OpEd

Lufta në Ukrainë e shpëtoi Gjermaninë nga shndërrimi në koloni pothuaj ruse

Një efekt anësor, por i rëndësishëm i agresionit rus ndaj Ukrainës është ky: u arrit të pengohet klasa naive dhe pjesërisht e korruptuar politike gjermane në rrugën e saj për ta shndërruar Gjermaninë në pothuaj koloni ruse!

Në Gjermani me vite të tëra vlerat perëndimore u shitën për naftë e gaz rus.

Politikanë me ndikim e konsideruan pavarësinë e Ukrainës si pavarësi të dorës së dytë. Kur Rusia e aneksoi Krimenë më 2014, ish-kancelari Helmut Schmidt tha se Ukraina në thelb nuk është shtet i vërtetë. Profesori i famshëm Karl Schlögel në një intervistë tha se në deklaratën e Helmut Schmidtit përzihet qasja kolonialiste dhe injoranca e njerëzve që s’kanë qenë kurrë në Ukrainë.

Schlögel është i bindur se me mendimin e Schmidtit janë pajtuar shumica e gjermanëve. Dhe Helmut Schmidt nuk ka qenë i parëndësishëm. Në të vërtetë ka qenë politikani i pensionuar me më së shumti ndikim në debatet politike gjermane sidomos pas rënies së Murit të Berlinit.

Rrëshqitjen e Gjermanisë drejt shndërrimit në koloni ruse (për çka përgjegjësinë e bart edhe kancelarja shumëvjeçare Angela Merkel) po e kritikon sidomos Norbert Röttgen, deputet i parlamentit gjerman nga radhët e CDU-së, partisë së Merkelit. Röttgen shkroi në Twitter: 55 për qind të gazit dhe 35 për qind të naftës Gjermania i merr nga Rusia. Por kjo nuk është e tëra. Firma ruse Gazprom është pronare e “hambarëve” për ruajtjen e gazit në Gjermani, të cilët Gazpromi nuk i ka mbushur qëllimisht. Firmës tjetër ruse Rosneft i takon 92 për qind e rafinerisë së naftës PCK në Schwedt në Brandenburg të Gjermanisë.

Në librin e saj mbi historinë e Ukrainës historiania gjermane Kerstin S. Jobst shkruan se në debatet politike gjermane veprimet ruse kundër Ukrainës janë interpretuar si “legjitime”. Sipas kësaj qasjeje Federata Ruse paskësh “të drejtë” të ketë një “zonë ndikimi” që përfshinë territorin e Bashkimit Sovjetik të shpërbërë më 1991. Këta zëra, shkruan Jobst, i japin më shumë rëndësi “ambicieve” të superfuqisë së dikurshme se sa të drejtës së Ukrainës dhe qytetarëve të saj për integritetin e kufijve të tyre dhe të drejtën e vetëvendosjes nacionale.

Më shumë s’ka çfarë të thuhet.

Kjo gjeneratë politikanësh gjermanë do të hyjë në histori si gjeneratë dështakësh. Kështu e ka përshkruar gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” këtë gjeneratë. Një gjykim i ashpër. Që për çdo ditë po konfirmohet.

Le t’i marrim tre shembuj.

Klaus von Dohnanyi, politikan doajen i socialdemokratëve, me vite është angazhuar për të treguar mirëkuptim ndaj Vladimir Putinit.

Tani ai thotë: “Kam lajthitur”.

Matthias Platzeck, po ashtu politikan shumëvjeçar i nivelit të lartë në SPD, ka qenë një propagandist i Putinit.

Tani ai thotë: “Kam lajthitur”.

Gregor Gysi, politikan i partisë Die Linke, e cila i ka rrënjët në partinë komuniste gjermano-lindore, me vite të tëra e ka mallkuar NATO-n dhe ka treguar mirëkuptim për veprimet ruse.

Tani ai thotë: “Jam i zhgënjyer me Putinin”.

Gjatë luftës së Kosovës Gysi shkoi në Beograd për ta takuar diktatorin serb dhe për të “sjellë paqen”. Diktatori e përdori si kukull dhe me kaq mbaroi misioni.

Klaus von Dohnanyi, ministër shteti në Ministrinë e Jashtme gjermanes mes 1976-1981, pra në kohën kur shërbimi sekret jugosllav ka kryer disa vrasje të emigrantëve nga Ballkani në Gjermani, tërthorazi ka pranuar se Gjermania i ka toleruar veprimet e vrasësve të Josip Broz Titos ngase regjimi jugosllav ishte i dobishëm për politikën e shtendosjes së marrëdhënieve me Gjermaninë Lindore. Revista “Der Spiegel” ka shkruar se qeveritë e Helmut Schmidtit dhe Willy Brandtit u kujdesën që killerët jugosllavë të mos ndiqeshin penalisht nga drejtësia gjermane. Kur doli si dëshmitar në gjykimi e vrasësve të një disidenti kroat në München, Klaus von Dohnanyi mohoi të ketë pasur ndikim nga qeveria gjermane për të penguar drejtësinë, por së paku kaq sinqeritet tregoi kur tha: “Nga këndvështrimi i sotëm ndoshta është e habitshme që këto vrasje nuk kanë luajtur rol në politikën e brendshme që është dashur të luajnë”. Së fundi Klaus von Dohnanyi ka shkruar një libër. Kërkon që Europa të bëhet më autonome dhe SHBA-të i përshkruan si fuqi imperialiste. Njëkohësisht lavdëron hapat demokratikë të Rusisë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Një plak që rrëfen përralla. E keqja është se personalitete të tilla kanë ndikuar edhe në debatin publik në Gjermani.