Vetëm po ta imagjinonim që t’i kishim bile dy miliardë të këtyre parave në qarkullim në vend, me prodhim vendor, pa pasur nevojë për importe të ama bash gjithçkaje, sa më mirë do t’i kishim punët. Por jo, nuk i kemi, ashtu siç nuk i kemi të gjithë ata miliona “të kursyer” që qeveria i mban në thesar. Përvoja e mbajtjes së parave në bankë, pa i investuar kund, tregon se ato vetëm e humbin vlerën, sepse inflacioni i ha
Zgjedhjet komunale u mbajtën të dielën e shkuar. E gjitha kaloi pa incidente, pa shumë akuza për vjedhje votash, apo mashtrime gjatë ditës zgjedhore. Në mbrëmje dolën “exit pollet” dhe për herë të parë, thuajse të orkestruar, dolën gjithandej me margjinë gabimi tepër të madhe. Psenë mbase do ta marrim vesh ndonjë ditë.
Rezultatet u numëruan relativisht shpejt nëpër vendvotime, dhe kësaj radhe KQZ-ja ishte siguruar që ueb faqja të mund ta duronte “invadimin” e qytetarëve të interesuar për të parë se cilat do të ishin rezultatet. Platforma elektronike qëndroi stoike dhe vazhdon të funksionojë duke bërë përditësim të rregullt të rezultateve që po numërohen në QNR. Për më tepër, duket se qysh sot do të përfundojë numërimi i votave të hedhura nëpër komuna dhe se menjëherë do të niset me numërimin e votave me kusht, si dhe ato të ardhura nga diaspora.
Votat e diasporës do të mund të ndryshonin, eventualisht, rezultatin në ato komuna ku diferenca është shumë e vogël mes kandidatësh, apo aty ku i pari nuk e tejkalon 50 përqindëshin për shumë pak.
Sido që të jetë, këto zgjedhje dhe rezultatet e kanë qitë në hije krejtësisht çështjen e formimit të qeverisë, pasi që Osmani e mandatoi Kurtin për ta formuar atë bash një ditë para zgjedhjeve.
* * *
I pyetur për formimin e qeverisë, Kurti deklaroi se ishin të zënë duke bërë analiza të rezultateve të zgjedhjeve dhe duke menduar se si do t’ia bënin për balotazhin. Indiferencë kjo që duket se përçon porosi se nuk ka interesim për një qeveri të re dhe se synimi, në fakt, është të kemi edhe një palë zgjedhje të përgjithshme, por me fushatë dhjetëditore.
Idesë së zgjedhjeve të parakohshme iu bashkua edhe Memli Krasniqi, i cili shprehu bindjen se Kurti nuk do t’i ketë numrat për ta krijuar qeverinë. Shtoi se votat nuk do të ishin as në tentativën e dytë, që në teori do të mund t’i jepej si mundësi një partie tjetër që nuk është VV-ja.
Partitë e tjera nuk u deklaruan për temën. Tashmë dihet se LDK-ja ka refuzuar çfarëdo marrëveshje koalicioni me VV-në, kurse ideja e një qeverie gjithëpërfshirëse i është refuzuar prej kohësh nga të gjithë. Ata që kanë më së shumti për të humbur po qe se duhet shkuar në zgjedhje të reja, AAK-ja, nuk e kanë bërë publik qëndrimin e tyre. NISMA nuk i përjashton bisedimet, madje edhe marrëveshjen, por ka vënë kusht: postin e kryeparlamentarit për Limajn.
* * *
Nuk duhet befasuar që seanca e Parlamentit, ku do të votohet ose jo qeveria e radhës, të mbahet më 26 tetor, pra ditën e fundit brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutën, që i bie ditë e diel. Kjo, për shkak se partitë që kanë hyrë në balotazh me kandidatët e tyre, do ta shfrytëzojnë javën e mbetur për allishverishe – për marrëveshje ku dikush duhet të lëshojë pé diku për të fituar diku tjetër. Natyrisht varet se sa i madh është basti.
Rezultatet e zgjedhjeve komunale treguan për rritjen e VV-së në to, në dy aspekte: në numrin e përgjithshëm të votave të mbledhura për kryetarë komunash, dhe për numrin e komunave ku kandidatët e tyre shkojnë në balotazh (12 sipas rezultateve preliminare, pa votat e diasporës).
LDK-ja shënoi rikthim në Prishtinë, sidomos në Kuvendin Komunal, ku fitues moral doli PDK-ja me rritje substanciale si te votat për kryetarin, ashtu edhe për Kuvendin Komunal, duke e tejkaluar VV-në. LDK-ja u vetëshpall fituese sa u përket votave për kuvende komunale, porse me mandate, e para mbetet PDK-ja, e cila e ka regjistruar edhe fitoren më të lartë në Skenderaj (80% e më tepër të votave).
Sidoqoftë, humbjen më të madhe e pësoi pikërisht PDK-ja në dikur bastionin e vet: Drenas. Jo vetëm që Ramiz Lladrovci (i përjashtuar nga PDK-ja për të garuar si kandidat i saj) fitoi si kandidat i pavarur, por edhe grupi i mbledhur rreth tij brenda një subjekti që s’është subjekt klasik politik, e fitoi shumicën absolute në Kuvendin Komunal (sipas rezultateve preliminare).
