OpEd

Këshilla për një kolumnist të ri

Shkrimi i kolumnes është më shumë se një ushtrim i të shprehurit; është një akt përgjegjësie ndaj lexuesit dhe ndaj vetes. Në këtë kolumne, nuk pata për synim që ta ofroj një formulë magjike për autorësinë por t’i ndaj disa përvoja dhe bindje personale që mund t’i ndihmojnë kolumnistët e rinj të ecin më të sigurt drejt zërit të tyre autorial. Sepse në fund, një kolumne e mirë nuk është ajo që e thotë atë që të gjithë duan të dëgjojnë, por ajo që arrin të zgjojë mendim kritik dhe të hapë rrugë për diskutim të ndershëm, të guximshëm dhe të argumentuar

Derisa po rrija mbi fletën e zbrazët, duke e menduar titullin e kolumnes së radhës, më binin ndër mend tema të ndryshme, për të cilat do të mund të shkruaja. Në këtë kolumne kam vendosur t’i shkruaj disa këshilla për kolumnistët e rinj dhe ata aspirantë. Kjo është edhe bukuria më e madhe e të qenit kolumnist. Temat për të cilat shkruan i zgjedh vetë dhe në punën tënde nuk ndërhyn askush, kurse, masa e editimit të teksteve është minimale.

Zakonisht, përçapja e autorit lidhur me temën për të cilën do të shkruajë mbetet “sekret i zanatit”. Por mendoj se kjo është mbase pjesa më e rëndësishme në procesin e shkrimit: tema apo titulli. Dikush e vë titullin e shkrimit në fillim, e dikush pasi që ta ketë përfunduar hartimin e tekstit. Mirëpo ta shkruash një titull që e tërheq vëmendjen e lexuesit dhe njëkohësisht me një apo dy-tre fjalë e përshkruan tërë përmbajtjen e një teksti autorial, është punë goxha sfiduese. 

Si të shkruhet një kolumne? Para se ta jap përgjigjen në këtë pyetje është me rëndësi të thuhet se çka është një kolumnist dhe cili është roli i tij apo i saj në një media. Kolumnisti është një autor, i cili kontribuon rregullisht me opinione apo komente personale në një publikim mediatik - ditore, javore apo portal online. Përkundër gazetarëve e reporterëve, puna e të cilëve është të raportojnë mbi ngjarjet e faktet duke i parashtruar ato para lexuesit në mënyrë objektive, kolumnistët ofrojnë analizë, interpretim, dhe perspektivë personale mbi tema të ndryshme politike, shoqërore, ekonomike, kulturore apo madje edhe sportive. Kolumnet nuk janë domosdoshmërish objektive, sepse ato e përçojnë zërin subjektiv të autorit mbi çështje të ndryshme.

Roli i kolumnistit në një media është të interpretojë lajme apo ngjarje, të krijojë opinion publik, të inkurajojë angazhim qytetar dhe ta përçojë opinionin personal. Thuhet se një kolumnist, përveçse shkrimtar, duhet të jetë edhe njohës i gazetarisë, të ketë aftësi edituese dhe njohuri mbi temat për të cilat shkruan, si dhe të ketë shkathtësi argumentuese dhe mendim kritik. 

Pasi që këtë temë ua dedikoj autorëve të rinj dhe atyre që aspirojnë të bëhen autorë të kolumneve, po jap disa këshilla se cila është mënyra më e mirë dhe më e lehtë të shkruhen kolumnet. Para së gjithash, autorët duhet të dinë se një kolumne nuk bën të jetë shumë e gjatë për arsye se si e këtillë, e mbushur me përshkrime dhe me tirada të stërgjata, e humbet interesimin e lexuesve. Hartimi i një kolumneje i ngjan një eseje pesë paragrafësh që e përmban argumentin kryesor, arsyetimin e këtij argumenti me mendime logjike apo me përshkrim të fakteve kryesore, diskutimin rreth argumentit dhe të mendimeve e fakteve si dhe paragrafin përmbyllës. Këtë do ta kenë mësuar aspirantët e shkrimit gjatë studimeve në universitet në lëndën shkrim akademik. Mirëpo, kolumna nuk është hartim akademik, edhe pse një dozë e kufizuar e akademizmit nuk e dëmton së tepërmi një kolumne. Kjo sidomos kur një kolumne bazohet në terme dhe në fenomene që kërkojnë sqarim për lexuesin e zakonshëm.
Për shembull, në kolumnet e mia ndonjëherë ofroj definicione akademike të fenomeneve dhe të sjelljeve politike, sepse ato më së miri janë sqaruar nga akademikët. Po ashtu, ofrimi i këtyre sqarimeve dhe dhënia e definicioneve e rrisin kredibilitetin e shkrimit në atë mënyrë që kolumnisti tregon se para se ta ketë shkruar kolumnen, ka bërë hulumtim të themeltë mbi fenomenin mbi të cilin shkruan dhe se ka njohuri të mjaftueshme, gjë që e rrit kredibilitetin e opinioneve të shprehura. Efekti i kësaj është opinionbërja më e qëndrueshme dhe besimi i rritur i lexuesve në argumentet e parashtruara.

