OpEd

Si festohet ashtu jetohet

Për fat të keq festat shtetërore e nacionale kosovare, e këtu s’bën përjashtim as 17 shkurti, janë festa kryesisht retrospektive. Është bërë “praktikë” kjo. Por edhe kujtimi e përkujtimi duhet të kenë një qëllim: shikimin drejt të ardhmes, duke punuar për të mirën e përgjithshme dhe të të gjithëve.

Është e kuptueshme që e kaluara (e përgjakshme, e vështirë, e lavdishme, me plot sakrifica) nuk duhet dhe nuk mund të harrohet. Dhe duhet të kujtohet. Por edhe kujtimi e përkujtimi duhet të kenë një qëllim: shikimin drejt të ardhmes, duke punuar për të mirën e përgjithshme dhe të të gjithëve. E kaluara nuk duhet të përkujtohet vetëm për hir të së kaluarës, sepse kjo do ta deformonte edhe sakrificën e njerëzve që janë angazhuar për liri. Ata këtë e kanë bërë për një të ardhme më të mirë. Përgjegjësinë për të ardhmen më të mirë ata ua kanë lënë të gjallëve dhe gjeneratave të ardhshme. E kaluara nuk është qëllim në vetvete.

Për fat të keq festat shtetërore e nacionale kosovare, e këtu s’bën përjashtim as 17 shkurti, janë festa kryesisht retrospektive. Është bërë “praktikë” kjo. Me fjalime, me citate, me gjeste, me akte, me ceremoni – pothuaj gjithçka është një ritual retrospektiv, (as)pak reflektues dhe rrallëherë me shikim nga e ardhmja.

Pastaj çdo kujtim e përkujtim turbullohet sepse përherë dikujt i mbetet hatri për diçka, dikush dëshiron t’i ketë të gjitha meritat, tjetri dëshiron edhe më shumë: ta përvetësojë krejt historinë. Në këso situatash më të rëndësishme janë egot e politikanëve se sa mesazhi gjithëpërfshirës. Kjo kacafytje egosh është më e lehtë se sa të tregosh për ndonjë rezultat konkret. E rezultati matet me vendet e hapura të punës, matet me investimet e sjella sidomos pas vitit 2008, matet me cilësinë e administratës dhe demokracisë së ndërtuar, matet me suksesin e luftës kundër deformimeve të mëdha në shumë sfera. Kur çalon në këto sfera, mbetet egoja. Dhe (keq)përdorimi i së kaluarës.

Një qasje më ndryshe do të ishte sikur të ekzistonte një gatishmëri për të jetuar me dallime politike dhe botëkuptimore, me kusht që këto dallime të mos e prekin truallin e ligjit themelor të shtetit, kushtetutën. Një qasje më ndryshe do të ishte sikur në plan të parë të çdo kujtimi, por edhe shikimi ndaj të ardhmes të vendoseshin njëherë të gjithë njerëzit, gra e burra, fëmijë e pleq. Që të ketë respekt për të gjitha biografitë dhe jo vetëm për disa biografi njerëzish me ambicie për të grabitur historinë për interesa personale, private, fisnore, klanore, partiake apo rajonale.

Përgjegjësia për të ndërtuar shtetin është në duart e të gjithë kosovarëve dhe kosovareve. Se si do të ndërtohet ky shtet, për këtë mund të ketë përballje mendimesh dhe mendime të ndryshme. Por si ndërtues shteti nuk mund të pranohen ata që pothuaj e kanë shkatërruar Kosovën me keqqeverisje permanente. Ata mund të bëhen pjesë e projektit për ndërtimin e shtetit pasi të kalojnë nëpër një proces reformimi e pastrimi disavjeçar (përfshirë edhe ndjekjen penale nëse ka dëshmi). Kush dyshohet se ka vjedhur, duhet të përgjigjet para drejtësisë. Ata që i mbrojnë vjedhësit dhe ju thurin elozhe, duhen të ndëshkohen me votë.

Rezistenca kundër ndryshimeve pozitive është e madhe, agresive, shpesh primitive. Motivet e kundërshtarëve të ndryshimeve janë transparente: mbrojtja e privilegjeve të pamerituara dhe pasurisë marramendëse të grumbulluar nga tenderomania shumëvjeçare. Dikush akuzohet apo dyshohet për 53 milionë euro të keqpërdorura, dikush për 53 kilogramë drogë të kontrabanduar, dikush për kontroll 20-vjeçar të KEK-ut dhe ndërmarrjeve të tjera publike. Është mjaft indikative të shihet se kush hesht ndaj këtyre deformimeve. Heshtin ata që janë prodhim i sistemit të kalbur. Nostalgjia ka shumë fytyra. Edhe primitive dhe të zeza.