Nëse nuk duket real opsioni sipas të cilit tash Lajçak dhe Borrell në vitin e fundit të mandatit do të mund të flasin për sukseset në dialog, atëherë a duhet pritur skenarin e dytë. E ai është që në vitin e fundit të mandatit të kërkohet një zgjidhje në momentin e fundit. Kjo duket e domosdoshme dhe mund të arrihet nëse ka vullnet politik dhe mbështetje nga qarqet kryesore, e ato janë Berlini, Parisi dhe Washingtoni. Akoma ka kohë që BE-ja ta shpëtojë atë që vetë e ka quajtur Marrëveshje. Prandaj fokusimi në shpëtimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit duhet të jetë synimi kryesor nga 1 shtatori e tutje i BE-së
Rrafsh edhe një vit ka mbetur deri te përfundimi i mandatit të të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak. Përafërsisht e njëjta kohë ka mbetur edhe deri te fundi i mandatit të përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, varësisht nga shpejtësia me të cilën vendet anëtare dhe partitë kryesore politike evropiane do të bien dakord pas zgjedhjeve të qershorit për ndarjen e posteve kryesore në BE. Vitet e fundit të mandateve në poste udhëheqëse në BE apo në misionet e posaçme siç është dialogu Kosovë-Serbi zakonisht mund të ketë dy pamje. E para, ajo më e dëshirueshme, do të ishte ajo e rekapitullimit dhe forcimit të sukseseve, sigurimin e rrethanave për qëndrueshmërinë e arritjeve dhe ndërtimin e një baze të fortë për ecjen përpara duke ndërtuar mbi ato arritje. E dyta, më pak e dëshirueshme është ajo e kërkimit të shpëtimit të procesit dhe një rezultati në momentin e fundit. Skenari i parë nuk ka ndodhur. Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur të kenë një “marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, në përputhje me standardet evropiane, e cila do t’i zgjidhte të gjitha mospajtimet e hapura mes tyre”, siç e përkufizonte BE-ja synimin në fillim të vitit 2020 kur dihej se Miroslav Lajçak do të jetë EUSR i parë i cili do të merrej 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, me punët e dialogut. Dhe kjo detyrë për Lajçakun ishte përmendur nga ata që ia dhanë mandatin, madje duke besuar me optimizëm të madh se ky synim do të arrihej “brenda disa muajsh e jo vitesh”. Kjo kohë e shkurtër që mendohej se do të mjaftonte për të arritur “marrëveshjen finale” arsyetohej me pohimet se “askush më nuk ka kohë për të humbur” dhe se “status quoja nuk është më e qëndrueshme”. Besimi në atë kohë ishte aq i madh, saqë në qarqet diplomatike pohohej se Serbia jo vetëm se do ta njohë Kosovën, por do të kërkohej edhe nga Rusia që të mos e pengojë anëtarësimin e saj në OKB.
Tash a ka pasur sukses apo jo pas më shumë se tre vjetësh dialogu prej kur timonin e mori Lajçaku varet nga besimi apo jo në atë që thuhet se është arritur si marrëveshje. Nëse besohet se ajo që BE-ja e quan marrëveshje vërtet ekziston, dhe se ajo i obligon palët, atëherë nuk mund të thuhet se ka pasur dështim. Sepse ka një tekst që thotë se palët do të duhej të ndërtonin raportet në bazë të trajtimit të barabartë, të respektojnë territorin e njëri-tjetrit, të vendosin raporte përmes misioneve të përhershme, të mos e pengojë Serbia anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare e shumë të tjera që, ndonëse nuk janë tërësisht në përputhje me synimet, megjithatë do të ishin një hap i madh afër tyre. Por BE-ja lejoi që Serbia të mos e nënshkruajë Marrëveshjen, lejoi që pa pasoja të mos e zbatojë atë, e toleron edhe talljen që asaj “marrëveshjeje” ia bën presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Të rikujtojmë vetëm thënien e tij se “ka pasur dhimbje në dorën e djathtë” prandaj nuk e ka nënshkruar. Ndërsa me ton më serioz Vuçiq, madje duke i pyetur disa ekspertë të drejtësisë se a është ashtu, ka thënë se ai nuk ka nënshkruar, as pranuar, e as miratuar asnjë marrëveshje që do ta obligonte në ndonjë mënyrë Serbinë as tash e as në të ardhmen. Ka thënë se ai vetëm “është pajtuar me një koncept për normalizimin e raporteve, nga i cili diçka do të zbatojë e diçka jo”. Ka shtuar se “BE-së i është thënë qartë se çka nuk do të zbatojmë”. Në pohimet e BE-së se marrëveshja pa dyshim ekziston dhe është ligjërisht obliguese, Vuçiq vetëm ka përsëritur se “ata mund të thonë çfarë të donë”. Jo rrallë i ka quajtur zyrtarët e BE-së dhe zyrtarët e tjerë ndërkombëtarë si “hipokritë” dhe “gënjeshtarë”. Tash është vështirë të thuhet se ekziston diçka për të cilën vetë njëra palë thotë se nuk ekziston. Së paku jo në formën që BE-ja pretendon. E çfarë thotë Vuçiq është më e rëndësishme për fatin e procesit sesa çfarë thonë Lajçak dhe Borrell. Sepse këta dy të fundit, siç edhe ndodh në organizatat që funksionojnë me profesionalizëm dhe parime demokratike, do të largohen e Vuçiq do të mbetet. E Vuçiq do të presë zyrtarë të tjerë me të cilët do të luajë lojën e tij, duke shtyrë aq sa mundet e aq sa do t’i lejohet arritjen e marrëveshjes finale me Kosovën, e cila, për këtë pajtohen pothuajse të gjithë në BE, duhet të nënkuptojë edhe njohjen e ndërsjellët.
