OpEd

Putini luan me zjarr, Bideni flet përçart – dhe në Berlin mbretëron huti

Rreziku nga një luftë e re në Evropë është real, si pasojë e kërcënimeve ruse. Shefi i CIA-s e ka parë të udhës të alarmojë qeverinë gjermane që të mbajë qëndrim të qartë kundër Rusisë. Por, shumica e politikanëve gjermanë mundohen t’i shmangen situatës duke mbyllur sytë

Estonia ka vendosur të furnizojë Ukrainën me armë. Bëhet fjalë për raketa antitank dhe obusë, një armë e rëndë artilerie, me grykë të gjerë (më të shkurtër se të topit dhe më të gjatë se të

mortajës), që i hedh predhat në vijë të lakuar. Këto armë janë prodhim i Gjermanisë lindore (komuniste) dhe i janë dhënë Estonisë pas bashkimit të Gjermanive. Për t’ia dhënë këto armë Ukrainës, Estonia duhet të marrë miratimin e qeverisë në Berlin. Sipas gazetës amerikane “Wall Street Journal”, Gjermania ka refuzuar kërkesën estoneze.

Ky refuzim nuk është i befasishëm. Ndërsa, Vladimir Putini kërcënon Ukrainën dhe ekspertë të ndryshëm paralajmërojnë rrezikun e një lufte në Evropë, qeveria gjermane lë përshtypjen e një akteri aq të pavendosur, saqë ngjall shqetësime edhe në Washington. Afërsisht 10 ditë më parë në Berlin erdhi një mysafir nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për takimet e tij nuk u njoftua opinioni, me gjasë nuk ekzistojnë as fotografi të takimeve. William Burns, shef i CIA-s, shërbimit të jashtëm sekret amerikan, zhvilloi biseda me kancelarin e ri, Olaf Scholz, me shefin e kabinetit të tij, me shefin e BND-së, shërbimit të jashtëm sekret gjerman. Sipas revistës “Der Spiegel”, mysafiri nga Washingtoni pati një mesazh të qartë për bashkëbiseduesit gjermanë: nëse Rusia sulmon Ukrainën, presioni ndaj Berlinit do të rritet për të mbajtur qëndrim të qartë kundër Moskës.

Por, Gjermania duket se është larg një qëndrimi të qartë ndaj krizës së Ukrainës dhe agresionit të mundshëm rus. William Burns i propozoi kancelarit Scholz një takim të menjëhershëm me presidentin Joe Biden në Washington, por Scholz nuk pranoi me arsyetimin se agjenda e tij është plot e përplot. Tani pritet që takimi të zhvillohet më së voni nga mesi i shkurtit. Për gazetarë prominentë gjermanë kjo sjellje e qeverisë së re në Berlin është e pakuptueshme, skandaloze.

Para së gjithash partia kryesore e koalicionit qeveritar, socialdemokratët e kancelarit Scholz, kanë “një problem rus”. Në këtë parti, ka politikanë që kanë qëndrim tepër të butë ndaj Vladimir Putinit. Ka të tillë që akuzojnë perëndimin për vringëllim të shpatave, ndërkohë që nuk gjejnë fjalë adekuate për të dënuar sjelljen e palës ruse. Edhe sa i përket kërcënimit me sanksione kjo turmë politikanësh, të ndikuar edhe nga ish-kancelari Gerhard Schröder, është duke frenuar dukshëm. Schröder është lobist i paguar nga një firmë ruse e Gazit dhe lavdërohet publikisht për miqësinë e tij me Putinin, ndërsa nuk e fsheh aversionin kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Lars Klingbeil, njëri nga kryetarët e socialdemokratëve, preferon të heshtë. Ai është mik i Schröderit dhe në të kaluarën ka dhënë deklarata që mund të konsiderohen ambivalente sa i përket Rusisë. Këto deklarata janë të tipit: keq e ka Rusia, por keq e ka edhe Perëndimi. Ky balancimin i fajit është absurd, kur dihet se para pak javësh një gjykatë në Berlin ka dënuar një agjent rus për vrasjen e një çeçeni në Berlin. Regjimi i Putinit prej vitesh atakon me helm kritikët rusë kudo në Evropë, ndërsa represioni brenda Rusisë kundër opozitës është rritur në masë të madhe.

Shumë politikanë prominentë gjermanë janë deklaruar kundër furnizimit të Ukrainës me armë defensive, pra mbrojtëse. Arsyetimet janë të ndryshme: disa thonë se një furnizim i tillë nuk përputhet me ligjet gjermane, të tjerët e përmendin Luftën e Dytë Botërore dhe krimet gjermane ndaj rusëve dhe ukrainasve, sërish të tjerët besojnë ende në politikën e kancelarit Willy Brandt, i cili në vitet 70-të ndoqi një strategji të shtendosjes së raporteve me vendet e bllokut lindor dhe sidomos me Bashkimin Sovjetik.

Ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock, nga Partia e Gjelbër ende po e kërkon rolin e saj. Të Gjelbrit janë parti tradicionalisht pacifiste, por në vitet ‘90, nën ndikimin e krahut realist të prirë nga Joschka Fischeri, kjo parti u largua nga parimet e saj të hekurta për shkak të agresionit serbomadh kundër Bosnjës. Luftën për çlirimin e Kosovës, Fischer e përkrahu me çdo kusht dhe hapur e kërcënoi partinë se nuk do të respektojë vendimin e saj eventual për ndërprerjen e bombardimeve. Në fund partia iu nënshtrua argumenteve të tij.

Por, politika perëndimore ndaj agresionit rus nuk është duke u dobësuar nga hutesa gjermane. Edhe përtej Atlantikut ka probleme. Presidenti Joe Biden, doli në një konferencë për shtyp dhe në thelb tha diçka katastrofale: ai potencoi se Putini e pushton pak Ukrainën, kjo s’do të ketë pasoja aq të mëdha, por nëse e pushton shumë, atëherë pasojat do të jenë të rënda. Këso mesazhesh janë trimërim i Putinit për të vazhduar lojën e tij prej shantazhuesi të Perëndimit. Shtëpia e Bardhë e pa të nevojshme ta korrigjojë menjëherë Bidenin, duke thënë se agresioni rus ndaj Ukrainës do të ketë pasoja të rënda. Ndërkohë, Britania e Madhe ka dërguar armë në Kiev. Perëndimi nuk po flet me një gjuhë ndaj kërcënimit rus. Dhe ky është lajm i keq për paqen në Evropë.