Në librin e tij gjeneral Rahim Ademi tregon se në fillim të viteve ‘70 udhëheqësit komunistë të Kosovës insistonin që sa më shumë të rinj shqiptarë të motivohen për të ndjekur mësimet në shkolla e akademi ushtarake. Kështu edhe Rahim Ademi nga Komuna e Vushtrrisë vendosi të regjistrohej në Akademinë Ushtarake të Këmbësorisë në Beograd. Çfarë pasoi në vitet në vijim ishte një ferr: Shërbimi sekret ushtarak u përpoq që oficerin e shkëlqyer nga Kosova ta etiketonte si armik të shtetit dhe ta dënonte me burg
Shërbimin e kundërzbulimit ushtarak, KOS-in famëkeq të armatës jugosllave, gjenerali Rahim Ademi në librin e tij “Samo istina” (Vetëm e vërteta), e krahason me mafinë siciliane dhe kalabreze. Përvoja e tij me këtë shërbim është ndër më të vështirat në karrierën e tij ushtarake. Por për këtë pak më vonë në këtë tekst.
Rahim Ademi u lind më 30 janar 1954 në fshatin Karaçë të Komunës së Vushtrrisë. Më 1972 ai përfundoi gjimnazin në Vushtrri. Në atë kohë, shkruan Ademi në librin e tij, politika në Kosovë, pra udhëheqësit komunistë shqiptarë, insistonin që në Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ) të ketë sa më shumë shqiptarë, andaj punohej në mënyrë intensive për t’i motivuar të rinjtë shqiptarë nga Kosova që të shkojnë në shërbimin ushtarak. Për këtë arsye shumë shqiptarë shkuan për t’u shkolluar në shkollat e mesme dhe në akademitë ushtarake. “Kështu edhe unë më 1972 u regjistrova në Akademinë Ushtarake të këmbësorisë në Beograd, drejtimi i artilerisë, ndërsa vitin e fundit e kalova në specializim në Zarë. Pas specializimit u ktheva në Beograd dhe më 1976 diplomova, përkatësisht përfundova Akademinë Ushtarake të këmbësorisë”, shkruan Ademi për fillimet e karrierës së tij ushtarake.
Në një gjeneratë me Ademin ishin edhe Veselin Shlivançanini, oficer i armatës jugosllave, i dënuar më vonë nga Tribunali i Hagës për krime të luftës në qytetin kroat të Vukovarit. Gjatë shërbimit në Rogoznicë, në bregdetin e Adriatikut, Ademi më 1977 njoftoi gruan e tij të ardhshme, kroaten Anita. Në moshën 25-vjeçare Ademi mori gradën kapiten dhe kështu u bë kapiteni më i ri në armatën jugosllave. Mes viteve 1982-86 shërbeu në Shibenik si kryeshef për siguri në nivel të brigadës, më fjalë të tjera ishte pjesë e KOS-it, shërbimit për kundërzbulim të armatës. Këtë periudhë Ademi e përshkruan si shumë delikate. Më 1981 forcat jugosllave shtypën demonstratat në Kosovë, ndërsa gjeneralmajori i APJ-së, Andrija Siliq, një kroat që drejtonte komandën e ushtrisë në Nish, tha se “këtu në Kosovë po mbrohet Jugosllavia”. Ademi përkujton vrasjet dhe terrorin jugosllav përballë deklaratës cinike të gjeneralit Siliq.
Meqë në njërën nga brigadat e APJ-së në Shibenik kishte shumë shqiptarë, Rahim Ademi u ngarkua që “të mbulojë” sa më shumë ushtarë shqiptarë. Në atë kohë, shkruan Ademi, në kuadër të armatës zhvillohej operacioni i quajtur “Horizont”, i cili kishte për qëllim spiunimin e ushtarëve dhe oficerëve shqiptarë, si dhe denoncimin e tyre si armiq të Jugosllavisë dhe dënimin me burg. Rahim Ademi tregon se nuk pranoi të bëhet pjesë e lojërave të pista të KOS-it dhe për shkak të kundërshtimeve të tij u ballafaqua me kapitenin Lubisha Beara. Ky emër do të bëhej i njohur për mizori gjatë luftës në Bosnjë: Beara, një oficer serbomadh, u dënua nga Tribunali i Hagës për krime të luftës dhe vdiq më 2017 në burg në Berlin. Beara i bënte presion Ademit të tregojë se cilët ushtarë shqiptarë ishin armiq të Jugosllavisë. “Vendosa që më me dëshirë të shkoj në burg sesa të jem tradhtar i popullit tim”, shkruan Ademi. Për shkak të qëndrimeve të pakompromis kundër rrjeteve kriminale-agjenturore Ademi u mor në pyetje. Të ashtuquajturat “biseda informative” ishin, në fakt, maltretim psikik për ta thyer Ademin. Nuk arritën ta bëjnë këtë.
Ademi tregon se qëllimi i KOS-it me gjasë ishte që ai, pra Ademi, të jetë spiun dhe provokator mes bashkëkombësve dhe politikanëve shqiptarë të Kosovës. Në vitin 1986 Rahim Ademin e ftuan si dëshmitar në Gjykatën Ushtarake në Sarajevë – dhe aty e arrestuan. I kaloi dhjetë muaj në burg, aty ishin “10 shqiptarë, tetë oficerë dhe dy civilë”. Për fat të keq disa nga të arrestuarit u dorëzuan dhe pranuan veprat që nuk i kishin kryer, shkruan Ademi, i cili u akuzua për veprën e kundërrevolucionit. Në një “proces gjyqësor mafioz” Ademi u dënua me 3 vjet e 6 muaj burg, sepse mes viteve 1972 dhe 1986 paskësh qenë anëtar i një grupi ilegal. Domethënë: për 14 vjet ai paskësh qenë i infiltruar brenda armatës jugosllave nga “irredentizmi shqiptar”.
Akuzat qenë një farsë e vërtetë, andaj Gjykata e Lartë në Beograd anuloi aktgjykimin dhe kërkoi përsëritjen e procesit. Kjo u bë, por prapë ishte një farsë: gjyqësia ushtarake për të mbuluar krimin e saj juridik e dënoi me 1 vit burg Rahim Ademin. Ai prapë u ankua, por ende pa vendosur gjykata për këtë çështje Rahim Ademi – dezertoi. Ia ktheu shpinën armatës e cila e trajtoi si armik, pa asnjë fakt. Tani për Ademin do të fillonte një karrierë e re. Karriera më e lavdishme e tij. Lufta për çlirimin e Kroacisë si oficer i ushtrisë kroate. Por kjo karrierë kishte anët e saj të errëta. Për këto anë do të flitet në pjesën e tretë dhe të fundit të këtij shkrimi.