Për herë të parë dje Komisioni Evropian publikoi vlerësimet për dhjetë vendet aspiruese për anëtarësim në BE. Vlerësimi tregoi që gjatë vitit 2023 Ukraina dhe Moldavia kanë performuar larg më mirë në ndërmarrjen e reformave evropiane sesa tetë vende të tjera. Me këtë ritëm ato së shpejti do të rrezojnë nga froni Serbinë dhe Malin e Zi si “front-runners” të procesit të zgjerimit
Dje Komisioni Evropian prezantoi pakon e fundit të zgjerimit. Ndonëse ishte pakoja e fundit e zgjerimit, ishte pakoja e parë e zgjerimit që përfshiu dhjetë vendet aspiruese për anëtarësim në BE. Kësisoj dje ishte ditë e bukur për të kuptuar se zgjerimi sot gëzon vëmendjen politike që moti nuk e ka gëzuar. Këtë e pamë nga momenti i parë, kur në sallën e mediave të Komisionit Evropian të mbushur me gazetarë doli presidentja e Komisionit Evropian për të prezantuar pakon e fundit të zgjerimit. Kjo ishte në kontrast të thellë me vitet me radhë, ku jemi mësuar që ky prezantim të bëhet nga komisioneri i Zgjerimit para sallës pothuajse të zbrazët të mediave. Lartësimi i flamurtarit të zgjerimit në konferencën për media ishte reflektim i ngritjes së rëndësisë politike të zgjerimit brenda BE-së.
Por nuk ishte vetëm koreografia politike ajo që ishte me rëndësi. Dje përtej koreografisë u morën vendime historike për procesin e zgjerimit. E para, u rekomandua që të fillohen negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë. Ky është në kuptimin e plotë të fjalës moment historik. Për jetësimin e këtij momenti në vitin 2014 u organizuan protestat masive në Kiev, u përmbys qeveria proruse dhe u vranë mbi 100 protestues. Sot, dhjetë vjet më vonë, ëndrrat e atyre protestuesve u jetësuan. Dhe e gjithë kjo falë Putinit. Është e pamundur të mbivlerësohet sa shumë gjërat kanë ndryshuar që nga pushtimi rus i Ukrainës. Ka qenë e paimagjinueshme të besosh se BE-ja ndonjëherë do të pranojë të trajtojë vendet në “fqinjësinë e tyre lindore” si kandidat potencialë për anëtarësim në BE. Që nga pushtimi rus i Ukrainës jo vetëm se kjo u bë realitet, por u bë realitet në kohë rekorde. Asnjëherë në historinë e zgjerimit dy vende – sikur Ukraina dhe Moldavia – nuk kanë kaluar kaq shpejt nga aplikimi për statusin e vendit kandidat, te marrja e statusit të vendit kandidat e deri te rekomandimi për nisjen e negociatave të anëtarësimit sot. E gjithë kjo në më pak se njëzet muaj. Për të njëjtin rrugëtim Shqipërisë i janë dashur trembëdhjetë vjet. Këtij momentumi të ri në kuadër të zgjerimit ia pa hairin edhe Bosnja. Ndonëse mori statusin e vendit kandidat vetëm vitin e kaluar, Komisioni Evropian rekomandoi nisjen e negociatave, pas përmbushjes së plotë të katërmbëdhjetë kritereve kyç. Dhe vendimi i tretë i rëndësishëm ishte çimentimi i kufirit lindor të BE-së me ofrimin e statusit të kushtëzuar të vendit kandidat Gjeorgjisë.
Këto vendime nuk janë akte të izoluara. Ato janë produkt i vetërealizimit të BE-së për rëndësinë e procesit të zgjerimit për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e gjithë kontinentit evropian. Kjo është arsyeja mbrapa fjalimit të Sholcit në Pragë, fjalimit të Macronit në Sllovaki, fjalimit të Michelit në Bërdo dhe fjalimit të Von der Leyen në Strasburg. Vendimet e djeshme janë realizimi i vizionit të tyre për shtrirjen e BE-së drejt periferisë së saj me qëllim të sigurimit të stabiliteti dhe prosperitetit të të gjithë kontinentit evropian. Ato ishin realizim i fjalëve të famshme të ShumanitL: “Evropa nuk do të bëhet në një akt të vetëm, por në një seri të hapave konkretë, të cilët do të krijojnë solidaritetin evropian”. Dje u hodh një hap i radhës drejt këtij qëllimi.
Tani kur dhjetë raporte të vlerësimit janë bërë publike do të kemi kohë që të analizojmë gjetjet për çdo vend veç e veç, por edhe për dhjetëshen si tërësi. Ajo çfarë që në fillim bie në sy është se përfshirja e tri vendeve “lindore”: Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë në procesin e anëtarësimit ka rritur konkurrueshmërinë në mes dhjetëshes për ndërmarrjen e reformave evropiane. Për shembull, sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, Ukraina dhe Moldavia kanë performuar larg më mirë në ndërmarrjen e reformave evropiane sesa tetë vende të tjera gjatë vitit 2023. Me këtë ritëm ato së shpejti do të jenë “front-runners” të procesit të zgjerimit, duke i kaluar kështu të gjitha vendet e Ballkanit që me dekada janë pjesë e procesit të anëtarësimit.
Duke e kthyer vëmendjen te vendi ynë, raporti konfirmon atë që krejt e dimë: vendi është duke shkuar në drejtimin e duhur, por jo aq shpejt sa të gjithë kishim dashur. Tani pas rekomandimit të kushtëzuar për nisjen e negociatave për Bosnjën, Kosova ngelet edhe më mbrapa vendeve të tjera të rajonit. Edhe pesimistët më të mëdhenj në Kosovë, por edhe në botë, do të dakordohen se ndonëse gjërat mund të jenë keq në Kosovë, ato asnjëherë nuk janë më keq se në Bosnjë. Dhe në këtë drejtim, përderisa ne gëzohemi për avancimin e Bosnjës në procesin integrues, hapërimi i Bosnjës patjetër nënvizon nevojën e trajtimit fer dhe të barabartë të Kosovës. Dhe ndonëse BE-ja ka lënë një derë të hapur për avancimin e rrugës integruese të Kosovës, hapin e parë duhet ta bëjë Kosova. Në këtë drejtim, raporti qartazi nënvizon rëndësinë e avancimit të dialogut si element kyç për ofrimin e statusit të vendit kandidat Kosovës. Dhe në këtë sens, ndonëse vitet po kalojnë dhe kemi çdo vit raport të ri të BE-së për Kosovën, në fakt gjëja më e rëndësishme ngelet e pandryshueshme. Dialogu ka qenë dhe ngelet përcaktuesi kyç, nëse jo i vetmi, i hapërimit të Kosovës drejt BE-së. Ajo çfarë vettingu është për Shqipërinë, apo ndryshimi i emrit për Maqedoninë e Veriut, për neve ngelet dialogu.