Niveli i papërgjegjësisë politike dhe përqendrimi i të gjithë vëmendjes te pushteti me automatizëm shpërqendrojnë vëmendjen nga krejt gjërat e tjera që ndodhin përreth. Shpërqendrojnë nga sistemet e shtetit që duhen të përkujdesen për zhvillimin e shoqërisë dhe ta mbajnë atë të shëndoshë. Që duhen të parandalojnë krijimin e zbrazëtirave të cilat me lehtësi mbushen nga të tjerët, e që nuk kanë të bëjnë me shtetin
Është festë fetare – një nga gjashtë prej njëmbëdhjetëve sa i njeh Ligji për festat zyrtare të një shteti laik. Dhe vit pas viti, ajo që po del në sipërfaqe është, ndikimi përherë më i madh i fesë në shoqëri. Pa dyshim, feja ose jo, besimi ose jo, janë përzgjedhje personale të secilit. Dhe ashtu do të duhej të ishte. Dhe të mbeste.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSe si do të zhvillohet kjo punë në vitet në vijim, do të varet shumë nga pushteti ekzekutiv që do ta udhëheqë këtë vend. Se sa tolerant do të tregohet edhe për ndërrimin e orarit shkollor për t’i akomoduar fëmijët agjërues apo edhe për “sëmurjen” e menjëhershme dhe kolektive të stafit mësimor, mu natën e Bajramit, për t’i lëshuar fëmijët nga shkolla bile një orë më herët. Apo edhe për udhëzimet brenda institucioneve që lejojnë që shërbyesit civilë, apo më mirë thënë shërbyeset civile, të mos kthehen nga pauza e drekës, një ditë para festës zyrtare. Apo edhe për të prishur objekte shkollore e për t’i zëvendësuar ata me tempuj fetarë...
Shumë do të varet se sa kujdes do t’i kushtojnë një sistemi arsimor të degraduar madje edhe në kushte kur ka përherë e më pak nxënës të cilët kalojnë nëpër këtë sistem. Apo se ndoshta do të vazhdojnë me idenë e secilit ekzekutiv që e ka udhëhequr këtë vend që nga çlirimi – se arsimi jo i mirë e lehtëson kontrollin mbi masën. Në vend se arsimi të forcohet si mjeti për të mbërritur më larg dhe me më shumë cilësi.
Shumëçka do të varet nga orientimi që do t’i jepet shoqërisë dhe ndikimit të saj në përkufizimin e natyrës së shtetit që duam ta kemi – a do të mbesim republikë laike me të gjitha shkarjet që janë manifestuar ndërkohë, apo do të marrim kah tjetër. Cilado të jetë përzgjedhja, le të bëhet, mundësisht, pa “revolucione” të dhunshme.
* * *
Nëse kryetari i ri i shtetit duhet të zgjidhet sipas asaj që e thotë Kushtetuta, zgjedhja duhet të ndodhë 30 ditë para skadimit të mandatit, pra më 5 prill. Tashmë është evidente se VV-ja po i përmbahet marrëveshjes me Listën Guxo dhe do ta propozojë Vjosa Osmanin për kandidate. Për t'u zgjedhur, në sallë patjetër duhet pasur së paku 80 deputetë dhe duhet pasur 80 fletëvotime në kutinë e zgjedhjeve.
Çelësi është te LDK-ja - pjesëmarrja e 15 deputetëve të saj në seancë dhe hedhja e votës, edhe në qoftë abstenim a kundër, do të duhej të mjaftonte, krahas edhe 9 votave të pakicave joserbe. Do të siguroheshin 82 vota, të mjaftueshme për kuorum.
LDK-ja ka mbetur të takohet edhe një herë me Vjosa Osmanin për të vendosur përfundimisht se si do të veprojë, porse që tash, presioni ndërkombëtar, sado diskret që po tingëllon, po tregon se prioriteti mbi prioritetet për Kosovën është zgjedhja e të gjithë bartësve të institucioneve dhe ndalja e krizave të njëpasnjëshme politike.
Zgjedhja e Osmanit apo kujtdo që do të mund t'i siguronte votat e nevojshme për ta proceduar zgjedhjen do ta përmbyllte një cikël aksidentesh të mëdha politike që i kemi përjetuar që nga çlirimi.
Këtë e kisha shkruar para pesë vjetësh në zgafellen e 26 marsit 2021. Qe përshkrimi i situatës së krijuar para zgjedhjeve të parakohshme që u mbajtën më 14 shkurt 2021, ku VV-ja i kishte 58 deputetë, PDK-ja 19, LDK-ja 15 dhe AAK-ja 8. Te minoritetet, LS-ja i kishte 10 dhe 10 të tjera ishin shpërndarë mes komuniteteve të tjera.
Historinë tashmë e dimë – Osmani u zgjodh, kryesisht falë deputetëve të LDK-së që e siguruan kuorumin e nevojshëm. Pesë vjet më vonë, gjërat kanë ndryshuar. Nuk ka marrëveshje Kurti-Osmani, ndërkohë që numri i ulëseve ka ndryshuar vetëm pak: VV-ja i ka 57 deputetë, PDK-ja 22, LDK-ja 15 dhe AAK-ja 6. Te minoritetet, LS-ja i ka 9 dhe 11 janë shpërndarë mes komuniteteve të tjera dhe partisë së Rashiqit. Të kujtojmë që edhe më 2021, fituesi i zgjedhjeve i ka mbajtur të tri postet më të larta shtetërore.
Por, kësaj radhe, interpretimi i shumëllojshëm i dy dispozitave, bënë që çështja të shkojë në Kushtetuese dhe që nga kjo e fundit të varet procedura e mëtejme.
