Në jetë një këshillë e vyer është “kurrë mos thuaj kurrë”, por në rastin e çfarëdo ndryshimi të liberalizimi të vizave unë marr guximin të them: kurrë. E vetmja mundësi që kjo të ndryshojë është nëse nga sot deri më 1 janar 2024 të fillojë Lufta e Tretë Botërore. Përndryshe, e gjithë çfarë duhet të bëjë Kosova deri më 1 janar është të buzëqeshë dhe të bëhet gati për festën e bashkimit të vonuar me familjen e saj evropiane
Ditën e martë, derisa presidenti Macron ishte duke e thënë fjalinë e tij të famshme për pezullimin e liberalizimit të vizave, isha i zënë tërë ditën me takime. Dikur gjatë ditës telefoni u ndez flakë. Kisha bërë aq shumë baste me miq se nga 1 janari liberalizimi i vizave është çështje e kryer, saqë mosliberalizimi eventual më kërcënonte me bankrotim financiar. Reagimi im i parë ishte që duhet të jetë një keqkuptim. Ky reagim më vinte natyrshëm për katër arsye.
E para, kjo nuk është se si funksionon BE-ja. Nuk është BE-ja Ballkani që të zgjohet një ditë një lider nga gjumi e të përmbysë të gjitha qëndrimet politike të BE-së. BE-ja është qenie më demokratike në botë ku vendimet merren me konsensus dhe ku fjala sundimi i ligjit ka një kuptim. Si e tillë BE-ja vepron në një formë shumë të arsyeshme dhe të parashikueshme. Dhe kështu funksionon edhe Franca si vend anëtar i saj. Macroni asnjëherë nuk do të ndërmerrte një hap të tillë të befasishëm dhe joserioz, sepse thjesht gjërat nuk funksionojnë në këtë mënyrë. Nëse me të vërtetë Franca do të dëshironte pezullimin e liberalizimit të vizave për Kosovën, ajo do të realizonte qëllimin e saj në një formë shumë më gjentile, elegante dhe të parashikueshme. Ajo do të inicionte diskutime serioze private diplomatike për t’i bindur vendet anëtare të BE-së për nevojën e pezullimit të liberalizimit të vizave, në përputhje me legjislacionin evropian, dhe vetëm pasi që do të kishte siguruar mbështetje të nevojshme për një vendim të tillë do të kishte proceduar me hapat e komunikimit publik. E gjithë kjo nuk do të kishte zënë në befasi as Qeverinë e Kosovës, as qytetaret e saj. Me kohë do të ishin komunikuar mesazhet publike nga institucionet evropiane se pezullimi i liberalizimit të vizave është skenar serioz dhe me kohë qytetarët e Kosovës do të kishin kuptuar se gjëja më e paimagjinueshme edhe mund të ndodhë. Por deri më sot ne nuk kemi parë asnjë nga këto. Dhe kjo më sjell tek arsyeja e dytë.
Nuk kemi parë asnjë nga këto, sepse kjo është praktikisht e pamundur. E drejta e Kosovës për liberalizimin e vizave është e çimentuar, e garantuar dhe e mbrojtur me një ligj evropian. Ligj evropian, i cili bazohet në një nga traktatet më të rëndësishme të botës, dhe i cili është votuar nga 27 qeveri të vendeve anëtare të BE-së dhe 705 eurodeputetë të mbështetur nga shtatë grupe parlamentare evropiane. Rrjedhimisht, liberalizimi i vizave është çështje e mbyllur. Ajo më nuk është çështje e vendimit politik, por e drejtë juridike evropiane e cila nuk ndryshohet sipas tekeve të një apo dhjetë politikanëve evropianë. Me fjalë të tjera, sot Kosova mbrohet nga standarde më të larta evropiane sepse është bërë pjesë e trupit juridik evropian. Në një sens ajo është e barabartë me Francën. E vetmja mundësi që Kosovës t’i pezullohen vizat është nëse Kosova përmbush njërin nga katër kriteret specifike për pezullimin e liberalizimit të vizave të kodifikuara brenda nenit 8, paragrafi 2 të Rregullores 2018/1806 të BE-së. Pra, me fjalë të tjera, që Kosovës t’i pezullohen vizat duhet të jetë demonstrativisht e qartë se: (1) ka një rritje të konsiderueshme të migrimit të parregullt nga Kosova në BE; (2) ka një rritje të konsiderueshme të kërkesave për azil me shkallë të ulët të njohjes së drejtës së azilit; (3) ka mungesë të bashkëpunimit në ripranim; dhe (4) ka prezencë të rrezikut në rritje për sigurinë e shteteve anëtare, në veçanti për vepra të rënda penale që burojnë nga Kosova. Sot është demonstrativisht e qartë se Kosova nuk përmbush asnjërin nga këto katër kritere. Nga ana tjetër, edhe nëse ndonjëherë në të ardhmen e saj Kosova e gjen veten në një pozitë të tillë, kjo nuk do të komunikohet nga foltoret e konferencave të shtypit, por nga raportet institucionale të Komisionit Evropian, të cilat do të marrin muaj dhe vite kohë për t’u përgatitur.
