Kuvendi i Kosovës, edhe pse me mjaft vonesë, në mënyrë unanime (hiq këtu Listën Serbe, e cila më nuk po është në gjendje të kushtëzojë partnerë të koalicionit, por vetëm mund t’i lëshojë mbledhjet e Kuvendit) aprovoi rezolutën për gjenocidin e bërë ndaj popullatës boshnjake të Srebrenicës. Një të tillë më herët e kishte bërë edhe Parlamenti i Malit të Zi. Kritika të ashpra për ata të cilët e mohojnë gjenocidin e bërë në Srebrenicë erdhën në të njëjtën kohë edhe nga qeveria britanike. Serbia vazhdon me avazin e vjetër, duke mohuar se në Srebrenicë ka ndodhur një gjenocid, përkundër aktgjykimeve e gjykatave të OKB-së, të cilat e kanë cilësuar si gjenocid
Futbolli nuk u kthye në shtëpi.
Shpresat e ngritura aq lart se pas 55 vjetësh reprezentacioni i Anglisë do ta fitonte vendin e parë në një turne ndërkombëtar u shuan pas humbjes nga penalltitë në lojën me Italinë.
Por ai që u kthye në shtëpi gjallë e shëndosh – dhe që është fenomen shumë brengosës për shoqërinë angleze – është racizmi.
Loja finale në Wembley ishte vetëm një shpërfaqje e gërditshme e problemeve të akumuluara të racizmit në këtë shoqëri, që zakonisht poligonin më të lehtë gjithmonë e ka gjetur ta shpërfaqë në stadiumet e futbollit nga huliganët e ekipeve të ndryshme të futbollit anglez, tash të veshur nën mburojën e petkut nacional.
Sidoqoftë, përgjigja nga ana e qeverisë ishte e menjëhershme. Kryeministri Boris Johnson ka sjellë vendimin që secilit "tifoz" që identifikohet nëpër rrjetet sociale për mllefin e vet racist do t’i ndalohet hyrja në stadiumet e Britanisë së Madhe përjetësisht, përveç edhe ndjekjes penale.
Në të njëjtën kohë UEFA ka sjellë procedime disiplinore kundër Federatës së Futbollit Anglez, me katër akuza – pushtimi në fushën e lojës nga mbështetësit e Anglisë, hedhja e objekteve nga mbështetësit, shqetësimet e shkaktuara nga mbështetësit gjatë intonimit të himnit kombëtar dhe ndezja e fishekzjarrëve nga mbështetësit e Anglisë.
Se cilat do të jenë dënimet e shqiptuara nga ana e UEFA-s për Federatën e Futbollit Anglez mbetet të shihet.
Në kabllogramet e ngjarjeve vendore nuk ke se si të mos e përmendësh rastin e infektimit të 1.800 banorëve të Deçanit, deri më tash nga shkaqe të panjohura.
Pjesa më e gërditshme e kësaj ishte marrja e "ekspertëve" –apo si quhen te ne "analistëve politikë" – edhe me këtë temë, pasi tashmë në temën e COVID-it ekspertiza e tyre po kërkohet edhe nga shtetet më të zhvilluara të botës. Gjithashtu, edhe njohuria e tyre nga lëmi i futbollit ka rënë në veshët e klubeve më të mëdha të futbollit në botë. Njohuria e tyre nuk ngec as në fushën e tredhjes së breshkave dhe sterilitetit të pinguinëve në Polin Verior. Për këto të fundit, organizata botërore “Green Peace” veçse i ka dërguar ofertat joshëse për analistët tanë.
Për të mos u mjaftuar me kaq, Kosova gjithashtu e ka edhe opozitën më të gërditshme të mundshme që një shoqëri do të mund t'ia dëshironte vetes.
Që në fillim do të dëshiroja që nga kjo fëlliqësi opozitare të mos i përfshija ambasadoren Vlora Çitaku dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, të cilët reagimet e tyre për këtë rast nuk i politizuan dhe patën qëndrime të matura dhe të pjekura politike.
Politikanë të tjerë e ftojnë popullin në protesta gjithëpopullore, siç ishte rasti me Bajram Gecajn e LDK-së, apo me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili po ashtu bëri një thirrje të ngjashme. Studiot televizive bëjnë sondazhe të tipit “Cilat mendoni se ishin shkaqet e helmimit të popullatës në Deçan?” Disa studio të tjera prodhojnë edhe lajme se qenkan parë dy serbë të dyshimtë, të cilët e paskan vizituar Manastirin e Deçanit atje nga data 27 qershor, siç shihej në një xhirim të një videoje nga kamerat e sigurimit. Panik dhe katrahurë koti mediatike gjithandej. Joprofesionalizëm gazetaresk fund e krye. Teori konspirative ende edhe pa ardhur rezultatet nga laboratorët përkatës në lidhje me pastërtinë e ujit të pijshëm nga mostrat e pusetave.
Të gjithë të "helmuarit" me një simptomatologji të lehtë, pas një trajtimi me rehidratim, ndihen më mirë dhe lirohen nëpër shtëpitë e tyre.
U morën shumë portale mediatike edhe me qëndrimin e kryeministrit Kurti në Greqi me familje, ku ai e bashkëshortja e tij janë të ftuar të një simpoziumi.
U morën me çmimet e qëndrimit në atë resort turistik, dolën shuma prej 5.000+ eurosh për një natë e çka jo tjetër. Në vetë prezantimin që ish-kryeministri grek ia bën kryeministrit të Kosovës z. Albin Kurti, ai ndër të tjerash i falënderohet nikoqirit të "Grand Resort Lagonissi", që për çdo mendje të shëndoshë, pa ndonjë prapavijë me përfitim politik, la të kuptohet se shpenzimet për qëndrimin aty ishin mbuluar nga nikoqiri.
