Problemi i Kosovës është se prej kur është çliruar, ajo e ka ndërtuar shoqërinë e skemave sociale – pra krijimin e një rendi të gjatë klientësh që kanë marrë nga një copë buxhet në këmbim të një vote apo të ndonjë favori. Po të llogariteshin krejt paratë që janë derdhur në emër të kësaj apo asaj skeme sociale do të dilnin miliarda. Miliarda që kanë mundur të investoheshin në krijimin e vendeve të punës. Në vend të kësaj, këta miliarda kanë krijuar një shtresë të madhe parazitësh që më parë pajtohen ta marrin një 170 euro duke ndenjur në shtëpi, sesa t’i marrin po ato 170 euro duke punuar
Kjo Kosovë është, përfundimisht, vend i vakive. Se është vend ideal për pasurim tashmë e kemi folur me vite e vite dhe ky është rrëfim i cili duket se nuk ka fund.
Të enjten u bënë publike deklarimet e pasurisë së politikanëve dhe se si u bë puna, askush nuk e di, porse dolën që ishin pasuruar shumë sish ndërmjet deklarimesh. I vetmi që nuk kishte shënuar asnjë përfitim është kryeministri Kurti, i cili i deklaroi 400 e ca euro para në bankë.
Tek e dëgjoja kronikën në lajme për atë se kush kish blerë, shtëpi, banesë, garazh, truall a veturë, te të gjithë do të hasej formulimi njëjtë: pasuri e blerë nga kursimet e tek tuk edhe nga kredia. E tash duke e pasur parasysh se shumica e tyre janë politikanë, deputetë, ministra, etj., pa ndonjë angazhim shtesë profesional, njëmend çuditem se si ia dalin të kursejnë aq shumë para sa për t’u bërë me prona e për t’u bërë edhe me vetura tepër të shtrenjta. Megjithatë, nuk janë ata njerëzit me të hyrat më të mëdha në vend.
Me gjasë, kurrë nuk e kam kuptuar se si kursehet paraja në Kosovë – përfundimisht, po dal të jem menaxhere shumë e dobët e parasë.
Dëshpëruese të gjitha këto deklarata pasurie – sepse pavarësisht qeverive e partive në pushtet, po del se ata që merren me politikë, hiq ca përjashtime të rralla, përherë do të kenë para dhe përherë do të jenë shtresa e kamur e kësaj shoqërie.
Dikush do të thotë – po mirë që janë të pasur, se nuk na vjedhin më. Porse edhe dikush tjetër do të thoshte që ai që ka shumë para, përherë do të kërkojë të ketë edhe më shumë para. Si e tek – gjithnjë me “trashëgimi”, “dhurata” e “kursime”.
* * *
Në këto dy dekadat e fundit përherë jemi sjellë rreth e përqark për t’u kthyer aty nga jemi nisur, pa bërë ndonjë ndryshim përmbajtjesor.
Nuk po e mbaj më në mend qe sa vjet flitet për pensionet e veteranëve, për ligjin, për numrin e fryrë, për abuzime e për shumë gjëra që lidhen për ta. Pas disa vjetësh qetësie të blerë me një ligj i cili nga fillimi kishte qenë i lidhur për rrogën minimale në Kosovë, tash sërish u bënë temë debati e protestash, për shkak se me kalimin e një pako ligjesh që e rregullojnë çështjen edhe të rrogës minimale, përnjëherë shpërtheu mllefi i veteranëve.
Të enjten e kaluan thuajse gjithë ditën para Kuvendit të Kosovës duke i akuzuar politikanët, kryesisht të pushtetit, se po u hyjnë në hak dhe se po i diskriminojnë me këto ligje. Porse asnjëri nga ta nuk bëhet i sinqertë që t’i pranojë dy gjëra: se Ligji për veteranët kishte ndryshuar më 2017 dhe po të aplikohej ai ligj, atëherë, veteranët do të merrnin më pak para dhe e dyta, se edhe ata vetë e dinë se numri i atyre që kanë fituar status veterani dhe fitojnë para bazuar në ligj, është tejet i fryrë dhe për pasojë, marrin më pak para, sepse i ndajnë me shumë njerëz që janë futur aty nga politikanët e ndryshëm të cilët i kanë shikuar si vota e jo si bashkëluftëtarë.
Po e citoj një deklaratë, thënë nga Hashim Thaçi më 2018-n, atëherë kryetar i Kosovës: “E vërteta është më se e qartë. Nuk ka pasur më shumë se 12-15 mijë njerëz me, apo luftëtarë me armë dhe me uniformë, ndërsa të gjitha të tjerat janë mashtrime. Për arsye të këtij mashtrimi të madh, me humbje të madhe të Buxhetit të Republikës së Kosovës do t’i shkohet deri në fund përmes drejtësisë, e jo kërcënimeve apo presionit politik” (Konferenca Rajonale Kundër Korrupsionit, Prishtinë, 4 tetor 2018).
Sipas shënimeve të Ministrisë së Financave, Kosova u paguan pensione prej 170 eurosh 37 mijë vetave që quhen veteranë. Pra, mbi 6 milionë euro në muaj, apo mbi 75 milionë euro në vit është ajo që e ndan buxheti për veteranët përnjëmend e edhe për ata falsë. Pra, po qe se deklarata e Thaçit është e saktë, dhe po të eliminoheshin mbi 20 mijë “veteranë” që nuk do të duhej të ishin aty, atëherë natyrisht se veteranëve përnjëmend do të kishte hapësirë madje për t’ua dyfishuar pensionet. Vetëm po të pastroheshin listat.