Po qe se Kushtetuesja vendos se dekreti i Osmanit është kundërkushtetues dhe se procedura brenda afatit 30-ditor është iniciuar por nuk është konsumuar, topi sërish do të kthehet te opozita dhe aktgjykimi i Kushtetueses që i detyron deputetët ta krijojnë kuorumin dhe të votojnë ose të abstenojnë.
Kjo, natyrisht, nëse Kushtetuesja nuk do të parashohë sanksion për “çka nëse deputetët nuk marrin pjesë në votim” dhe nëse partitë opozitare janë të vendosura që të shkohet në zgjedhje të reja parlamentare brenda një afati relativisht të shkurtër.
Dhe, edhe njëherë, ku do të dëshmohej se dashuria e proklamuar e politikanëve për Kosovën nuk është veç e proklamuar, por është përnjëmend.
Sepse humbësi më i madh i krizës së tejzgjatur politike është populli i Kosovës që disi ia del ta mbijetojë edhe krizën e thellë ekonomike që është pasojë e drejtpërdrejtë edhe e asaj politike.
* * *
Nisja e punës së kësaj qeverie, në fakt është fillimi i ri i zbatimit të një fryme e ideje që ishte paraqitur e bukur dhe shpresëdhënëse më 2020, kur u votua Qeveria e koalicionit VV-LDK. Doli të ishte një iluzion dhe në fund dëshpërim i madh për kosovarët e lodhur nga keqqeverisja dydekadëshe. Ëndrrat u shpartalluan në kohën më të keqe të mundshme, në mes të pandemisë, dhe gjërat vetëm sa shkuan dhe u përkeqësuan.
Pra, tash në fakt rinis fryma e proklamuar e ndryshimit. Dhe rinis në rrethana të ndryshme - nuk ka koalicion mes partish që nuk ia patën besën njëra-tjetrës. Ka një parti dhe një listë që flasin me të njëjtën gjuhë sa u përket qëllimeve që duan t'i arrijnë. Nuk e di nëse do të ketë pajtim sa u përket metodave që do të zgjidhen për t'i zbatuar këto ide. Kjo do të jetë çështje e cila do të përcillet prej së afërmi së bashku me efektet që do t'i ketë.
Paraqitja e Kurtit para parlamentarëve qe një deklamim qëllimesh se do të arriheshin shumë gjëra të cilat nëse analizohen më hollësisht do të jenë vështirë të realizueshme, madje edhe për një mandat qeveritar. Ajo që mungoi, siç i ka munguar secilës Qeveri kur e ka marrë pushtetin, ka qenë programi qeverisës - i detajuar, që do të duhej të parashihte rezultate dhe indikatorë matës. U premtua se programi do të zhvillohej, porse nuk u tha se kur do të paraqitej para publikut. Një gjë është e sigurt: sa më shumë vonesa në paraqitjen e këtij programi, aq më keq për masat që duhen ndërmarrë për t'i shtyrë gjërat para.
Edhe kjo qe shkruar para pesë vjetësh. Te periudha e fundit nuk ka ama bash asnjë dallim – u votua një qeveri, pa program qeverisës. U premtua se ai do të zhvillohej – thuajse pesë vjet pushteti nuk mjaftuan për këtë.
Citimi i kësaj shërben edhe për të vërtetuar se “fryma e proklamuar e ndryshimit” nuk ka qenë gjë tjetër pos një vegimi dhe se nuk ka pasur pajtim sa u përket metodave që u zgjodhën për t’i zbatuar idetë, që kryesisht mbetën në letër (me shumë pak përjashtime).
E gjitha u reduktua në ambiciet personale të të dy liderëve: njërit për ta mbajtur ekzekutivin edhe në bazë të interpretimeve juridike nga një ekonomist dhe tjetrës për ta mbajtur postin e kryetares me çdo kusht, përfshirë edhe shkeljen potenciale të Kushtetutës duke ia bartur vetes të drejtat diskrecionale që nuk i parasheh akti më i lartë juridik.
Në pesë vjetët e fundit nuk është se ka pasur më shumë ndryshime pozitive – së paku kështu e shohin njerëzit që shkelin mbi tokë dhe nuk ia bëjnë vetes qejfin se “krejt punët janë në dyzen”. Për më tepër, viti i fundit ka qenë një ndër më të rëndët për vetë qytetarët: ata që kishin fuqi vendimmarrjeje nuk kanë pasur si ta ndienin krizën, për shkak se mbështeteshin mbi buxhetin të cilin vetë e përcaktonin si duhej shpenzuar, derisa të tjerët punonin për t’ua mbushur thesarin.
* * *
Niveli i papërgjegjësisë politike dhe përqendrimi i të gjithë vëmendjes te pushteti me automatizëm shpërqendrojnë vëmendjen nga krejt gjërat e tjera që ndodhin përreth. Shpërqendrojnë nga sistemet e shtetit që duhen të përkujdesen për zhvillimin e shoqërisë dhe ta mbajnë atë të shëndoshë. Që duhen të parandalojnë krijimin e zbrazëtirave të cilat me lehtësi mbushen nga të tjerët, e që nuk kanë të bëjnë me shtetin.
Nuk ka më keq se të jetosh në iluzion, ngase zgjimi dhe kthimi prapa në realitet di të jetë shumë tronditës dhe me efekte të rënda që marrin shumë kohë për t’u shëruar, nëse mbërrijnë ndonjëherë të shërohen.
Nuk na duhen zgjedhje të reja, se nuk do të sjellin ndonjë ndryshim substancial – mund të ndryshojnë numrat e përfaqësuesve në Kuvend, por nuk do të ndryshojë thelbi i problemit, e që janë politikanët që aktualisht e bëjnë cirkun politik në Kosovë. Ata, e kemi thënë sa herë tashmë, që nuk shohin përtej hundës së tyre.