Ndryshimi i sistemit zgjedhor me aplikimin e njërit prej sistemeve zgjedhore të shumicës, do ta vendoste qytetarin në qendër të vendimmarrjes, duke u dhënë atyre më shumë pushtet mbi sjelljen e partive politike e jo anasjelltas, siç e kemi rastin sot, kur liderët partiakë kanë pushtet mbi sjelljen e qytetarëve
Përveç se është tregues i kulturës politike, në të cilën kompromisi është fjalë e panjohur, të paktën për njërin prej subjekteve politike që doli i pari në zgjedhjet e fundit parlamentare, ngërçi i tejzgjatur politik që ende nuk ka përfunduar pa u zgjedhur edhe qeveria, tregon për mangësinë e sistemit zgjedhor proporcional. Ky sistem, i cili është vendosur më 2001 nga UNMIK-u, vazhdon të jetë në fuqi, edhe pse gjatë periudhës së pas pavarësisë i ka sjellë Kosovës jostabilitet politik. Rezultati zgjedhor i 2021-tës, në të cilin LVV-ja pati fituar 50% të votave, është përjashtim nga rregulli i proporcionalit, në të cilin asnjëra nga partitë politike nuk mund ta krijojë e vetme qeverinë. E në konstelacionin aktual të forcave politike, kur polarizimi është i skajshëm, vështirë se mund të pritet një bashkëpunim ndërmjet forcave politike për të bashkëqeverisur në nivel qendror. Pazaret që aktualisht janë në proces e sipër në nivelin lokal dallojnë shumë nga ajo se çka ndodh në nivelin qendror. Dy forca politike të papajtueshme në nivelin qendror mund edhe të gjejnë gjuhë të përbashkët në ndonjë komunë në nivelin lokal. Prandaj, kjo kolumne do të merret me atë se çfarë sistemi zgjedhor i nevojitet Kosovës për nivelin qendror, për t’i shmangur bllokadat institucionale dhe për të pasur procese politike që sigurojnë legjitimitetin qeverisës.
Pyetja e parë që duhet të shtrohet në diskutimet për ndryshimin eventual të sistemit zgjedhor është se a preferojnë qytetarët të votojnë për partitë apo drejtpërdrejt për kandidatët e tyre. Përderisa në sistemin zgjedhor proporcional, në të cilin votuesit mund të votojnë edhe për dhjetë kandidatët e preferuar nga lista që ofrojnë partitë politike, shumë nga kandidatët e zgjedhur nuk i plotësojnë as konditat minimale për të qenë deputetë. Një numri të madh të tyre u mungojnë integriteti dhe njohuritë bazike për politikën, qeverisjen dhe parlamentarizmin. Kur është vendosur sistemi i listave të hapura në zgjedhjet e vitit 2007, është shpresuar se me hapjen e tyre, ndikimi i liderëve partiakë në renditjen e kandidatëve do të zvogëlohet dhe rrjedhimisht të zgjidhen kandidatët më popullorë. Mirëpo, kjo ide, sado që e ka pasur qëllimin e mirë, nuk ka arritur të prodhojë parlamente më të mira sesa ato që i kemi pasur pas zgjedhjeve të 2001-tës dhe 2004-tës. Përkundrazi, edhe pse të zgjedhur me listë të mbyllur, deputetët e dy legjislaturave të para të Kuvendit kanë qenë me më shumë integritet dhe më cilësorë sesa përbërjet në legjislaturat e pas pavarësisë. Pra, hapja e listave nuk e ka arritur qëllimin e synuar.
Po ta shikosh përbërjen e grupeve parlamentare dhe mënyrën sesi votojnë deputetët shihet se disiplina partiake e mbizotëron sjelljen parlamentare të deputetëve. Ata janë më shumë pjesë e ingranazhit të votimit partiak sesa përfaqësues të qytetarëve që i kanë zgjedhur, sipas parimit të listave të hapura.
Për këtë arsye, mendoj se është i domosdoshëm një diskutim serioz në nivelin institucional dhe shoqëror e në të cilin do të shtroheshin një sërë pyetjesh, nisur nga ajo se në kontekstin e kulturës ekzistuese politike a është proporcionali sistem i duhur zgjedhor për Kosovën dhe a duhet të rritet llogaridhënia e deputetëve para qytetarëve?
Sipas asaj që e thashë më lart, mendoj se Kosovës i nevojitet një ndryshim rrënjësor i sistemit zgjedhor, edhe për ta rritur llogaridhënien e deputetëve para qytetarëve, e edhe për të pasur deputetë më cilësorë.
