OpEd

“Olluja“ 30 vjet më vonë

Kur shënohet 30-vjetori i operacionit ushtarak të Kroacisë “Olluja“, me të cilin e çliroi një pjesë të madhe të territorit të saj, dalin në publik shumë gjëra të panjohura nga protagonistët e asaj kohe. Ky operacion dëshmohet të ketë qenë i lodhur me shpëtimin e Bihaçit në Bosnjë-Hercegovinë, me gjenocidin e forcave serbe në Srebrenicë, ndërsa Kroacia për planet e këtij operacioni i kishte njoftuar paraprakisht SHBA-në, Gjermaninë dhe Turqinë, ndërsa nuk kishte dashur kurrsesi që për të të kuptojnë britanikët. Ky operacion konsiderohet kthesë në luftërat në ish-Jugosllavi, sepse vetëm pas tij pasoi Marrëveshja e Daytonit për Bosnjë-Hercegovinën dhe riintegrimi paqësor i Sllavonisë Lindore në sistemin e Kroacisë

Kroacia e ka shënuar 30-vjetorin e çlirimit të territorit të saj, që është 4 gushti, dita kur në vitin 1995 kishte nisur operacioni “Olluja“. Këtë vit jubilar kjo ditë u shënua me një paradë të madhe ushtarake ku Kroacia e tregoi armatimin modern si vend i NATO-s dhe i nderoi luftëtarët e saj që e dhanë jetën për liri. Nga Serbia, por edhe nga disa media perëndimore, këtij manifestimi iu dha një epitet nacionalist, ani pse parada të tilla ushtarake organizojnë edhe shumë shtete të tjera Evropiane. E bëri këtë para disa ditësh edhe Belgjika kur e shënoi festën e saj kombëtare, e bën Franca, SHBA-ja, Zvicra e shumë vende të tjera. Serbia, në anën tjetër, së bashku me forcat politike serbe nga Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi, në bashkorganizim me Kishën Ortodokse Serbe, e shënon këtë përvjetor, duke dashur ta paraqesë si krimin më të madh që ka ndodhur në territorin e ish-Jugosllavisë, viktimë e së cilit ishin serbët. E në narracionin e Serbisë nuk flitet aspak për gjithë ato zhvillime që kanë ndodhur në Kroaci para operacionit “Stuhia“, për krimet dhe shkatërrimin e Vukovarit, Dubrovnikut, Srebrenicës, Sarajevës dhe shumë vendeve të tjera. Të gjitha këto krime serbe gjatë viteve, e sidomos gjenocidi në Srebrenicë, kishin bërë që për operacionin “Olluja“ të ketë mirëkuptim sado të heshtur, nga ana e një pjese të madhe të bashkësisë ndërkombëtare.

Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kroaci, Peter Galbright, rikujtoi këto ditë se si operacioni “Olluja“ ndodhi vetëm disa ditë pas gjenocidit serb në Srebrenicë. Ai, po ashtu sqaroi se si amerikanët në atë kohë kishin llogaritur se, sikur në duart e serbëve të binte edhe enklava e Bihaqit, që po ashtu ishte “zonë e mbrojtur e OKB-së“, numri i të masakruarve boshnjakë do të mund të shkonte deri në 40 mijë, sikur forcat e gjeneralit Ratko Mlladiq t’i zbatonin krimet me metodologjinë e Srebrenicës. Ish-ministri i jashtëm kroat i asaj kohe, Mate Graniq, por edhe ushtarakë që e zbatuan këtë operacion, kanë folur se si ishte arritur një marrëveshje për bashkëpunim ushtarak mes Ushtrisë së Kroacisë edhe Ushtrisë së Bosnjë-Hercegovinës. Një marrëveshje e tillë ishte bërë me kërkesë të presidentit të Turqisë, Demirel, dhe ajo ishte formalizuar me një kërkesë zyrtare që presidenti i Bosnjë-Hercegovinës, Aliaj Izetbegoviq, ia kishte dërguar presidentit të Kroacisë, Franjo Tugjman. Marrëveshja e quajtur “Deklarata e Splitit“ ishte firmosur nga këta dy presidentë në prani të përfaqësuesve turq dhe amerikanë. Turqia donte që Kroacia të ndihmojë për t’i shpëtuar boshnjakët nga një masakër tjetër që do të mund të ndodhte, pasi bota heshti ndaj gjenocidit në Srebrenicë vetëm disa ditë më herët. 

Para disa ditësh ish-këshilltari i presidentit turk, Sulejman Demirel, Mehmet Ai Bayari, tha se “Kroacia e ka shpëtuar fytyrën e Evropës, duke e parandaluar gjenocidin në Bihaç“. Jo vetëm se e hoqën rrethimin e Bihaçit, por forcat kroate dhe boshnjake të bashkuara ishin para hyrjes edhe në Banja Llukë. I ndalën amerikanët, me gjasë duke llogaritur që atë qytet në një konferencë ndërkombëtare t’ua lënë serbëve të Bosnjës, siç edhe ndodhi më vonë, në vitin 1995 në Dayton.      

