Misioni ynë është i pajisur mirë dhe i pozicionuar mirë për të adresuar çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë. Dhe ne do të vazhdojmë të mbështesim dialogun politik për të ecur përpara. Në emër të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja, ju shpreh urimet më të përzemërta për një Vit të Ri paqësor dhe të begatë
Së pari, ndihem i privilegjuar dhe i nderuar të jem komandanti i parë i KFOR-it i cili merr përsipër një përgjegjësi kaq të rëndësishme për herë të dytë, në historinë e këtij misioni të rëndësishëm të NATO-s. Ky emërim jep një ndjenjë vazhdimësie dhe dëshmon përkushtimin e palëkundur të Aleancës së Atlantikut ndaj stabilitetit rajonal në një moment kaq historik për Kosovën dhe për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Kjo gjithashtu pasqyron angazhimin afatgjatë të Turqisë ndaj misionit të KFOR-it, ndaj stabilitetit në rajon dhe ndaj sigurisë sonë të përbashkët euroatlantike.
KFOR: Një aktor i besueshëm dhe garantues i stabilitetit
KFOR-i është misioni më i gjatë dhe aktualisht më i madh i NATO-s. Ai ka një qëndrim të dukshëm, fleksibil, mirë të pajisur dhe agjil në gjithë Kosovën. Ka një mandat të qartë, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, i cili informon të gjitha aktivitetet e tij të përditshme, duke filluar nga patrullimet, angazhimet me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve lokale, deri te mbështetja e projekteve të zhvillimit ekonomik, vetëm për të dhënë disa shembuj. Për më shumë se 26 vjet, KFOR-i ka ndihmuar në krijimin dhe ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, pa dallim etnie, feje apo përkatësie politike. Gjatë vitit 2025, situata e sigurisë ka vazhduar të jetë qetë. Megjithatë, ende është e brishtë për shkak të një numri çështjesh të pazgjidhura. Në këtë kontekst, KFOR-i ka vazhduar të kryejë misionin e tij, plotësisht, në mënyrë profesionale dhe të paanshme, dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si përgjegjës për sigurinë.
Mbështetja e një zgjidhjeje politike të qëndrueshme
Përmes KFOR-it, NATO po ofron kontribute të rëndësishme ushtarake për stabilitetin në rajon. KFOR-i mbetet i fokusuar tërësisht në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij të OKB-së. Kjo është ajo që burrat dhe gratë nën komandën time do të vazhdojnë të bëjnë, çdo ditë. Duke pasur parasysh këtë, siguria e qëndrueshme në Kosovë, dhe nëpërmjet saj stabiliteti në të gjithë rajonin, janë përfundimisht politike dhe varet nga të gjitha palët të zgjedhin dialogun dhe bashkëpunimin në vend të dhunës. Prandaj, NATO vazhdon të mbështesë fuqimisht dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të lehtësuar nga BE për të adresuar çështjet e hapura dhe ndjekur zgjidhje të qëndrueshme që respektojnë të drejtat e të gjithë njerëzve dhe komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Unë dhe ekipi im kemi qenë në kontakt të ngushtë me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë gjatë gjithë vitit. Përmes pranisë dhe aktiviteteve tona të përditshme, KFOR gjithashtu përpiqet të ruajë një kornizë sigurie në mbështetje të përpjekjeve të rëndësishme dhe të vazhdueshme diplomatike. Tani është shumë e rëndësishme që Beogradi dhe Prishtina të tregojnë fleksibilitet dhe të bëjnë kompromiset e nevojshme për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese. Kjo është e vetmja rrugë drejt sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetit rajonal, për të mirën e të gjitha komuniteteve.
Kontributi në një qasje gjithëpërfshirëse
KFOR-i aktualisht përbëhet nga më shumë se 5200 trupa që kontribuojnë nga 33 shtete, përfshirë aleatët dhe partnerët e NATO-s. Misioni ynë kështu pasqyron një përpjekje kolektive dhe shumëpalëshe. Përfundimisht, efektiviteti i KFOR-it është ndërtuar mbi bashkëpunimin e fortë që ka zhvilluar dhe vazhdon ta konsolidojë me shumë partnerë. Koordinimi ynë i ngushtë me EULEX-in, UNMIK-un dhe OSBE-në, si dhe me bashkësinë më të gjerë diplomatike ne Kosove, mbetet thelbësor për adresimin e sfidave dhe nxitjen e stabilitetit. Në të njëjtën kohë, KFOR-i mban bashkëpunim të mirë dhe shkëmbim me aleatët fqinjë dhe aktorë të tjerë në Ballkanin Perëndimor, si dhe përfiton nga ekspertiza e tyre e vlefshme rajonale. Për më tepër, ka zhvilluar një bashkëpunim të mirë me organizatat e sigurisë në Kosovë dhe Forcat e Armatosura Serbe. Në përgjithësi, kjo qasje gjithëpërfshirëse kontribuon në sigurinë në Kosovë dhe në stabilitetin në mbarë Ballkanin Perëndimor.
Së Bashku Më të Fortë për Paqe
Motoja e misionit tonë, “Së Bashku Më të Fortë për Paqe,” pasqyron thelbin e përpjekjes kolektive për të vendosur dhe ruajtur paqe e siguri afatgjatë në Kosovë dhe në gjithë rajonin. Kjo përfundimisht mbështet dëshirën që kanë njerëzit në të gjitha komunitetet: të jetojnë në paqe, të vazhdojnë jetën e tyre të përditshme dhe të planifikojnë një të ardhme të lirë nga paqartësitë dhe rreziqe e dhunës së përsëritur. Kjo është arsyeja pse ne jemi të vendosur të vazhdojmë të japim kontributet tona në të gjitha përpjekjet që synojnë të nxisin respektin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë dhe dialogun konstruktiv ndërmjet të gjitha komuniteteve.
Duke parë drejt vitit 2026
Ndërsa i afrohemi vitit 2026, misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO mbetet i përkushtuar ndaj mandatit të tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të kontribuuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. Angazhimi ynë ka qenë i palëkundur për më shumë se dy dekada dhe është po aq i fortë sot. Progresi i arritur gjatë viteve nuk duhet të rrezikohet. Ai duhet të ruhet dhe të forcohet. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë të luajmë rolin tonë për këtë qëllim. Misioni ynë është i pajisur mirë dhe i pozicionuar mirë për të adresuar çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë. Dhe ne do të vazhdojmë të mbështesim dialogun politik për të ecur përpara. Në emër të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, ju shpreh urimet më të përzemërta për një Vit të Ri paqësor dhe të begatë. Uroj që viti 2026 të sjellë shpresë, lidhje të forcuara dhe një angazhim të përbashkët për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë.
Autori është Komandant i KFOR-it