OpEd

Odesa shqiptare e Ukrainës

Mund të shikoni planin e qytetit të Odesës dhe aty do të gjeni dy rrugë: Velyka Arnautska dhe Mala Arnautska, pra rruga e madhe dhe rruga e vogël e arnautëve. Mbi historinë, gjurmët e saj dhe shqiptarët që luftonin në rajonin e Odesës dhe në Krime.

Së pari diçka aktuale: po kërkuat në Facebook njerëz me emrin Odesa, do t’ju shfaqen së paku 10 vajza apo gra shqiptare që bartin emrin e këtij qyteti ukrainas në Detin e Zi. Ky qytet i bukur duket se ka inspiruar prindër shqiptarë që fëmijët e tyre t’i pagëzojnë me emrin Odesa. Pastaj: mund të shikoni planin e qytetit të Odesës dhe aty do të gjeni dy rrugë: Velyka Arnautska dhe Mala Arnautska, pra rruga e madhe dhe rruga e vogël e arnautëve. Në rrugën Mala Arnautska numër 9 ka banuar Chaim Bialik, poet dhe gazetar hebraik, i cili ka shkruar në hebraisht dhe në jidish (gjuha e hebrenjve ashkenazi). Në Izrael Chaim Bialik konsiderohet poet kombëtar.

Aktualisht qytetaret dhe qytetarët e Odesës kanë frikë nga sulmet e ushtrisë ruse, e cila po tenton të pushtojë Ukrainën. Hebrenjtë e mbetur në këtë qytet i frikësohen më të keqes dhe po i dërgojnë fëmijët e tyre në Gjermani. Në Luftën e Dytë Botërore nazistët dhe kolaboracionistët rumunë në Odesa bënë kërdi ndaj hebrenjve.

Me dalje në Detin e Zi, Odesa u bë qendër e tregtarëve të drithit dhe u quajt “Shën Petërburgu i ri”, “Palmira e jugut”, “Mbretëresha e Detit të Zi”, “Parisi i vogël”. Në vitet 60-të të shekullit të 19-të Odesën e vizitoi Mark Twain, shkrimtari i famshëm amerikan, i njohur për humorin e tij fantastik. Ai shkroi: “S’ka lidhje nëse ecje rrugës përpjetë apo rrugës teposhtë, ne e shihnim vetëm Amerikën”. Kaq e bukur ishte Odesa. Kaq e bukur është Odesa edhe sot.

Odesa është qytet i ri. U themelua më 1794 me vendim të Katerinës së II-të, perandores së Rusisë. Rusët ua morën turqve bregdetin e Detit të Zi dhe e inkorporuan në Perandorinë Ruse me toponimin Krahina e Rusisë së Re. Toponimi Odesa i referohet kolonisë greke Odesos. Brenda 100 vjetësh (1794-1894) Odesa u bë qyteti i katërt për nga madhësia i Perandorisë Ruse – pas Shën Petërburgut, Moskës dhe Varshavës. Kur u themelua Odesa i kishte nja 2500 banorë, në prag të Luftës së Parë Botërore numëronte 630 mijë banorë. Në Odesa flitej italisht, anglisht, gjermanisht, greqisht, turqisht, persisht, shqip, serbisht, polonisht, rusisht. Këtu bënin pazare biznesmenë zviceranë, britanikë dhe holandezë. Në jetën kulturore dhe ekonomike të Odesës luanin rol tregtarë nga Gjenova, Livorno dhe Venediku.

Kur u themelua Odesa thuhej se kishte 6 hebrenj, më 1855 u bënë 17 mijë, më 1897 – 140 mijë ose 34,4 për qind e popullsisë së Odesës. Themelet e Odesës i hodhi José de Ribas, një admiral spanjollo-irlandez nga Napoli i Italisë së sotme. Emrin e tij sot e bart bulevardi më i njohur i Odesës. Mes vitit 1803-1814 guvernator i Odesës ishte Le Duc de Richelieu, emigrant francez në shërbim të Rusisë. Ai i përkrahu me përkushtim emigrantët gjermanë që vinin në Odesë. Kështu u krijua komuniteti i gjermanëve të Detit të Zi. Në qendër të Odesës gjendet një përmendore e Le Duc de Richelieu, edhe një rrugë bart emrin e tij. Liceu Richelieu, i themeluar prej tij, punon edhe sot. Mes viteve 1814-1826 qytetin e udhëhoqi Konti Mihail Voroncov, një oficer dhe politikan rus, i lindur në Shën Petërburg dhe i shkolluar në Cambridge. Rezidenca e tij private në Alpuka në Krime i shërbeu delegacionit britanik si bujtinë gjatë Konferencës së Jaltës. Lirinë e qytetit e lavdëroi poeti i famshëm rus Aleksandar Pushkin, i cili u internua në Odesë në vitet 1823-24. Po në Odesë qe i internuar edhe poeti i madh polak Adam Mickiewicz.