Pjesa qendrore e një kolumneje është argumenti qendror i saj. Por, çka është argumenti? 

Në gjuhën angleze fjala argument i ka dy kuptime: atë të një pohimi të mbështetur në arsyetime, në mendime logjike dhe në fakte, si dhe të mospajtimit dhe zënies në mes të dy apo më shumë personave. Grupi i famshëm humoristik anglez, Monty Python, e ka një skeç humoristik të njohur mbi argumentin dhe mbi zënien me fjalë (“arguing”). Por përveç argumentit të besueshëm, ka edhe argumente false, të cilave iu mungon logjika. Për shembull, nëse themi se “dita e mirë shihet në mëngjes. Sot ka shkëlqyer dielli dhe kam marrë notë të lartë në provim, prandaj, moti i mirë ka bërë që unë të kaloj mirë në provime”, është argument fals ngase suksesi në provim nuk varet nga moti por nga përgatitja e studentit. Pra, ky argument krijon një marrëdhënie të rrejshme mes motit të mirë dhe suksesit në provime. Por nëse themi: “Është një pikturë e mirë. Ngjyrat krijojnë një efekt të fuqishëm të perëndimit të diellit, që krijon kënaqësi për syrin. Figurat janë interesante dhe të vizatuara mirë. Më pëlqen kjo pikturë”, atëherë kemi të bëjmë me argument që i përmban pohimin, arsyet, faktet dhe konkluzionin. Argumenti kryesor këtu është se piktura është e mirë. Argument nuk është sqarimi, përshkrimi dhe konkulzioni. Në mendimin kritik këto quhen jo-argumente.

Llojet e tjera të argumenteve false përfshijnë por nuk janë të kufizuara në sulmet personale ndaj dikujt (ad hominem) – një kolumnist asnjëherë nuk bën të kalojë në sulme personale, në dilema të rrejshme të llojit “ose je me ne ose kundër nesh”, në popullaritet si p.sh. “të gjithë po investojnë në monedhat kripto, prandaj ky duhet të jetë investimi më i mençur”, në përgjithësim të pabazë, si “i takova dy turistë francezë që ishin shumë arrogantë, prandaj të gjithë francezët duhet të jenë arrogantë”, në arsyetim qarkor, si “zoti ekziston sepse kurani apo bibla thonë ashtu dhe bibla apo kurani janë të vërteta sepse janë fjalë të zotit”. Edhe thirrja në emocione të njerëzve është po ashtu argument fals. Për shembull, nëse themi “duhet t’u ndihmojmë të varfërve. Imagjino se si duhet të jetë të jesh i varfër”, thërret në emocionet e njerëzve për t’i bindur të veprojnë sipas autorit.

Shpeshherë, argumentet false përdoren nga politikanë dhe ato mund të duken bindëse për njerëz të cilëve u mungon mendimi kritik. Argumentet false përdoren për shpëlarje truri të masave të gjëra. Argumente false mund të përdorë edhe një kolumnist, por kredibiliteti i tij apo i saj dëmtohet te lexuesi që ka mendim kritik. Kur jemi te lexuesi, pra audienca të cilës i drejtohet një kolumne, një kolumnist duhet ta respektojë lexuesin e tij. Një kolumnist i mirëfilltë nuk e ofendon inteligjencën e lexuesve të vetë me broçkulla, sepse në atë mënyrë e humbet audiencën apo cakun final të shkrimeve. Kjo nuk do të thotë se një kolumnist duhet medoemos t’u përmbahet mendimeve të përgjithshme (mainstream thinking) që ekzistojnë në shoqëri. Roli i tij apo i saj është që edhe të sfidojë mendimet e gatuara thellë në ndërgjegjen shoqërore me ide të reja dhe jokonvencionale.
Kështu, po arrij në përfundimin e kësaj kolumneje, të cilën ua kushtova kolumnistëve të rinj dhe atyre aspirantë, në formën e këshillave se cila është mënyra më e mirë për të shkruar një kolumne, me sqarimet përkatëse lidhur me argumentet dhe jo-argumentet. Shkrimi i kolumnes është më shumë se një ushtrim i të shprehurit; është një akt përgjegjësie ndaj lexuesit dhe ndaj vetes. Në këtë kolumne, nuk pata synim të ofroj një formulë magjike për autorësinë por t’i ndaj disa përvoja dhe bindje personale që mund të ndihmojnë kolumnistët e rinj të ecin më të sigurt drejt zërit të tyre autorial.

Sepse në fund, një kolumne e mirë nuk është ajo që e thotë atë që të gjithë duan të dëgjojnë, por ajo që arrin të zgjojë mendim kritik dhe të hapë rrugë për diskutim të ndershëm, të guximshëm dhe të argumentuar.