putinit kundër Ukrainës “Nord Stream 2” tani për tani është varrosur.

Ndryshimi i politikës gjermane ndaj konfliktit në Ukrainë u pa që të shtunën në mbrëmje. Presioni i madh ndërkombëtar, por edhe i mediave kryesore gjermane tregoi efekt: Gjermania lejoi që përmes Holandës të furnizojë Ukrainën me 400 bazuka (armë antitankiste). Edhe Estonia lejohet ta furnizojë Ukrainën me topa që dikur i ka marrë nga Gjermania. Vendimin e bënë të ditur ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock dhe ministri i Ekonomisë, Robert Habeck. Të dy politikanë të Partisë së Gjelbër. Edhe presioni për të dëbuar Rusinë nga sistemi i pagesave SWIFT pati ndikim dhe kjo ndodhi po ashtu.

Në mediat gjermane kritikat kundër klasës politike në Berlin janë të pamëshirshme. “Frankfurter Allgemeine Zeitung” shkruan se kjo gjeneratë politikanësh është dështake dhe naive ndaj Rusisë. “Der Spiegel” dhe “Süddeutsche Zeitung” theksojnë se ka ardhur koha që të marrin fund fjalët boshe të politikanëve gjermanë.