Agresioni rus ndaj Ukrainës po e shpalos në mënyrë totale politikën qorre të evropianëve ndaj Rusisë. John Bolton, njëri prej zërave më të diskutueshëm të establishmentit të sigurisë, thotë: “Në SHBA disa e kanë përshtypjen se po na japin leksione disa njerëz, të cilët ne është dashur t’i shpëtojmë tri herë në shekullin e 20-të – në dy luftëra të vërteta dhe pastaj edhe një herë në Luftën e Ftohtë”. Fjalën e ka për politikanët evropianë, solidariteti i të cilëve me Ukrainën shkon vetëm deri te matja e temperaturës në dhomën e ditës
Të thuhet se John Bolton është ekspert polarizues amerikan i politikës së sigurisë ndoshta është pak. Bolton, një burrë me mustaqe markante dhe mendime edhe më markante, u ka shërbyer Ronald Reaganit dhe George W. Bushit në Ministrinë e Jashtme dhe në atë të Drejtësisë. Donald Trumpi e angazhoi si këshilltar për siguri nacionale dhe ishte vetëm çështje kohe kur këta dy burra do të kapnin njëri-tjetrin për gryke. Për shkak të mospajtimeve të thella Trump e përjashtoi nga puna Boltonin, i cili pastaj kundërgoditi me një libër, ku Trumpin e përshkruan si fund e krye të paaftë për postin e presidentit të SHBA-së. Me këtë mendim BoltonI me siguri nuk është i vetmi. Si komentues në mediat ruse Bolton ka nxitur shumë kritika. Por nganjëherë edhe figurat më polarizuese kanë të drejtë.
Në një intervistë dhënë revistës gjermane “Der Spiegel”, Boltoni thotë disa mendime jashtëzakonisht të rëndësishme. Vladimir Putini e përshkruan si person gjakftohtë, racional. Racional? Po, nga këndvështrimi i tij Putini reagon në mënyrë racionale, sepse e ka vërejtur se mund t’i frikësojë perëndimorët. “Çfarë po përjetojmë është një histori e dështimit perëndimor. Ne po ia rrahim supet njëri-tjetrit dhe po e urojmë njëri-tjetrin për unitetin e NATO-s. Por ne nuk ia kemi dalë të pengojmë invadimin e Ukrainës. Nuk e kemi frikësuar ne Putinin, por Putini na ka frikësuar neve. Dhe po e bën këtë ende. Kur Putini paralajmëron se do të shtojë gatishmërinë alarmuese të forcave nukleare ruse, frikacakëve në Perëndim u dridhet zemra. Shefat e shërbimeve sekrete amerikane kanë deklaruar në Kongres se forcat nukleare ruse në asnjë mënyrë nuk e kanë ndryshuar gatishmërinë operacionale. Ishte një krekosje (nga ana e Putinit). Por disa në Perëndim u sollën sikur Putini i shkrepi raketat e tij. Për aq kohë sa Putini rrudh sytë dhe Perëndimi trembet, ai neve na ka në grusht”.
Agresioni rus ndaj Ukrainës po e shpalos në mënyrë totale politikën qorre të evropianëve ndaj Rusisë. Sipas John Boltonit “në SHBA disa e kanë përshtypjen se po na japin leksione disa njerëz, të cilët ne është dashur t’i shpëtojmë tri herë në shekullin e 20-të – në dy luftëra të vërteta dhe pastaj edhe një herë në Luftën e Ftohtë”. Fjalën e ka për politikanët evropianë, solidariteti i të cilëve me Ukrainën shkon vetëm deri te matja e temperaturës në dhomën e ditës.