Kur shënohet 30-vjetori i operacionit ushtarak të Kroacisë “Olluja“, me të cilin e çliroi një pjesë të madhe të territorit të saj, dalin në publik shumë gjëra të panjohura nga protagonistët e asaj kohe. Ky operacion dëshmohet të ketë qenë i lidhur me shpëtimin e Bihaçit në Bosnjë-Hercegovinë, me gjenocidin e forcave serbe në Srebrenicë, ndërsa Kroacia për planet e këtij operacioni i kishte njoftuar paraprakisht SHBA-në, Gjermaninë dhe Turqinë, ndërsa nuk kishte dashur kurrsesi që për të të kuptojnë britanikët. Ky operacion konsiderohet kthesë në luftërat në ish-Jugosllavi, sepse vetëm pas tij pasoi Marrëveshja e Daytonit për Bosnjë-Hercegovinën dhe riintegrimi paqësor i Sllavonisë Lindore në sistemin e Kroacisë.

Shumë protagonistë të asaj kohe, nga diplomatët e deri tek ushtarakët, thonë se efekti më i madh i atij operacioni ishte se me të u zhduk miti për “forcën e Serbisë“ dhe për “fuqinë e pamposhtur të serbëve“. Madje, edhe vetë kroatët dhe boshnjakët ishin befasuar me shpejtësinë e ikjes së forcave serbe edhe nga zona e Kninit në Kroaci edhe ajo e Bihaçit në Bosnjë-Hercegovinë. Përderisa forcat serbe ishin dëshmuar të “forta“ në krime kundër civilëve, kur u përballën me një forcë mirë të organizuar dhe të motivuar, nuk ishin në gjendje të bëjnë ballë.

Pos fitores ushtarake në Kroaci, tash flasin edhe për një fitore të madhe diplomatike, pasi në atë kohë kishte forca që donin me çdo kusht ta parandalonin Kroacinë në veprimet e saj. Ish-ambasadori i Kroacisë në Kombet e Bashkuara, Vladimir Drobnjak, i rikujton “kritikat publike“, por edhe “mirënjohjet“ që shpreheshin prapa skene për këtë aksion, sepse të gjithë e kishin kuptuar se bashkësia ndërkombëtare nuk do të bëjë asgjë. Ndërsa Serbia me diplomacinë e saj kot kishte tentuar, që pas të gjitha refuzimeve të propozimeve ndërkombëtare për marrëveshje paqësore, të sigurojë që bashkësia ndërkombëtare ta detyrojë Kroacinë “t’i ndalë sulmet dhe të kthehet në pozicionet e parafillimit të operacionit ushtarak“. Pas këtij operacioni nuk kishte më kthim prapa dhe nga bashkësia ndërkombëtare as interes për një gjë të tillë.

Megjithatë, Kroacia pati pasoja pas këtij operacioni. Bashkimi Evropian, i prirë në atë kohë nga Spanja, i kishte dënuar veprimet e Kroacisë dhe i kishte vendosur sanksione politike, duke ia pamundësuar pjesëmarrjen në disa programe të BE-së. Entuziazmi për fitoren ushtarake në Kroaci ishte aq i madh, saqë as nuk u vërejt reagimi i BE-së në atë kohë. Por pasojat për Kroacinë morën fund vetëm në vitin 2005, kur ajo i nisi negociatat e anëtarësimit në BE.

Pas operacionit “Olluja” dhe gjatë tij, një numër shumë i madh i serbëve të Bosnjës, flitet për diku rreth 200 mijë, u larguan nga vatrat e tyre. Regjimi i Millosheviqit kishte tentuar t’i përdorë disa prej refugjatëve serbë nga Kroacia për ta ndryshuar strukturën etnike në Kosovë dhe tentonte t’i dërgojë në Kosovë. Për këtë edhe sot e kësaj dite dëshmojnë disa prej vetë refugjatëve serbë. I pyetur për këtë, presidenti i atëhershëm i Kroacisë, Franjo Tugjman, ishte përgjigjur: “U kemi ofruar të rrinë, nuk kanë dashur dhe u qoftë rruga e mbarë“. Kjo deklaratë u përdor pastaj për të pohuar se largimi i serbëve nga Kroacia ishte qëllimi i pushtetit të atëhershëm në Kroaci.

Edhe pse ka shumë kundërthënie në interpretimet e operacionit “Olluja“, sidomos nga Serbia, nuk ka dyshim se ky ishte momenti i kthesës më të madhe në luftërat e përgjakshme në territorin e ish-Jugosllavisë. Kroacia sot ndihet e kompletuar si shtet anëtar i NATO-s dhe i BE-së. Me kontroll të plotë në tërë territorin e saj.

Raportet mes Kroacisë dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të tensionuara, dhe nga Beogradi përdoret ndaj kroatëve i njëjti fjalor sikur para 30 vjetësh. Serbia këto ditë i ka këshilluar qytetarët e saj të mos udhëtojnë në Kroaci. Por, ndërkohë, më shumë se 40 mijë shtetas të Serbisë besohet se punojnë si punëtorë sezonalë në Kroaci dhe nuk e qajnë shumë kokën për thirrjet e qeverisë së tyre dhe shumë të tjerë e kalojnë pushimin vjetor në bregdetin e Kroacisë. Megjithatë, akoma duket larg ajo që do të quhej “normalizim i plotë” i raporteve mes Kroacisë dhe Serbisë.