E listat më mirë se kush do të duhej ta pastronin vetë veteranët. Unë po të isha veterane do të plasja nga inati që dikush që nuk ka qenë të barazohej me mua. Dhe do ta denoncoja, ngase pos që e mashtron shoqërinë, edhe po e zhvat buxhetin. Porse jo, veteranët thonë, kjo është punë e gjyqit. E nuk është. Punë e gjyqit është që të vlerësojë përgjegjësinë penale të atyre që kanë futur me mijëra njerëz në listë duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.
Porse problemi real i kësaj shoqërie nuk janë këto çështje që ngrihen e fryhen nga politika për kalkulime partish. Problemi i Kosovës është se prej kur është çliruar, ajo e ka ndërtuar shoqërinë e skemave sociale – pra krijimin e një rendi të gjatë klientësh që kanë marrë nga një copë buxhet në këmbim të një vote apo të ndonjë favori.
Po të llogariteshin krejt paratë që janë derdhur në emër të kësaj apo asaj skeme sociale do të dilnin miliarda. Miliarda që kanë mundur të investoheshin në krijimin e vendeve të punës. Në vend të kësaj, këto miliarda kanë krijuar një shtresë të madhe parazitësh që më parë pajtohen ta marrin një 170 euro duke ndenjur në shtëpi, sesa t’i marrin po ato 170 euro duke punuar.
Është fakt i pamohueshëm se rrogat në Kosovë janë të ulëta. E janë të tilla për shkak se paratë që i prodhojmë bashkë nuk krijojnë punësim, por shërbejnë për të paguar një numër të pafund zyrtarësh të shërbimit civil, që gjithashtu barazohen me vota, sikurse një numër anormal njerëzish që marrin pak para nga një grumbull skemash që bëjnë shumë para në fund.
E kjo është logjikë që i përcjell edhe ata deputetë të cilët me ngulm po insistojnë që të kalohet çështja e tërheqjes së 30% të kursimeve, duke mos e marrë parasysh asnjë argument të vetëm. Instituti GAP e ka bërë një studim dhe aty ka konstatuar se 337.788 qytetarë (48,5% e kontributpaguesve) kanë më pak se 1.000 euro kursime në Trust. Nëse ligji kalon, ata/ato do të marrin mesatarisht vetëm nga 96,47 euro. Pra, ata që do të përfitonin më së shumti janë ata që kanë më së shumti kursime.
Çështja e dytë është se, po qe ligji miratohet, dhe nis zbatimi i tij menjëherë, jam thuajse qind për qind e sigurt se krejt këto para nuk do të mbesin në Kosovë, por do të shkojnë në Shqipëri.
* * *
Dhe nuk do të shkojnë vetëm për pushimet verore, porse do të shkojnë edhe për Sunny Hill Festivalin, i cili në formë të vrullshme e teatrale, u zhvendos në Tiranë.
Natyrisht se fituesja më e madhe del të jetë Tirana, për shkak se pos që do ta marrë vëmendjen rajonale e botërore, do të fitojë edhe para dhe do të hapet për hala turizëm. Humbësja më e madhe është Kosova, pa diskutim.
Se a ka mundur të ishte ndryshe, me siguri se po. Porse duket se këtu ka më shumë fajtorë se përse Festivali me nam, “u desh” të shkojë në Tiranë.
E para ka qenë kërkesa për tokë në shfrytëzim për 99 vjet. Ka mundur të ishte më e shkurtër pa asnjë problem dhe investimi në të do të ishte kontribut i familjes Lipa për kulturën e Prishtinës.
E dyta ka qenë koha e shkurtër nga shfaqja e kërkesës deri te mbajtja e ngjarjes: 17 hektarë tokë nuk janë banesë njëdhomëshe që të mund të rrethohet, rregullohet, adaptohet e çka mos tjetër që nevojitet për ta bërë atë park funksional. Gjasat janë që vetë kërkuesi i tokës do ta ketë parë se ka telashe me kohën që ikën shpejt, dhe se nuk do të mund ta aftësonte djerrinën e famshme për ta mbajtur Festivalin.
E treta ka qenë paqartësia juridike në raport me palët: a ishte marrëveshja mes një OJQ-je dhe Komunës apo e një firme private dhe Komunës. A ishte qëllimi final filantropia apo biznesi apo që të dyja. Nuk u bë e qartë as pse u desh të intervenonte MAPL dhe në fund, se pse u zu i “papërgatitur” ministri me zhvillimet që ndodhën shpejt e me gjasë edhe me paralajmërim.
E fundit, sa për ta përmbledhur një debat të gjatë e të gjerë, mund të ketë qenë joshja nga Tirana që është nisur më moti. Si u bë që biletat që qiteshin në shitje për ta mbajtur festivalin në djerrinë, e që më pas, koncerti të bartej në parkun e qytetit të Tiranës, që nuk e di sa hektarë i ka, dhe ku askush askujt nuk ia premton tokën në shfrytëzim për 1 a 100 vjet.
Sido që të jetë, humbës dalim ne. Jo vetëm pse e humbim festivalin. Porse pse humbim kohë dhe energji në gjërat që nuk do të duhej të ishin të komplikuara, sidomos meqë prej tyre nuk na varet vetë ekzistenca.
* * *
Vazhdojmë të vendnumërojmë. Sillemi rreth e përqark dhe edhe pas njëzet vjetësh, i tjerrim temat e njëjta: kopjimi në teste të arritshmërisë; keqpërdorime në shërbimin shëndetësor; pasurimi brenda natës i politikanëve; djerrina bujqësore përnjëmend se s’ka kush e punon tokën përderisa papunësia është më e larta në rajon; gjyqësor që fle; mashtrime, hajni, keqpërdorime, monopolizim...
Po edhe robotë të ishim, do të ndiheshim të dërrmuar...