Nëse nuk duket real opsioni sipas të cilit tash Lajçak dhe Borrell në vitin e fundit të mandatit do të mund të flasin për sukseset në dialog, atëherë a duhet pritur skenarin e dytë. E ai është që në vitin e fundit të mandatit të kërkohet një zgjidhje në momentin e fundit. Kjo duket e domosdoshme dhe mund të arrihet nëse ka vullnet politik dhe mbështetje nga qarqet kryesore, e ato janë Berlini, Parisi dhe Washingtoni. Akoma ka kohë që BE-ja ta shpëtojë atë që vetë e ka quajtur Marrëveshje. Prandaj fokusimi në shpëtimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit duhet të jetë synimi kryesorë nga 1 shtatori e tutje i BE-së.
Kërkimi i zgjidhjeve urgjente shpesh sjell edhe rreziqe. Kështu ishte në vitin e fundit të mandatit të Federika Mogherinit, kur ishte krijuar një mbështetje bajagi e madhe për opsionin e ndarjes së Kosovës, apo siç u quajt “shkëmbim territoresh”. Falë opinionit në Kosovë, e besa edhe në Serbi, shqetësimit në rajon dhe kundërshtimit të Gjermanisë dhe Britanisë, ky opsion u parandalua. Në BE në atë kohë ishte krijuar një mbështetje shumë e madhe për këtë opsion, duke dëshmuar mungesë kolosale të BE-së për pasojat në të ardhmen dhe njohurive për të kaluarën e rajonit. Lajçak në atë kohë doli kundër ideve të tilla. Me këtë fitoi edhe mbështetjen e madhe të Gjermanisë për këtë post që ka sot. Gjermania dukej gjithnjë e më e izoluar në kundërshtimin e prerë të këtij opsioni të rrezikshëm, johuman dhe tërësisht në kundërshtim me parimet evropiane. Gjermania mbështeti aq fuqishëm Lajçakun, saqë kur në Kosovë u shfaqën dyshimet ndaj ish-ministrit sllovak, ambasadori gjerman në Prishtinë i doli në mbrojtje duke thënë se “kush është kundër Lajçakut është kundër Gjermanisë”. Edhe kryeministri Kurti i doli në mbrojtje Lajçakut duke kërkuar që ai të mos paragjykohej në bazë të qëndrimit të vendit nga vjen.
këtë pikë Lajçak ka luajtur një rol pozitiv dhe ka qenë konsistent, duke dalë në fillim të mandatit edhe kundër shefit të tij. Josep Borrell në fillim të mandatit nuk e kishte kundërshtuar idenë për shkëmbim territoresh. Në arkiva gjejmë deklaratat e tij se, nëse palët pajtohen, nuk duhet kundërshtuar atë opsion, sepse, siç ishte shprehur ai, “nuk mund të jemi më katolikë sesa Papa”. Tash në fund të mandatit të Borrellit dhe Lajçakut nuk duhet kërkuar opsione të reja, që mund të jenë edhe të rrezikshme. Së paku Lajçak disa herë ka thënë se “pak a shumë të gjithë e kanë të qartë se cila është zgjidhja”. Pra, në vend të eksperimenteve duhet pasur seriozitet dhe vendosmëri për arritjen e zgjidhjes.
Secilin vit në fund të gushtit dhe fillim të shtatorit flitet për „kohën e duhur“ për rezultate konkrete në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Një shikim në tekstet e para një viti, dy vjetëve, apo shtatë vjetëve, tregon se sa herë është përmendur termi „pa vonesa“, „menjëherë“, „urgjentisht“ dhe „pa kushte“ kur zyrtarë të BE-së dhe SHBA-së kanë kërkuar implementimin e marrëveshjeve, arritjen e marrëveshjeve, ndaljen e retorikës nxitëse apo uljen e tensioneve. Të gjitha këto fjalë kanë humbur kuptimin në më shumë se 11 vjet dialog. E kryelehtësuesi i dialogut, Miroslav Lajçak, vazhdon në rrjete sociale të njoftojë për takimet që ka ku flitet për „rrugën përpara në dialog“. Një vit para fundit të mandatit do të duhej të flitej për përmbylljen e suksesshme të dialogut e jo më për „kërkimin e rrugës përpara“. E situata në terren nuk është premtuese, ajo është më shumë kaotike sesa më parë, ndërsa retorika politike nuk lë përshtypjen se jemi afër ndonjë normalizimi të raporteve. Por le të besojmë se BE-ja dhe SHBA-ja që në rastin e dialogut e mbështesin fuqishëm Brukselin, të na befasojnë këtë vjeshtë me ndonjë kthesë pozitive.