E atij vendi ka filluar që t’i vijë era shtet. Ku ishin analistët dhe zhurmaxhinjtë e shumtë asokohe dhe ku janë ata edhe sot? Dita-ditës na e qartësojnë pse bëhet e gjithë kjo zhurmë dhe se çfarë lojërash të pista janë luajtur prapa skenave dhe me paranë e taksapaguesit kosovar në dëm të shtetit. U botuan dhe publikuan monografi për financimin e të cilave asnjëherë nuk u bënë pyetje e aq më pak hulumtime apo marrje në pyetje të ndokujt. Shitej toka shtetërore dhe përvetësohej me çmim një euro për ari nga ana e të fortëve të luftës, gllabërohej çdo gjë që mundej të gllabërohej në emër të luftës dhe patriotizmit të bishtit të çiftelisë
Nuk ke se si të qëndrosh indiferent këtyre ditëve dhe të mos flasësh për futboll. Tashmë është arritur pika kulmuese e këtij kampionati evropian të futbollit, pasi që finalistët veçse po dihen. Të jetosh në Angli dhe të jesh pjesë e një historie të re, e cila po shkruhet me të vërtetë, është një ndjesi e veçantë edhe sikur po të ishe injoranti më i madh sa i përket sportit apo futbollit në veçanti.
Anglia nuk ka arritur në ndonjë finale të ndonjë kampionati ndërkombëtar qysh nga viti 1966, prandaj mund ta imagjinoni ekzaltimin e anglezëve me këtë të arritur të kombëtares së tyre. Se për çfarë euforie bëhet fjalë më së miri e ilustron rasti i mbrëmshëm kur u ftuan njësitë speciale të policisë që të intervenonin dhe t’i shpërndanin tifozët të cilët mbrëmë po festonin edhe duke hipur mbi kulmet e autobusëve ikonikë dykatësh të Londrës.
Kjo shënon herën e parë që Anglia ka arritur në finalet e “Euros”, një lajm i mirëpritur për vendin pas 18 muajsh të ashpër nga pandemia. Për ta përmbyllur këtë temën rreth futbollit, do të doja që të shtoja se këtu mbretëron një optimizëm se në ndeshjen finale kundër Italisë mund të shënohet fitore dhe se kjo gjeneratë e lojtarëve është ajo e duhura, e cila nën drejtimin e Gareth Southgate do të mund që ta shënonte këtë sukses historik.
Kur jemi te pandemia, Britania e Madhe pritet që t’i lehtësojë masat kundër Covidit më 19 korrik, me gjithë faktin se tashmë numri i të infektuarve e ka tejkaluar shifrën prej 30,000 në ditë, që është numri më i lartë i të infektuarve qysh prej janarit. Këtu tashmë flitet për një valë të tretë të pandemisë, e cila pritet që të ndodhë në muajt e vjeshtës dhe dimrit.
Nga kabllogramet vendore të ngjarjeve politike në vend do ta veçoja votimin e ditës së djeshme në Kuvendin e Kosovës, ku u miratua Rezoluta mbi gjenocidin në Srebrenicë.
Në bazë të Rezolutës dënohet ashpër gjenocidi i shtetit serb ndaj pjesëtarëve të popullit boshnjak dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut, si dhe dënohet çdo tendencë për të mohuar qëllimisht dhe publikisht gjenocidin e Srebrenicës, me qëllim të denigrimit të viktimave dhe fshehjen e motiveve të krimeve të kryera. Rezoluta po ashtu fton institucionet shtetërore që të nderojnë viktimat, dhe duke marrë parasysh se Parlamenti Evropian e ka shpallur këtë Ditë të Përkujtimit për gjenocidin në Srebrenicë, data 11 korrik të shpallet ditë përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë.
Personalisht mendoj se ky është një veprim i duhur i ligjvënësve të Kosovës, ku Serbisë i bëhet me dije se ne de facto jemi një shtet i pavarur dhe se Kosova nuk do të duhej të ndihej inferiore ndaj Serbisë në asnjë moment dhe në asnjë rast. Trysnia nuk do të duhej që të na bëhej neve qe sa vite me aktrimin e politikanëve serbë sikur ata të ishin viktimat dhe se kosovarët duhet të ishin ata të cilët duhej të bënin koncesione të shumta nga më të ndryshmet, gjë e cila kishte ndodhur në vazhdimësi në të kaluarën nga ana e politikanëve kosovarë.
Para disa ditësh e patëm edhe dënimin e parë për dhunimet e ndodhura gjatë luftës në Kosovë.
U deshën 21 vjet që gjykatat e Kosovës ta arrinin një rezultat të tillë. Dënimi më tingëlloi i butë për kriminelin Vukotiq, prej 10 vjetëve, mirëpo iu dërgua sinjal i qartë secilit kriminel të implikuar të luftës se drejtësia do t’i ndjekë kudo që ata të jenë, qoftë edhe në mungesë në gjykatë.
