Fërkimin e tanishëm në rrugët e Serbisë e shoh si fërkim mes konceptit të kontinuitetit dhe të tranzicionit. Në mungesë të arritjes së një konsensusi mes pushtetit dhe revoltës qytetare duket sikur do të ketë gjithnjë më shumë njerëz në rrugë dhe besim të tyre se rruga në fund do ta zgjidhë fatin e politikës në Serbi.
1.
Të sqaroj që në fillim, zotëri ambasador, një keqkuptim tuajin, i cili është një lloj premise e përgjithshme e një pjese të konsiderueshme të mendimit politik të vendit tuaj të mbajtur për një kohë të gjatë, mbi një shekull. Përpjekja për pavarësi të Kosovës dhe arritja e pavarësisë së Kosovës nuk janë bërë për të dëmtuar popullin serb, por për të mbrojtur interesin e qytetarëve të Kosovës, në fund për ta mbrojtur edhe ekzistencën fizike të tyre. Lëvizja për pavarësi ka qenë e ndërtuar po ashtu si lëvizje për demokraci e integrim në botën euroatlantike dhe ne që kemi marrë pjesë në të, si zëra më të artikuluar prej shembjes së Murit të Berlinit e deri më sot, kemi vënë në spikamë se duam të jetojmë në paqe e bashkëpunim me popujt e tjerë. Adem Demaçi, të cilin e përmendni, e i cili është demonizuar përgjatë dhjetëvjetëshve në qarqet nacionaliste serbe, në deklaratat e para pas daljes nga viti i 26-të i burgimit është shprehur se nuk ekziston armiqësi e nuk duhet të ekzistojë armiqësi me popullin serb. Pjesë e rëndësishme e qëndrimit tonë ndaj komuniteteve joshumicë në vendin tonë shihet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, njërit prej dokumenteve më të avancuara juridike për mbrojtjen e pakicave në Evropë.
Keqkuptimi i parë në premisë çon te keqkuptimi i dytë, ai se veprimet tona në Kosovë janë të drejtuara drejt dëmtimit të Serbisë, një lloj ekuacioni që thotë se sa më keq të jenë gjërat në Serbi, aq më mirë për Kosovën. Po jua ndihmoj heqjen edhe të këtij keqkuptimi: unë besoj se interesi strategjik i Kosovës është një Serbi demokratike, e avancuar, evropiane; një Serbi që është në paqe me veten e me ne të tjerët, shtetet fqinje.
Kjo nuk është vetëm shprehje e empatisë njerëzore, por edhe mësim i ndërtuar nga përvoja jetësore. Serbia jodemokratike e në delirium nacionalizmi u ka sjellë vite të vështira popujve fqinjë gjatë shekullit XX. Në Kosovë këtë e përjetuam pothuajse gjatë tërë shekullit XX dhe vazhdimin e luftërave të papërfunduara me forma të tjera në shekullin XXI, përfshirë përpjekjen për kryengritje të armatosur në Banjskë më 2023.
Pra, shikuar kështu, është në interesin tonë në Kosovë që shteti juaj të jetë ndryshe prej ç’është e ç’ka qenë, që të jetë demokratik.
2.
Në shkrimin tim të mëparshëm tërhoqa dy vërejtje që mendoj se janë sfida në rrugën për demokraci.
E para është ligjërimi i luftërave të papërfunduara të ish-Jugosllavisë. Të rinjtë e sotëm në Serbi janë rritur në një ambient toksik ku vendin parësor të ligjërimit nuk e zënë vlerat evropiane, por vazhdimi i luftërave të papërfunduara me mjete të tjera - në Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Kroaci e së fundmi edhe Mal të Zi. Ky është pak a shumë ligjërim tashmë konsensual në shoqërinë tuaj me një pakicë të spikatur dhe të dinjitetshme e të distancuar, që gjithnjë ka mbajtur si parësor interesin e Serbisë evropiane.
Sfida e dytë është polarizimi i skajshëm i shoqërisë që po ashtu përdor gjuhën e luftërave të papërfunduara (si p.sh. “ustashë”), një gjuhë që është parapërgatitje arsyetimi për përdorimin e dhunës në nivel më të lartë se deri më tani.