Arsyeja e tretë e cila më bëri skeptik ndaj lajmit për pezullimin e liberalizimit të vizave është fakti se një hap i tillë është hap ekstrem i cili ndërmerret në raste tejet ekstreme. Në fakt, në gjithë historinë e liberalizimit të vizave të BE-së, ndonëse BE-ja ka liberalizuar vizat me 65 vende të botës, ajo ka pezulluar liberalizimin e vizave vetëm në një rast të vetëm: në rastin e Vanautusë. Nga 1 prill 2017, Republika e Vanautusë ishte përfituese e regjimit të lirë të vizave me BE-në. Ndërkohë, Qeveria e Vanautusë ka filluar programin e “pasaportave të arta”. Me pak fjalë, programi i hapte mundësinë shtetasve të vendeve të treta të cilat nuk kanë të drejtë të lëvizjes së lirë në BE të blejnë pasaportat e Vanautusë dhe të lëvizin lirshëm brenda Zonës Shengen. Me fjalë të tjera, ishte kontrabandë e organizuar shtetërore. Natyrshëm për BE-në kjo ishte çështje sigurie pasi që dobësonte kontrollin e saj mbi sigurinë publike dhe minonte regjimin e saj të vizave. BE-ja bëri përpjekje nga viti 2017 deri në vitin 2022 që t’i bindte autoritetet e Vanautusë të anulonin programin e saj të “pasaportave të arta”, por pa sukses. Eventualisht, pas më shumë se pesë vjetësh dialog BE-ja pezulloi liberalizimin e vizave për Vanautunë në nëntor të vitit 2022.
Nga historia e pezullimit të vetëm të liberalizimit të vizave në rastin e Vanautusë mësojmë tri gjëra. E para, pezullimi nuk mund të bëhet mbi teket politike, por argumentet thelbësore juridike. Në rastin e Vanautusë ishte demonstrativisht e qartë se programi i “pasaportave të arta” ishte kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë e BE-së dhe minonte regjimin e saj të vizave. Ajo i lejonte një shtetasi rus apo afganistanas që të blinte me pak para pasaportë Vanautuse dhe të lëvizte lirshëm në Zonën Shengen. E dyta, edhe kur u përmbushën kushtet për pezullimin e liberalizimit të vizave, përsëri ai nuk ishte thjesht një vendim politik i një njeriu, por procedurë e rregullt legjislative e BE-së e cila kërkonte ndërveprim në mes institucioneve ligjvënëse të BE-së, respektivisht Këshillit të BE-së, Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian, në përputhje me nenet 77, paragrafi 2, pika a, dhe 218, paragrafi 9 të Traktatit mbi Funksionimin e BE-së, si dhe nenit 8, paragrafi 2 të Rregullores 2018/1806 të BE-së. Dhe e fundit, ndonëse ishte shumë qartë se Vanautu ishte në shkelje të liberalizimit të vizave, BE-së iu deshën pesë vjet deri në vendimin përfundimtar për pezullimin e liberalizimit. Kjo është kështu, sepse, siç është nënvizuar më lart, në BE sundimi i ligjit me të vërtetë sundon dhe procedurat ligjore duhen respektuar sado monotone apo komplekse ato mund t’i duken dikujt. BE-së i është dashur kohë që të sigurohet se vendimmarrja e saj bazohet mbi faktet e pamohueshme empirike dhe jo diktat impulsiv politik. Po ashtu, siç u nënvizua, BE-ja vepron në një formë shumë të arsyeshme