Dje edhe Prokuroria Speciale ka ngritur një aktakuzë kundër ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, dhe disa zyrtarëve të tjerë të kësaj ministrie.
Prokuroria Speciale njofton se e pandehura Dh.H. akuzohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me nenin 77 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Dhurata Hoxha, e cila vjen nga Partia Demokratike e Kosovës, ka qenë ministre në Qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.
Disa nga emrat e të pandehurve përmenden në një hulumtim të rrjetit BIRN në Kosovë, ku thuhet se “në vitin 2019, Ministria e Integrimeve Evropiane e Kosovës ia ka paguar 168,000 euro një kompanie lobimi me seli në Paris, që kishte promovuar idenë se ‘modifikimi i territorit’ mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë - Serbi".
Kjo ide, në të kaluarën, është promovuar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka thënë se ndryshimi i kufijve të Kosovës mund të ndodhë gjatë fazës së demarkacionit të kufirit me Serbinë. Sipas Thaçit, korrigjimi do të përfshinte tri komunat me popullatë shqiptare në jug të Serbisë - Preshevën, Medvegjën e Bujanocin - në kuadër të Kosovës.
E atij vendi ka filluar që t’i vijë era shtet. Ku ishin analistët dhe zhurmaxhinjtë e shumtë asokohe dhe ku janë ata edhe sot?
Dita-ditës na e qartësojnë pse bëhet e gjithë kjo zhurmë dhe se çfarë lojërash të pista janë luajtur prapa skenave dhe me paranë e taksapaguesit kosovar në dëm të shtetit.
U botuan dhe publikuan monografi, për financimin e të cilave asnjëherë nuk u bënë pyetje e aq më pak hulumtime apo marrje në pyetje të ndokujt.
Shitej toka shtetërore dhe përvetësohej me çmim një euro për ari nga ana e të fortëve të luftës, gllabërohej çdo gjë që mundej të gllabërohej në emër të luftës dhe patriotizmit të bishtit të çiftelisë.
U thanë lumenj e u gërryen kodra, edhe këto në emër të patriotizmit të varur në bisht të çiftelisë.
Po pra, jua kuptojmë dhimbjet dhe humbjen e privilegjeve të hajnisë pa rahmet, të cilën ia bëtë atij vendi, jua kuptojmë zhurmën dhe do të vazhdojmë që t'jua kuptojmë atë, pasi që po ju keni shumëçka për të humbur për të gjitha të bëmat dhe të zezat të cilat ia sollët dhe ia keni bërë Kosovës me apo "pa" vetëdije.
Jo sigurisht se kjo qeveri nuk është idealja e as e përsosura dhe për të ka mjaft hapësirë edhe për kritika, por e kam thënë gjithmonë që kjo do të jetë e para e cila do t’i fillojë proceset e dhimbshme të çkapjes së krimit, i cili ka ndodhur për dy dekadat e fundit në Kosovë e në të shumtën e rasteve i mbështjellë me petkun e patriotizmit. Në atë rrugëtim sigurisht se do të ketë edhe gabime, mund të ketë edhe keqpërdorime nga individë të cilët politikën e shohin vetëm si trampolinë e pasurimit individual, pasi që një mentalitet i tillë është instaluar për 20 vjetët e fundit. Asgjë për t’u çuditur këtu.
Sot Kuvendi i Kosovës do të debatojë mbi RTK-në, si dhe shkarkimin e Bordit menaxhues të saj. Se çka ka ndodhur në këtë transmetues publik dhe keqpërdorimet të cilat kanë ndodhur aty, si dhe në shndërrimin e tij në mjet propagandues për një parti/qeveri të caktuar. Ka shumë kohë që nuk e shikoj RTK-në dhe jam më se i sigurt se nuk jam i vetmi. Projekte të shtrenjta, abuzim me paranë publike. E kujtoj vetëm "Supersfidën" si një emision/program koti në mesin e dhjetëra të tillave pa kurrfarë substance e aq më pak ndonjë vlerë për të argumentuar shpenzimin e parasë publike dhe financimin e tyre. RTK-ja si transmetues publik ka shumë punë për të bërë së pari në vetorganizimin e saj e më pas edhe në përmbushjen e detyrimeve të saj ndaj qytetarit, taksapaguesit dhe shikuesit të saj.
Supersfidë do të jetë riorganizimi i RTK-së në një transmetues publik konkurrent kualitativ në tregun medial, si nga përmbajtja programore ashtu edhe nga cilësia programore dhe organizative, të cilën ajo do të duhej ta ofronte. E po aq e rëndësishme dhe supersfidë do të mbetet edhe qasja mbi politikën redaktoriale e cila nuk do të duhej të ishte në shërbimin e politikës ditore qeveritare, por në interes të gjithmbarshëm të qytetarëve dhe vendit. Transparenca dhe pavarësia redaktoriale mbi të gjitha.