Tregtia me drithë e bëri qytetin të pasur. U ndërtuan shumë objekte reprezentative, bursa, pallati i guvernatorit, rrugët u shtruan me granit dhe përgjatë tyre u mbollën akacie dhe blinj, qendër e ekonomisë së qytetit ishte porti i Odesës. Kështu Odesa u lidh me Mesdheun dhe Levantën dhe përmendej me një frymë me Konstantinopojën (Stambollin e sotëm), Marseille (Marsejën), Smirnan (Izmirin e sotëm) dhe Port Saidin në Egjipt. Një akuadukt i gjatë 35 kilometra solli ujin nga Dnjestri në Odesë dhe kështu u zgjidh problemi i furnizimit me ujë. Në Odesa lanë gjurmë arkitektë të njohur si Viktor Aleksandroviq Schröter (me origjinë gjermane) dhe Aleksandar Osipoviq Bernardazzi, një zviceran me origjinë nga Lugano. Opera e Odesës, e ndërtuar në vitet 80-të të shekullit të 19-të, u projektua nga studioja arkitektonike e Vjenës Fellner & Helmer.

Multietniciteti i Odesës reflektohej edhe përmes shtëpive të zotit me kishën ortodokse ruse, me kishën luteriane, kishën katolike, sinagogat dhe me kupolën e gjelbër dhe të bardhë të xhamisë. Në Odesa botoheshin disa gazeta në gjuhë të ndryshme, mes tyre Odeski Listok, gazeta më e rëndësishme hebraike në gjuhën ruse. Më 1865 në Odesë u themelua Universiteti i Rusisë së Re. Njëra ndër bazat më të rëndësishme të luftëtarëve helenë të lirisë gjendej në Odesë (në vitet 1820-të).

Në hapësirën e gjerë të Odesës, në drejtim të kufirit me Rumaninë, gjendet fshati Karakurt. 60 për qind e katundit përbëhet nga shqiptarët, 25 për qind janë bullgarë, 10 për qind gagauzë dhe 5 për qind janë pjesëtarë të etnive të tjera. Në vitin 1811 Karakurti u përmend si vendbanimi i parë ukrainas i shqiptarëve nga krahina bullgare e Dobruxhës nga guvernamenti (qarku) i Besarabisë që i takonte Perandorisë Ruse. Në Odesë vite më parë është zbuluar një bust i Skënderbeut.

Në Luftën e Krimesë mes viteve 1853-1856 morën pjesë edhe shqiptarët. Atëbotë Franca, Britania e Madhe dhe Perandoria Osmane luftuan kundër Rusisë. Shqiptarë kishte në të dy palët ndërluftuese. Ata që ishin vendosur në fillim të shekullit të 19-të në Ukrainën e sotme ia mbanin anën Rusisë, ndërsa shqiptarët nga Perandoria Osmane luftonin për forcat e koalicionit të madh të përbërë nga Franca, Britania e Madhe dhe Perandoria Osmane. Kjo luftë ua mori jetën gati 1 milion njerëzve. Rusia u mposht.

Sipas historianit britanik, Orlando Figes, i cili ka shkruar një libër monumental mbi Luftën e Krimesë, në shtabin e Omer Pashës, komandantit osman, kishte edhe shqiptarë. Omer Pasha kishte lindur në një familje serbe në Jasenicë afër Ogulinit në Kroacinë e sotme, kishte ikur në Bosnjë dhe ishte vënë në shërbim të osmanëve për të bërë pastaj karrierë të bujshme në Perandorinë Osmane.

Në janar të vitit 1854, konsulli britanik në Vallahi (një trevë në jug të Rumanisë së sotme) shkruante se forcat pushtuese ruse aktivisht merreshin me rekrutimin e një korpusi vullnetarësh, i cili përbëhej kryesisht nga “grekët, shqiptarët, serbët dhe bullgarët”. Ata u integruan në ushtrinë ruse si “legjion greko-sllav”, i cili do të zhvillonte një “luftë të shenjtë” kundër turqve. Në fortifikatat turke të Silistrisë (qytet në verilindje të Bullgarisë së sotme) gjendeshin 18 mijë ushtarë, shumica prej tyre egjiptian dhe shqiptarë, të cilët, sipas Orlando Figes, “luftonin me aq këmbëngulje, saqë kjo i befasoi rusët”. Trupat osmane komandoheshin nga dy oficerë britanikë të artilerisë, kapiteni James Butler dhe lejtnanti Charles Nasmyth. Butler shkroi se “ishte e pamundshme të mos adhurohej indiferenca e ftohtë e turqve përballë rrezikut”. Mes atyre turqve ishin edhe disa shqiptarë.