OpEd

Punë gjermanësh dhe diçka e paimagjinueshme në partitë shqiptare

Brenda 3 viteve CDU i ndërroi dy kryetare, kryetari i tanishëm është në ikje e sipër dhe partia po bëhet gati për të zgjedhur shefin/shefen e re, të katërtin me radhë, pasi në zgjedhjet e fundit CDU pësoi humbje historike. A mund të imagjinohet diçka e tillë në partitë shqiptare? Kryetari i partisë humb zgjedhjet, pranon dështimin, largohet, i jep shansin kandidatit apo kandidates tjetër. Kjo është e paimagjinueshme ndër partitë shqiptare. Prandaj edhe cilësia e politikës nuk është e lartë.

Mbi 18 vjet Angela Merkel qëndroi në krye të partisë konservatore CDU. I fitoi zgjedhjet më 2005, 2009, 2013 dhe më 2017. Në fillim të dhjetorit 2018, Angela Merkel e dorëzoi postin e kryetares së CDU-së. Plani i saj ishte ky: deri në zgjedhjet e rregullta parlamentare në shtator 2021 shefja apo shefi i ri i partisë do të ketë mjaft kohë për t’u profilizuar.

Më 7 dhjetor 2018 kryetare e CDU-së u zgjodh Annegret Kramp-Karrenbauer, e cila gëzoi përkrahjen e Merkel. Por Kramp-Karrenbauer paralajmëroi dorëheqjen e saj nga posti i kryetares së CDU-së më 10 shkurt 2020 dhe nga kandidatura e saj për kancelare. Arsyeja e dorëheqjes ishte, mes tjerash, edhe kriza qeveritare në landin e Thüringenit më 2020, ku kabineti i ri ishte zgjedhur edhe me votat e popullistëve të djathtë të AFD si dhe të CDU dhe liberalëve (FDP). CDU ka garantuar se nuk bashkëpunon askund me AFD-në.

Kramp-Karrenbauer e vërejti se autoriteti i saj brenda partisë ishte lëkundur, andaj vendosi të tërhiqej. Për shkak të pandemisë mandati i saj si kryetare e partisë u vazhdua deri më 16 janar 2021, kur një kongres i CDU-së e zgjodhi Armin Laschetin shef të ri të CDU.-së. Më vonë Laschet u zgjodh edhe kandidat për postin e kancelarit. Në zgjedhjet parlamentare të 26 shtatorit 2021 CDU doli e dyta me 24,1 për qind të votave – një humbje historike, sepse CDU kurrë s’ka rënë nën 30 për qind të votave. Pas kritikave brendapartiake mbi rezultatin e dobët zgjedhor, Laschet tha se do të lëshonte rrugë për një fillim të ri. Sot kryesia e CDU-së vendosi të zgjedhë së shpejti kryesinë e re. Do të thirret një kongres për të zgjedhur kryetaren apo kryetarin e ri. Nuk përjashtohet mundësia që të parin apo të paren e partisë ta zgjedhin 400 mijë anëtarët e CDU-së.

Kështu funksionon një parti normale, në këtë rast gjermane. Brenda 3 viteve CDU i ndërroi dy kryetare, kryetari i tanishëm është në ikje e sipër dhe partia po bëhet gati për të zgjedhur shefin/shefen e re.

A mund të imagjinohet diçka e tillë në partitë shqiptare? Kryetari i partisë humb zgjedhjet, pranon dështimin, largohet, i jep shansin kandidatit apo kandidates tjetër. Kjo është e paimagjinueshme ndër partitë shqiptare. Prandaj edhe cilësia e politikës nuk është e lartë. Kryetari i partisë e sheh atë si pronë private, instalon rrjetin e tij, humb zgjedhjet njërën pas tjetrës dhe prapë qëndron, stoik, në kolltuk. Nuk merr përgjegjësi për asnjë dështim. Bëhet sikur nuk ka ndodhur asgjë. Edhe kur kryetarët e partive shqiptare janë larguar nga postet, kjo ka ndodhur pas dramave të mëdha, shpesh pasi pothuaj i kanë varrosur edhe partitë me ambiciet e tyre personale për pushtet.

Edhe diçka nga Gjermania: për të ndihmuar në procesin e rinimit të partisë, dy ministra të deritanishëm të CDU-së, Peter Altmaier dhe Annegret Kramp-Karrenbauer, deklaruan se heqin dorë nga mandati i deputetit/deputetes me qëllim që t’i japin shans të rinjve për të politizuar në Bundestag. Altmaier shkroi në Twitter se tani CDU duhet të rinohet – “faleminderit për 27 vjet të mrekullueshme në Bundestag dhe qeverinë e Angela Merkelit. Pata nderin dhe kënaqësinë! Shihemi së shpejti në Twitter”.