Me rastin e vdekjes së gazetarit të shquar boshnjak, Kemal Kurspahiq.
Lajmin e hidhur së pari e bëri publik familja e tij, pastaj të gjitha mediat në Bosnjë të dielën njoftuan se më 17 shtator 2021 ka ndërruar jetë Kemal Kurspahiqi, njëri prej gazetarëve më të njohur të Bosnjës dhe më gjerë në rajon. Kurspahiqi ishte kryeredaktor i gazetës “Oslobogjenje” mes vitit 1988-1994.
Kjo gazetë gjatë luftës në Bosnjë mbajti lart idealet e antifashizmit, tolerancës mes popujve dhe kundërshtoi me këmbëngulje agresionin serb kundër qytetit të Sarajevës. Në vitin 1992, kur Bosnjën e përfshinë flakët e luftës, “Oslobogjenje” u shpall gazeta e vitit në botë. Parlamenti Evropian i ndau “Oslobogjenjes” çmimin “Saharov”, të cilin e patën marrë edhe Ibrahim Rugova dhe Adem Demaçi. Word Press Review me seli në New York e shpalli Kemal Kurspahiqin redaktorin më të mirë në botë për vitin 1993. Më 1992 ai u shpërblye për guxim në gazetari nga International Women’s Foundation. Në vitin 2000, International Press me seli në Vjenë e shpalli hero të luftës për lirinë e shtypit. Në nivel ndërkombëtar, Kurspahiqi është gazetari më i shpërblyer nga rajoni. Të rralla janë gazetat e mëdha botërore që s’kanë botuar komente dhe analiza të Kurspahiqit. Ai botoi në “New York Times”, në “Washington Post”, në “Los Angeles Times”, në “Herald Tribune”.
Në disa fotografi që mediat në Bosnjë i kanë publikuar pas lajmit për vdekjen e tij, shihet Kurspahiq duke e njoftuar Joe Bidenin mbi gjendjen në Sarajevë. Biden, atëbotë, në vitet 90-të, ishte senator amerikan dhe njëri prej kundërshtarëve më të rreptë të agresionit serb kundër Bosnjë-Hercegovinës.
Vepra më e njohur e Kurspahiqit është “Zločin u 19:30: balkanski mediji u ratu i miru” (Krimi në orën 19:30: mediat ballkanike në luftë dhe paqe”. Në këtë libër Kurspahiq analizon hollësisht rolin e tmerrshëm që luajtën mediat serbe në “prodhimin e armiqve” dhe kësisoj në përgatitjen e terrenit për luftë. Kurspahiq numëron në veprën e tij disa shembuj se si propaganda serbe u koncentrua fillimisht në Kosovë dhe nga mesi i viteve 80-të për herë të parë pas një kohe të gjatë sërish për shqiptarët nisi të përdorej termi fyes “shiptari”.
Më 1986 në fushatën antishqiptare u kyçën rreth 200 intelektualë serbë. Më 21 janar 1986 ata nënshkruan një peticion drejtuar autoriteteve federale dhe atyre serbe ku protestonin kundër “gjenocidit” në Kosovë. Në peticion akuzoheshin autoritetet federale për tradhti në Kosovë: “Çdokush në këtë vend që nuk është indiferent ngaherë e ka kuptuar se kundër gjenocidit në Kosovë nuk mund të luftohet pa ... ndryshime të thella në mbarë vendin. Ato ndryshime nuk mund të merren me mend pa një raport përkatës mes krahinave autonome dhe Serbisë... Gjenocidi nuk mund të evitohet ... duke ia dorëzuar dalëngadalë Kosovën Shqipërisë: me kapitullimin e panënshkruar që çon nga politika e tradhtisë kombëtare”. Gjuha e gënjeshtërt dhe nacionaliste e intelektualëve serbë, menjëherë gjeti mbështetje “nga populli”, i cili thërriste: “Duam armë”, “Shkojmë në Kosovë”, “Vareni (Azem) Vllasin”, “Vareni Smolenë” (Jozhe Smole, politikan slloven, kritik i udhëheqjes nacionaliste serbe).
Në librin e tij Kurspahiq si shembull pozitiv të gazetarisë së pavarur përmend “Kohën Ditore”. Në kohën kur shumica e mediave u reduktuan në propagandën e bazuar në “motive patriotike”, një përjashtim përbënte gazeta në gjuhën shqipe “Koha Ditore”, botuesi i së cilës Veton Surroi edhe në ditët më të vështira të terrorit shtetëror kundër popullit të tij guximshëm dhe këmbëngulshëm u angazhua kundër urrejtjes dhe hakmarrjes së verbër.
Kurspahiq ka qenë korrespondent i “Oslobogjenjes” nga New Yorku mes viteve 1981-1985, ndërsa pas luftës në Bosnjë ligjëroi në disa universitete amerikane dhe punoi për Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Me rastin e vdekjes së Kemal Kurspahiqit, gazetari i njohur amerikan Tom Gjelten, korrespondent për çështje religjioze i National Public Radio (NPR) në SHBA, shkroi: “Gazetaria globale humbi një hero. (...) Kemalin e kam njohur më 1993 në Sarajevë. Gjatë rrethimit trevjeçar të qytetit të tij nga nacionalistët vrastarë serbë, të cilët ishin të vendosur ta shkatërronin qytetin, ai çdo ditë mbikëqyri botimin e gazetës së tij. Kemali negocioi me OKB-në për të siguruar letër për të shtypur gazetën dhe me padronët lokalë të luftës për të gjetur lëndë djegëse në tregun e zi në mënyrë që të punonte shtypshkronja. Ai u premtoi bashkëpunëtorëve të tij se ‘Oslobogjenje’ do të botohet ‘derisa të ekzistojë Sarajeva’, dhe e mbajti këtë premtim. (...) Historia e ‘Oslobogjenjes’ nën udhëheqjen e Kemalit më ka inspiruar aq shumë, saqë kam shkruar një libër për të, sepse unë te lufta e saj pashë një element ideologjik të një rrëfimi më të madh të luftës së Bosnjës. (...) Vlerat e tij publicistike dhe njerëzore janë një shembull për gazetarët kudo në botë”. Libri i Tom Gjelten ka këtë titull: “Sarajevo Daily: A City and Its Newspaper Under Siege”.