Këto sfida po jetojnë në një kontekst në të cilin është duke munguar identifikimi i konceptit parësor të zgjidhjes së krizës politike në vend, pra a do të mund të zgjidhet kjo krizë me mjetet e rëndomta (të lodhjes së protestuesve, zgjedhje parlamentare duke u mbështetur në precedentët e së kaluarës) apo ka nevojë për instrumente të tranzicionit sistemor, prej autokracisë në demokraci parlamentare.
Fërkimin e tanishëm në rrugët e Serbisë e shoh si fërkim mes konceptit të kontinuitetit dhe atij të tranzicionit. Në mungesë të arritjes së një konsensusi mes pushtetit dhe revoltës qytetare, duket sikur do të ketë gjithnjë më shumë njerëz në rrugë dhe besim të tyre se rruga në fund do të zgjidhë fatin e politikës në Serbi.
Po e përsëris pra edhe një herë atë që shkrova në shkrimin e mëparshëm. Serbia nuk ka dashur apo nuk ka ditur si të ballafaqohet me të kaluarën e luftërave të ish-Jugosllavisë, sot nuk po di si të ballafaqohet me të tashmen.
Do të dëshiroja që shteti juaj të gjejë rrugën demokratike të ballafaqimit me të tashmen dhe që kjo rrugë të shpjerë te Serbia demokratike, evropiane. Por, sado që kjo të jetë në interes të Kosovës dhe të fqinjëve të tjerë, këtë nuk besoj se mund, e as që duhet ta bëjë dikush tjetër pos qytetarëve të Serbisë.
3.
Kam parë te lëvizja studentore në Serbi - te kreativiteti i saj, forca e protestës së padhunshme - ato që i kishim në Kosovë me lëvizjen paqësore më 1989 e 1990 në Kosovë. Di mirë se si ndihen studentët, kam qenë njëri prej organizatorëve në atë kohë e në kushte shumë më të vështira, kur policia përdorte armë zjarri.
Analogjitë zakonisht çalojnë dhe kjo është e vërtetë edhe në këtë rast. Por më duket me rëndësi të nxjerr dy mësime. I pari është se sado kreativ të jesh si protestues i padhunshëm, pushteti që nuk ka kufizim ligjor a moral do të përdorë gjithnjë e më shumë dhunë. I dyti është se protesta është akt çlirimi prej frike dhe kjo është me rëndësi për një popull të shtypur a frikësuar, por kjo jo domosdoshmërisht do të thotë se ai popull e ka gjetur lirinë; liria do institucione që e sigurojnë, që e mbrojnë, që e zhvillojnë.
Mendoj se revolta qytetare në Serbi gjendet përballë këtyre dy mësimeve. Dhe nuk janë mësime kosovare; më herët me to u ballafaquan polakët e lëvizjes Solidarnoshç.
Në fakt, e me mundësi të madhe gabimi ngase po i vështroj zhvillimet në vendin tuaj nga larg, ndonjëherë më duket sikur kriza që po kalon vendi juaj është ajo e rrëzimit të Murit të Berlinit, 30 e kusur vjet më vonë. Për rininë që ka dhjetë muaj që del në rrugë kjo është një barrë edhe më e madhe, të kërkesave për diçka që duhej të ishte zgjidhur nga prindërit e tyre shumë më herët; një rini e rritur me rrëfime të luftërave që nuk po përfundojnë.
4.
Nuk di çfarë do të jenë zhvillimet në vendin tuaj, por di një gjë, demokracia nuk është e pashmangshme. Pra, fakti se ka pasur dhe do të ketë protesta, fakti se tashmë mbi gjysma e qytetarëve përkrahin lëvizjen studentore nuk do të thotë se fundi i kësaj krize do të prodhojë një Serbi demokratike. Gravitacioni autoritar (i ndërlidhur me nacionalizëm) është tradicionalisht më i fortë dhe nuk do elaborim të madh teorik për këtë, mjafton të shikohet se si e filloi Serbia këtë shekull (në tetor 2000) e ku ka arritur tani.
Pranoni urimet më të mira për ju dhe vendin tuaj. Shpresoj që Serbia më në fund të ballafaqohet me të tashmen e të dalë me paqe e konsensus demokratik për një shtet që do të jetë fqinji ynë evropian.