Në Gjermani dalëngadalë po kuptohet rreziku rus. Kancelari, pas disa javë heshtjeje apo deklaratash të vakëta, i është kundërpërgjigjur qartë shefit të Kremlinit. Edhe më i qartë në analizën gjeostrategjike është Joschka Fischeri. Por një pakicë majtistësh gjermanë, megjithatë, vazhdon të kultivojë antiamerikanizmin dhe të heshtë përballë agresionit rus
Gjatë konferencës për shtyp me kancelarin gjerman Olaf Scholz në Moskë, Vladimir Putini u përpoq të manipulojë me historinë. Duke dashur të kritikojë Perëndimin, ai përmendi bombardimin e Beogradit më 1999, “një qytet evropian”, sipas presidentit rus. Arsyet pse u bombardua Beogradi ia shpjegoi Putinit kancelari Scholz. Ai tha se bëhej fjalë për ndalimin e një gjenocidi (në Kosovë). Si manipulues i rryer, Putini tha se edhe në Ukrainën Lindore po ndodh një “gjenocid”.
Nga këndvështrimi kosovar është me rëndësi të theksohet se kancelari gjerman e përmendi fjalën gjenocid në rastin e Kosovës dhe presidenti rus nuk e kundërshtoi këtë, por tentoi që intervenimin e NATO-s kundër regjimit serb ta interpretojë për interesat e tij në Ukrainë. Deklarata e Putinit se popullsia ruse apo rusishtfolëse në Ukrainë vuan nga “gjenocidi” u përngjan parullave të politikanëve serbë në fillim të viteve ‘90, të cilët agresionin kundër Kroacisë dhe Bosnjës e prezantonin si përpjekje për t’iu dalë në ndihmë serbëve në dy republikat e atëhershme jugosllave. Edhe atëherë thuhej se serbëve në Kroaci e në Bosnjë u kërcënohet gjenocidi.
Kundërshtimi që kancelari gjerman, Olaf Scholz, ia bëri Putinit në Moskë, madje edhe hapur në konferencën për shtyp, është pritur mirë nga shumica e mediave gjermane. Scholz qe kritikuar për pasivitet ndaj krizës në Ukrainë përballë agresionit rus. Ai me çdo kusht kishte shmangur të deklarohej mbi fatin e gazsjellësit “Nord Stream 2”, që do të transportojë gaz nga Rusia, duke e anashkaluar Ukrainën dhe Poloninë. Tani, mes rreshtash, Scholzi ka lënë të kuptohet se, po e sulmoi Moska Ukrainën, kjo do të ketë pasoja edhe për “Nord Stream 2”. Qëllimi apo shpresa e Putinit ishte që Gjermania të mbajë pozicion asnjanës lidhur me Ukrainën dhe kështu të shërbejë si pykë për të përçarë Perëndimin. Duket se tani për tani ky skenar nuk do të funksionojë.
Ndonëse një pakicë majtistësh gjermanë vazhdon të kultivojë antiamerikanizmin dhe të heshtë përballë agresionit rus. Gjermania në kuptimin energjetiko-politik e ka vënë veten në pozicion varësie nga Rusia. 55 për qind të gazit Gjermania e importon nga Rusia. Në atë çast që Moska kufizon transportin e gazit, çmimet eksplodojnë.
Krahas varësisë energjetike nga Rusia, Gjermania nuk ka investuar aq në kapacitetet mbrojtëse. Një fuqie si Rusia, e cila ka raketa, dronë dhe avionë luftarakë, Gjermania s’ka me çka t’i përgjigjet, shkruan gazeta “Die Zeit”: “Bundeswehri (ushtria gjermane) nuk do të mund t’i mbronte vetëm as vendet baltike, as Poloninë, madje ndoshta as territorin e Gjermanisë. Për këtë mungon gjithçka, jo vetëm automjetet në gjendje të rregullt: Shërbimi Sekret gjerman nuk ka të drejtë të kundërpërgjigjet pas sulmeve të hakerëve. Stabilitetin ushtarak përballë agresorit dhe rrjedhimisht lirinë dhe demokracinë në Evropë e garanton NATO-ja, pra faktikisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Për dallim nga ish-kancelari Gerhard Schröder, i cili është punëtor me pagesë dhe propagandues i Putinit, ish-ministri i Jashtëm gjerman, Joschka Fischer, nuk ka pranuar të zhytet në moçalin proputinist. Fischer për gazetën “Die Zeit” analizoi gjendjen aktuale gjeostrategjike. Ai tha se qëllimi i Putinit e tejkalon Ukrainën dhe e synon revizionimin e rendit evropian pas Luftës së Ftohtë në favor të Rusisë. Hapi tjetër, sipas Fischerit, synon hegjemoninë mbi Evropën Lindore si parakusht për dominim të Moskës në mbarë Evropën. Këtë rrezik, me gjasë, nuk e kanë kuptuar disa politikanë gjermanë (sidomos socialdemokratë), ndërsa të Gjelbrit e Joschka Fischerit, ndonëse parti me traditë pacifiste, sidomos që nga lufta e Kosovës më 1999, kanë një qasje më realiste ndaj politikës së jashtme.
Atyre politikanëve gjermanë që thonë se NATO-ja nuk duhet të zgjerohet apo e kritikojnë NATO-n për zgjerimin e deritanishëm, Joschka Fischeri u përgjigjet me një konstatim origjinal: “Shpesh përmenden zgjerimi i NATO-s dhe gjoja shqetësimet ruse mbi rrethimin nga NATO-ja. Si mund të rrethohet një vend kontinental si Rusia e cila i ka 11 zona kohore? Dhe për çka? Me bashkimin e saj Gjermania e ka filluar zgjerimin e NATO-s dhe të BE-së”.