Pavarësisht sanksioneve të ashpra ndaj Rusisë, Bashkimi Evropian dhe sidomos Gjermania nuk e kanë përdorur ende instrumentin më goditës: ndërprerjen e plotë të importimit të naftës dhe gazit nga Rusia. Këtu është duke bllokuar edhe më tutje Gjermania. Kjo është një fitore e vogël e Putinit, thotë Bolton. Dhe sërish ka të drejtë. Në vitin 2021 Bashkimi Evropian importoi naftë dhe gaz nga Rusia në vlerë prej 90 miliardë eurosh. Në vitin 2021 buxheti ushtarak i Rusisë ishte 62 miliardë euro. Diktatorit në Kremlin i kanë mbetur edhe 28 miliardë tepricë. Sigurisht i ka investuar në zhvillimin e helmeve për vrasje të kundërshtarëve politikë. Dhe nuk është vetëm Gjermania që është njollosur viteve të fundit me afërsinë toksike ndaj Putinit.
Si pothuaj asnjë metropol në botën perëndimore Londra ka qenë deri më tani një qendër e rëndësishme e oligarkëve rusë. Në kryeqytetin britanik ata kanë blerë vila gjigante, kanë investuar dhe i kanë fshehur paratë. Kush investonte mbi 2 milionë funta, pajisej me një “vizë të artë”. 12 mijë viza të tilla i kanë lëshuar autoritetet britanike, gjysmën e tyre për rusë dhe kinezë. Sipas platformës mediale “Open Democracy”, partia konservatore britanike Tories mes 2010 dhe 2019 ka pranuar 3,5 milionë funta donacione nga biznesmenët e lidhur me Rusinë.
Pasi Boris Johnson u bë kryeministër më 2019 u dhanë edhe 2 milionë funta donacion. Sipas “Transparency International” investitorët me origjinë ruse, të cilët mbajnë lidhje të ngushta me Kremlinin apo dyshohet se janë të korruptuar, nga viti 2016 kanë blerë patundshmëri britanike në vlerë prej 1,5 miliardë funtash. Kur ishte kryetar i Londrës Boris Johnsoni lavdërohej se “Londra i ka 72 miliarderë”, më shumë se New Yorku, Parisi dhe Moska. Ai thoshte: “Për miliarderët Londra është si xhungla e Sumatrës për orangutanët”. Me agresionin rus kundër Ukrainës gjërat kanë ndryshuar. Në të ardhmen nuk do të ketë më “viza të arta” për investitorë rusë, paratë e tyre do t’i nënshtrohen verifikimit dhe agjencia kundër krimit do të përforcohet për të luftuar “paratë e pista”.
Oligarkët rusë ndonëse kanë humbur miliarda nga sanksionet perëndimore, ngurrojnë të godasin direkt Putinin. Mihail Fridman, i cili është aktiv në sektorin e tregtisë, në telekomunikacion dhe në sistemin bankar, ka ushtruar kritikë të zbehtë. Po ashtu edhe Oleg Tinkov, themelues i bankës private Tinkof. Pastaj Oleg Deripaska, magnat i aluminit, dhe Aleksej Mordashov, biznesmen i çelikut, sipas revistës “Forbes” rusi më i pasur.
Mordashov e quajti luftën “tragjedi mes dy kombeve vëllazërore” dhe bëri thirrje për të ndalur “gjakderdhjen”. Roman Abramoviq paralajmëroi se do ta shesë ekipin e futbollit Chelsea dhe fitimin do t’ua dhurojë viktimave të luftës në Ukrainë. Fridman shkroi se “kjo krizë do të kushtojë jetë njerëzish dhe do të dëmtojë dy kombe, të cilat prej shekujsh janë vëllezër”. Deripaska shprehu dyshimin se Rusia nuk do të mund t’i injorojë sanksionet siç ka bërë më 2014 pas aneksimit të Krimesë. Oligarkët më të afërt me Putinin janë vëllezërit Arkadi dhe Boris Rotenberg, të cilët njihen si “mbretër të tenderëve shtetërorë”. Edhe Genadi Timçenko, biznesmen i gazit dhe petrokimisë, konsiderohet i afërt me Putinin.