Kaq sa u përket shpenzimeve 5.000+ euro për një natë.
Në listën e kërdive nuk kam se si të mos i përmend edhe masat të cilat do të "hiqen" më 19 korrik në Britaninë e Madhe sa i përket COVID-it. Janë dhënë udhëzimet e reja në lidhje me udhëtimet për në Britaninë e Madhe, apo për udhëtimet nga Britania e Madhe, ku shtetet e ndryshme janë cilësuar me ngjyra të semaforëve të kuq, të portokalltë dhe të gjelbër, varësisht nga shkalla e rrezikshmërisë së infektimit me virusin COVID.
Ato mund edhe të ndryshojnë nga ana e qeverisë pa ndonjë paralajmërim paraprak.
Ajo çka ndryshoi është se tashmë do të hapen klubet e natës, do të mbahen koncertet, e të gjitha aktivitetet e tjera që kanë të bëjnë me tubimin e masave, mirëpo kjo çështja e udhëtimeve dhe mënyrës se si janë kategorizuar shtetet me shkallën e rrezikshmërisë për infektim ngjason shumë me sistemin e votimit në Eurovision. Edhe puna e COVID-it është kthyer në çështje politike, me një qasje po ashtu politike. Vendet e gjelbra janë ca destinacione turistike ekzotike të cilat vetëm ata nga më të pasurit kanë mundësi t’i vizitojnë, ndërsa këto me ngjyrë portokalli e të kuqe, fontanë dëshirash qeveritare, sepse kriteret s’ka dreq që i kupton. Vaksinat dhe testet mbeten të domosdoshme para daljes nga Mbretëria e Bashkuar dhe para kthimit në Mbretërinë e Bashkuar. Para të shpenzuara kot, por disi duhet "rimëkëmbur" ekonominë.
Sapo e lexova lajmin se në Gjermani lajmërojnë për katër të vdekur, disa të zhdukur e shumë shtëpi të rrënuara si pasojë e vërshimeve pas reshjeve të mëdha të shiut. Por nuk lexova ende askund nga mediat gjermane se opozita e kërkon kthimin e menjëhershëm të kancelares Merkel nga vizita e saj në Amerikë te presidenti Biden, e as ftesë popullit për të dalë në protesta gjithëpopullore për shkak të moskthimit të saj. Dever dynja do të thoshin të moçmit!
Për fund, do të merresha me çështjen e gjenocidit në Srebrenicë. Kuvendi i Kosovës, edhe pse me mjaft vonesë, qoftë ajo vetëm edhe diçka simbolike, në mënyrë unanime (hiq këtu Listën Serbe, e cila më nuk po është në gjendje të kushtëzojë partnerë të koalicionit, por vetëm mund t’i lëshojë mbledhjet e Kuvendit) aprovoi rezolutën për gjenocidin e bërë ndaj popullatës boshnjake të Srebrenicës. Një të tillë më herët e kishte bërë edhe Parlamenti i Malit të Zi.
Kritika të ashpra për ata të cilët e mohojnë gjenocidin e bërë në Srebrenicë erdhën në të njëjtën kohë edhe nga qeveria britanike.
Serbia vazhdon me avazin e vjetër, duke e mohuar se në Srebrenicë ka ndodhur një gjenocid, përkundër aktgjykimeve e gjykatave të OKB-së, të cilat e kanë cilësuar si gjenocid. Këtë mohim e bëri përsëri në Berlin kryeministrja e shtetit serb, Ana Bërnabiq. Për çudi, në vendin ku ndodhi Holokausti nuk pati ndonjë reagim nga kjo deklaratë e Bërnabiqit. Mirëpo nga Bashkësia Evropiane dhe përfaqësuesi i saj i lartë, Josep Borell, erdhi një kritikë e ashpër në drejtim të Serbisë, duke thënë se në Evropë nuk ka vend për mohuesit e gjenocidit dhe ata të cilët mundohen ta rishkruajnë historinë me fakte të rrejshme.
Kjo ndoshta do të duhej të ishte ajo thirrja për zgjimin nga gjumi i thellë në të cilin është vënë Bashkësia Evropiane dhe injoranca e saj karshi Serbisë, e cila në fakt nuk ka ndryshuar asgjë nga qasja e saj millosheviqiane. Me letrën e saj prej shantazhi politik se do të hidhet në përqafimin e Rusisë – në të cilin ajo faktikisht edhe gjendet – kjo vazhdimisht ka kërcënuar BE-në dhe BE-ja ka shikuar ndërmjet gishtash, në mënyrë që të mos e trazojë Serbinë si partner të saj. Serbia ka vazhduar me përfitimet e saj të dyanshme, qoftë nga Rusia, qoftë nga BE-ja, e këta të fundit nuk kanë dashur që ta prishin këtë balancë, mirëpo me një qasje të tillë "tërhiq e mos e këput" nuk mund të shkohet apo arrihet larg.
Mjaft telashe ka përbrenda BE-së me vende të ndryshme nga ish-Blloku Lindor, si Hungaria e Rumania. Se çka do t'u nevojiteshin telashet e reja me çorbën djegëse të nacionalizmit dhe shovinizmit serb shpresoj se dita-ditës do ta kuptojnë më shumë edhe vetë udhëheqësit e vendeve të BE-së.
Unë personalisht mendoj se ka ardhur koha që Serbisë t’i bëhet pyetja e qartë nga ana e BE-së: "A je me ne a me arushën?”
Për të qenë me ne, kushtet janë:
1.
2.
3.
4.
5 …