Në mesin e shumë sistemeve që aplikohen në botë, mendoj se janë dy që do t’i përshtateshin më së shumti Kosovës. I pari do të ishte sistemi i shumicës relative (First Part the Post-FPTP), i cili aplikohet në Mbretërinë e Bashkuar, në SHBA dhe në disa vende të tjera. Në bazë të këtij sistemi, Kosova do të organizohej në 120 zona zgjedhore, secila prej të cilave do ta zgjidhte nga një deputet që ka marrë më së shumti vota nga elektorati i zonës zgjedhore, pa raund të dytë zgjedhjesh. Çështja e mandateve të garantuara për pakicat do të mund të zgjidhej duke formuar zona zgjedhore në komunat me shumicë serbe dhe në zona të posaçme zgjedhore në mjediset ku jetojnë komunitete të tjera joshumicë dhe në këtë mënyrë të garantohet përfaqësimi i komuniteteve joshumicë. Këto komunitete do të mund të përfaqësoheshin edhe me një detyrim ligjor për partitë politike që në mesin e kandidatëve një përqindje të caktuar ta kenë nga pjesëtarët e komuniteteve joshumicë. Kjo sepse, efekti i sistemit të shumicës relative është që shuhen partitë e vogla si dhe ato që nuk kanë mbështetje të koncentruar gjeografike.
Sistemi tjetër, i cili mendoj se do t’i përshtatej Kosovës, është Vota Alternative. Është ky një sistem zgjedhor i shumicës por më i komplikuar se sistemi i shumicës relative, e që aplikohet në Australi për zgjedhjet parlamentare dhe në Irlandë për zgjedhjet presidenciale. Sipas këtij sistemi, vendi po ashtu do të ndahej në zona zgjedhore, por në të cilat votuesit do të ishin të obliguar që, sipas preferencës së tyre, ta rendisin secilin kandidat që ndodhet në listën zgjedhore. Pra, votuesi është i obliguar që të votojë për të gjithë kandidatët, por duke i renditur ata sipas preferencave: i pari, i dyti, i treti, e kështu me radhë. Në këtë mënyrë, nëse një kandidat/e është preferenca e parë për shumicën e votuesve, ai/ajo zgjidhet. Nëse asnjëri nga kandidatët nuk është preferencë e parë për shumicën, eliminohen kandidatët me më së paku preferenca, duke u aplikuar po aq runde të numërimit sa ka kandidatë, derisa të arrihet te kandidati me më së shumti preferenca të para. Ky sistem zgjedhor është më i komplikuar por, sikurse sistemi i shumicës relative, e siguron lidhjen e drejtpërdrejtë të deputetëve me votuesit. Për dallim nga sistemi i shumicës relative, në të cilin mund të zgjidhet edhe kandidati kundër të cilit është shumica e zgjedhësve, sistemi i Votës Alternative, si preferencial i shumicës, siguron që të zgjidhen kandidatët që e kanë mbështetjen e një shumice më të madhe të zgjedhësve.
Pse ka nevojë Kosova për një sistem zgjedhor ndryshe?
Në kohën kur në politikën botërore kanë filluar të mbizotërojnë liderët popullistë me tendenca autoritare, kthimi kah kandidatët individualë dhe parcializimi i zgjedhjeve nëpër zona zgjedhore jo vetëm që do të siguronte më shumë llogaridhënie të deputetëve para zgjedhësve dhe mundësi për ndëshkimin e deputetëve të dobët, e të cilët sot janë të shumtë, por edhe do të ishte shmangie ndaj politikës populliste, ku partia e fiton votën proporcionale në emër të liderit. Po ta bëjmë kontekstualizimin e kësaj vote i bie që qytetari, kur voton për dhjetë kandidatët e partisë së preferuar, e ka në mendje liderin partiak e jo kandidatët që do ta përfaqësojnë në parlament, sepse zgjedhësit nuk e kanë mundësinë të kërkojnë llogari nga deputetët që i kanë votuar. Prandaj, ndryshimi i sistemit zgjedhor me aplikimin e njërit prej sistemeve zgjedhore të shumicës, do ta vendoste qytetarin në qendër të vendimmarrjes, duke u dhënë atyre më shumë pushtet mbi sjelljen e partive politike e jo anasjelltas, siç e kemi rastin sot, kur liderët partiakë kanë pushtet mbi sjelljen e qytetarëve.