Ndërsa Joe Bideni garanton sigurinë e Evropës demokratike, liderë në Gjermani, politikanë në Austri dhe përfitues në Zvicër nuk janë të gatshëm ta kuptojnë efektin dramatik të agresionit rus kundër Ukrainës
Në fundjavë presidenti amerikan Joe Biden qëndroi për vizitë në Poloni. Një vizitë jo vetëm simbolike. Bideni takoi presidentin polak, Andrzej Duda, i cili pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA nuk ishte ngutur ta uronte Bidenin, sepse me gjasë ende besonte se do të fitonte Donald Trumpi. Pastaj Polonia u përpoq ta ndalojë një televizion në të cilin kanë investuar edhe amerikanët. Qeveria konservatore polake nuk i duron aq mediat e lira. Këto keqkuptime dukeshin të harruara në fundjavë. Bideni garantoi tërësinë territoriale të Polonisë dhe të vendeve të tjera anëtare të NATO-s. Bideni bëri thirrje për rrëzimin e kriminelit rus të luftës, Vlladimir Putin. Bideni takoi refugjatë ukrainas që kanë arritur në Varshavë. Bideni takoi ministrin e Jashtëm dhe të Mbrojtjes të Ukrainës.
Sa për krahasim: kancelari gjerman, Olaf Scholz, ende nuk ka dalë as te stacioni i trenit në Berlin për t’i pritur refugjatët. Stacioni ndodhet nja 500 metra larg Zyrës së Scholzit. Pas agresionit rus ndaj Ukrainës, Gjermania premtoi se do t’i japë armë Ukrainës. Por mes premtimit dhe furnizimit duket se ekziston një hendek i madh, siç raportojnë mediat gjermane. Nderin e kësaj qeverie të dominuar nga socialdemokratët janë duke e shpëtuar Të Gjelbrit, të cilët nuk janë përlyer nga paratë e Putinit dhe kanë mbajtur qëndrim moralisht të qartë dhe rigoroz kundër sundimtarit në Kremlin. Ambasadori ukrainas në Berlin, Andrij Melnik, tregoi se si ishte sjellë ministri gjerman i Financave ndaj tij. Ministri quhet Christian Lindner dhe i përket FDP-së, partisë liberale, e cila përfaqëson interesat e biznesit. Melnik tha se Lindner e kishte paralajmëruar me një “buzëqeshje të përzemërt”: “Juve ju kanë mbetur edhe pak orë”. Pastaj kishte thënë se nuk do të kryente punë as furnizimi me armë i Ukrainës, as përjashtimi i Rusisë nga SWIFT-i. “Kjo ishte biseda më e tmerrshme e jetës sime”, ka thënë Melnik.
Krejt ndryshe u soll Joe Bideni. Jo vetëm në Poloni, por edhe më parë në Bruksel, ku qëndroi dy ditë dhe mori pjesë në tri samite: me NATO-n, G-7-n dhe BE-në. Në takim me krerët e shteteve të NATO-s, Bideni hyri i fundit në sallën e mediave në selinë e NATO-s dhe pyeti: “A jam unë i 16-ti apo i 17-ti’?” Natyrisht jo vetëm ai, por edhe të gjithë të tjerët në sallë (dhe jashtë sallës) e dinin dhe e dinë që Bideni nuk është i 17-ti, po i pari. Pastaj Bideni e gjeti një mënyrë pothuaj të përsosur që sërish me ironi ta godasë Donald Trumpin. Bideni iu drejtua aleatëve evropianë kështu: “Ju nuk do të gjeni asnjë udhëheqës politik në Evropë, i cili thotë se unë s’jam i aftë për të ushtruar funksionin tim”. Kritika therëse drejtohej në radhë të parë kundër Trumpit, i cili gjatë fushatës elektorale kishte atakuar “gjumashin Biden”. Por në ironinë e Bidenit mund ta ndiejnë veten të përfshirë edhe politikanët, si kryeministri slloven, Janez Jansha, i cili pas zgjedhjes së Bidenit president refuzonte ta uronte dhe ngulte këmbë se president është zgjedhur Trumpi. Ose hungarezi Viktor Orban.
Vlladimir Putini dëshironte ta largonte Amerikën nga Evropa. Ajo tani është më e pranishme se asnjëherë më parë pas Luftës së Ftohtë. Putini dëshironte t'i bindte evropianët që të blejnë gaz vetëm prej Rusisë. Tani e ka arritur të kundërtën: blerjet e gazit rus po reduktohen, blerjet e gazit amerikan po rriten. Putini me vite të tëra ka investuar në përhapjen e propagandës në Evropë, ka bërë përpjekje t’i lëkundë themelet e demokracive perëndimore. Tani edhe simpatizantët e tij më të mëdhenj janë në hall si t’i zhdukin brohoritjet e mëhershme për Putinin.
Përballë vendosmërisë së Bidenit për t’ua shpëtuar prapanicën evropianëve gjendet hipokrizia, ta zëmë, e austriakëve. Nën arsyetimin se Austria është neutrale, partitë austriake nuk pranuan që presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenski, të mbajë një fjalim përmes videolinkut në Parlamentin austriak. Fshehja pas neutralitetit është hipokrizi, mungesë sinqeriteti dhe cinizëm i politikanëve austriakë. Sepse Austria nuk ka qenë neutrale ndaj Putinit. Ja disa shembuj: tre ish-kancelarë austriakë kanë qenë të punësuar në firma apo organizata të afërta me Kremlinin; partia e ekstremit të djathtë FPÖ më 2016 ka nënshkruar një kontratë miqësie me partinë e Putinit; si ministre e jashtme Karin Kneissl e ka ftuar Putinin në dasmën e saj, ka vallëzuar me të dhe është përkulur para tij në shenjë nderimi. Kneissl punon për një firmë ruse të afërt me Kremlinin; në verën e vitit 2014, pak muaj pas pushtimit të Krimesë, Putini është pritur në Vjenë thua se nuk kishte ndodhur asgjë. Atëbotë shtyheshin politikanët austriakë se cili po e shtrëngon më shumë Putinin nga respekti e dashamirësia, ndër të parët kryetari socialdemokrat, Heinz Fischer, i cili e priti Putinin me nderime ushtarake; në shkurt 2018, Putini e priti në Kremlin kancelarin Sebastian Kurz; në tetor 2018, Kurzi e priti Putinin në Vjenë.
Në bankat zvicerane supozohet se gjenden mes 150 deri 200 miliardë dollarë të pasanikëve rusë, mes tyre oligarkë të afërt me Putinin. Deri më tani një shumë minimale është bllokuar. Autoritetet qendrore në Bern thonë se bankat, kantonet dhe organizatat janë të obliguara të njoftojnë mbi paratë e oligarkëve. Shumica nuk e bëjnë këtë. Ekziston rreziku që Zvicra të mbesë ende port i sigurt për oligarkët rusë.