dhe të parashikueshme dhe në këtë drejtim BE-ja bëri çdo gjë në fuqi të saj për evitimin e pezullimit të vizave. Në fund, e mbështetur për muri BE-ja nuk kishte asnjë rrugëdalje tjetër përveç pezullimit të liberalizimit të vizave për shtetin e Vanautusë. Përveç në rastin e Vanautusë, BE-ja asnjëherë më nuk mori hapin e pezullimit të liberalizimit të vizave me ndonjë vend tjetër. Shqipëria dhe Serbia iu afruan këtij momentumi, por asnjëherë jo mjaftueshëm për të pezulluar liberalizimin e vizave. Serbia për arsye të migrimit të parregullt, Shqipëria për arsye të kriminalitetit në Holandë.
Dhe arsyeja e katërt dhe e fundit e cila më bëri skeptik ndaj lajmit për pezullimin e liberalizimit të vizave është se një hap i tillë do të ishte akt vetësabotues për BE-në. Duke e ndërmarrë një hap të tillë, BE-ja do të antagonizonte gjithë qytetarët e Kosovës dhe do të shkundte në themele besimin dhe kredibilitetin e BE-së në Kosovë. Një veprim i tillë nuk do të arrinte asnjë efekt politik të ndërlidhur me dialogun, dhe në fakt krejt e kundërta do ta minonte atë drejtpërdrejt.
“Don’t shoot the messenger" është një këshillë e vyer në jetë. Por nganjëherë në jetë lajmëtari është problemi. Kësisoj, të martën Kosova shijoi njërin nga tiparet kryesore politike të Macronit. E gjithë karriera politike e Macroni është një karrierë “outsider” politik; një tabuthyes i cili ka refuzuar të sillet si politikan tipik evropian, por ka përmbysur stereotipat politikë dhe mënyrën e komunikimit publik. Për disa kjo e bën Macronin avangardë të guximshëm politik, për disa aventurier joserioz egocentrik. Kësisoj, para pak kohësh ai mori vëmendjen globale me deklaratën e tij se “NATO-ja është e vdekur”. Kjo lloj sjelljeje publike e ka sjellë Macronin shpesh në konflikt me kancelarin Sholc, i cili është dishepull i traditës serioze, konsistente dhe monotone të politikës gjermane. Pra, çfarë dua të them është se kjo çfarë pamë këtë javë është përsëritje e kësaj sjelljeje jotipike politike të Macronit, ku ai i thotë gjërat të cilat janë jashtë kornizave politike të BE-së, vetëm sepse Macroni nuk mund të përmbahet nga të qenit Macron.
Nga ana tjetër mund vetëm të spekulojmë nëse ka diçka më shumë sesa vetëm Macroni, të qenit Macron mbrapa deklaratave të tij për pezullimin e liberalizimit të vizave. Momentalisht, siç u mundova të shpjegoja këtu, nuk ka asnjë tregues se ka një gjë të tillë. Kësisoj po e mbylli duke thyer edhe një këshillë të vyer në jetë. Në jetë shpesh thuhet “kurrë mos thuaj kurrë”, por në rastin e çfarëdo ndryshimi të liberalizimi të vizave para 1 janari 2024 unë marr guximin të them: kurrë. E vetmja mundësi që kjo të ndryshojë është nëse nga sot deri më 1 janar 2024 të fillojë Lufta e Tretë Botërore. Përndryshe, e gjithë çfarë duhet të bëjë Kosova deri më 1 janar është të buzëqeshë dhe të bëhet gati për festën e bashkimit të vonuar me familjen e saj evropiane.