Se çfarë do të ndodhë tutje mes Lladrovcit dhe ish-partisë së tij, të cilën ky e konsideron të veten, mbetet të shihet në vijim. Nuk do të duhej përjashtuar ndonjë pleqnim a ndërmjetësim që gjërat të fashiten aty.
* * *
Ndërmjet pauzave të fushatës e numërimit të votave u luajtën dy ndeshje të vlefshme për kualifikim në Botërorin 2026. Njëra u luajt në Leskovc midis Serbisë dhe Shqipërisë. Fitorja e Shqipërisë u festua në Prishtinë sikur të ishte dita e Pavarësisë – moti nuk kisha parë aq shumë njerëz të mbledhur nëpër tarracat e kafehaneve të Prishtinës e që më pas u derdhën rrugëve për ta kremtuar fitoren e shumëdëshiruar.
Festa vazhdoi deri vonë natën dhe duket se ky elan i mbajti njerëzit edhe të nesërmen, kur dolën për të votuar. Edhe pse statistikisht dilte se më pak se gjysma e votuesve kishin dalë të votonin, megjithatë numri qe shumë më i madh në përqindje se kaq: Kosova zyrtarisht ka 1.7 milionë banorë (e mbi 2 milionë votues), kurse të drejtën e votës e shfrytëzuan gati 812 mijë veta.
Nejse, të hënën, menjëherë pas zgjedhjeve, në Goteborg të Suedisë u luajt ndeshja mes nikoqirëve dhe Kosovës. Prej zhurmës që vinte nga stadiumi, kishe përshtypjen se ndeshja po luhej në “Fadil Vokrri”. Të mbledhurit atje, euforikë, e kremtuan fitoren historike të Kosovës – të dytën me radhë kundër Suedisë në këtë turne. Një fitore tepër e rëndësishme që mund t’i japë Kosovës shansin për “balotazh” (për të mos thënë “play-off”) dhe kualifikimin eventual në botëror.
Festa në Prishtinë të hënën qe shumë më e zbehtë sesa ajo e së shtunës mbrëma. Nuk pati ngjitje nëpër semaforë e as ngarendje me vetura lart e poshtë. Gjë që tregonte shumë: ndeshja Serbi-Shqipëri u përjetua si fitore e një beteje tepër të rëndësishme ndaj një kundërshtari me fytyrë armiku. Nuk e di nëse tregon edhe për ndonjë ndjenje tjetër me aspirata gjeografike e unifikuese kombëtare. Por pa dyshim qenë dy momente shumë të gëzueshme që na e mbajtën moralin lart bile disa ditë gjallë, në amullinë në të cilën jemi duke jetuar.
* * *
Dhe derisa jemi në pritje të zbërthimit të lëmshit zgjedhor e parlamentar/qeveritar, dëgjojmë nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar se cilat janë parashikimet ekonomike për Kosovën.
Përderisa Banka Botërore parashikon që rritja ekonomike në Kosovë këtë vit do të jetë 3.8%, Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se ajo do të jetë 3.9%, porse që edhe do të ketë ngritje të inflacionit, që do ta bëjë jetën në Kosovë edhe më të vështirë.
Por ajo që është e ditur prej kohësh, dhe që ekonomistët (që merren me ekonomi e jo me Kushtetutë) e thonë, është se për të pasur rritje të mirëqenies së qytetarëve, rritja ekonomike në Kosovë duhet të jetë dyshifrore.
E rritje dyshifrore nuk mund të ketë përderisa ekonomia është në bllokadë dhe në kushtet kur deficiti tregtar është më i larti në historinë e re të Kosovës: në shtator, Kosova kishte importuar mallra në vlerë prej 5 miliardë e 66 milionë eurosh, ndërkohë që kishte eksportuar mallra në vlerë prej 630 milionë eurosh.
Vetëm po ta imagjinonim që t’i kishim bile dy miliardë të këtyre parave në qarkullim në vend, me prodhim vendor, pa pasur nevojë për importe të ama bash gjithçkaje, sa më mirë do t’i kishim punët. Por jo, nuk i kemi, ashtu siç nuk i kemi të gjithë ata miliona “të kursyer” që qeveria i mban në thesar. Përvoja e mbajtjes së parave në bankë, pa i investuar kund, tregon se ato vetëm e humbin vlerën, sepse inflacioni i ha.
* * *
Se a ka nevojë Kosova për stabilitet politik, konsolidim të pushteteve lokale, si dhe krijimin e një qeverie stabile dhe të përgjegjshme – nuk ka dilemë. Ka, për shkak se stabiliteti politik e sjell atë ekonomik.
Por, nëse dita shihet që nga mëngjesi, zor se do të kemi qeveri qendrore në vend, para fillimit të vitit të ardhshëm. Kjo, me kusht që kryetarët e partive të deklaratave absolutiste nuk i hanë fjalët e tyre.