Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore rreth aktiviteteve të partive politike në ditën e pestë të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që mbahen më 28 dhjetor. Për premtimet kryesore që kanë dhënë kandidatët për kryeministër e për akuzat e tyre ndaj kundërkandidatëve. Teksti do të përditësohet gjatë ditës me zhvillimet kryesore

Limaj: Me PDK-në në një listë do të luftonim për vendin e parë

1 muaj më parë / 21 dhj 2025 22:37
Fatmir Limaj

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në intervistën për RTK ka deklaruar se Nisma mbetet e përkushtuar ndaj ndryshimit politik në Kosovë, duke theksuar se kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore e përpjekjeve për krijimin e një koalicioni parazgjedhor me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
Sipas Limajt, Nisma ka besuar se bashkimi i forcave politike do të krijonte energji të re elektorale dhe do të sillte ndryshimin e nevojshëm në vend, megjithatë një marrëveshje e tillë nuk është arritur. 

“Ka pasur gatishmëri për një listë të përbashkët Nisma–PDK, por koalicioni nuk ndodhi,” ka theksuar ai.

Limaj ka shtuar se mungesa e bashkimit ka lënë hapësirë për vazhdimin e problemeve në skenën politike, duke përmendur komunikimin e dobët politik dhe vendosjen e interesit nacional në plan të dytë. Megjithatë, ai ka nënvizuar se Nisma ka zgjedhur të vazhdojë rrugën e saj me një vizion të qartë.

“Nisma është për ndryshim. Kauza jonë është bashkimi nga baza për të krijuar forcë dhe për të sjellë ndryshim real. Objektivi ynë është hyrja në Parlament,” ka deklaruar Limaj, duke shtuar se qytetarët po tregojnë interes dhe entuziazëm për këtë qasje.

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë mbahen më 28 dhjetor. 
 

LDK-ja publikon programin, lëshon gabim në emrin e partisë

1 muaj më parë / 21 dhj 2025 21:41
LDK

Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, njëherësh kryetar i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka publikuar disa pamje nga programi zgjedhor i partisë për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Një gjë që është vërejtur në programin e LDK-së është gabimi drejtshkrimor. Fjala “Demokratike” është shkruar “Demorkatike”.

“Programi ynë tek secili prej jush! Takoni vullnetarët tanë, kandidatët tanë dhe aktivistët tanë për t’i dëgjuar drejtpërdrejt projektet dhe zotimet tona për Kosovën”, thuhet në përshkrimin e Abdixhikut në Facebook.

Ka pasur reagime të shumta në rrjete sociale lidhur me gabimin. 

 

 

Shkrimtarja e profesoresha Majlinda Bregasi, ka ironizuar me këtë lëshim.

"Çka i paska ba vaki akademisë kështu?! I paska rrok pak disleksia, ama pak është, mos e bëni të madhe", ka shkruar ajo në Facebook.

Në videon e publikuar nga kandidati për deputet i kësaj partie, Paris Guri, nga terreni, është thënë se në këtë program “reflektohet vizioni”, për çka është kërkuar të lexohet, të gjykohet e edhe të votohet. 

 

Kurti mburret me forcimin e ushtrisë, premton një miliard euro në mandatin tjetër

1 muaj më parë / 21 dhj 2025 20:24 Nga: Ardit Kika
LVV

Me sloganin “Për siguri dhe begati, mos lësho pe”, Lëvizja Vetëvendosje të dielën e ka vazhduar fushatën për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit në qytetet e Dukagjinit. 

Në Istog, kandidati për kryeministër i LVV-së, Albin Kurti, është lavdëruar për rritjen e investimeve në Forcën e Sigurisë së Kosovës, teksa ka premtuar se investimi do të vazhdojë në shumë shumë më të madhe. 

Ai ka thënë se në mandatin e fundit 4-vjeçar, Qeveria ka shumëfishuar shpenzimet ushtarake.

“Gjatë këtij mandatit tonë kemi më shumë se dyfishim të numrit të ushtarëve dhe kemi trefishim të buxhetit për mbrojtje dhe katërfishim të trajnimeve jashtë vendit dhe më shumë se qindfishim të blerjeve të armatimit e të municionit. Para ardhjes sonë në qeverisje, për armatim dhe municion 2018-2020 as katër milionë euro e tash për këto katër vjet më shumë se 430 milionë euro. FSK-ja jonë e dashur e ka pasur vetëm një lloj pushke ‘Hegler’ dhe veç një lloj revoleje ‘Glock’. Tash i kemi mbi 40 sisteme të ndryshme të armatimit”, ka deklaruar Kurti. 

Ai ka thënë se me dëshirë nuk do të shpenzonte në ushtri, porse Kosova e ka një fqinj të keq, të cilin përmes armatimit dhe ushtrisë së saj, Kosova duhet ta detyrojë që të mendojë tri herë para se ta sulmojë. 

Për forcimin e ushtrisë, ai ka folur edhe në një video të shpërndarë në rrjetet sociale.

“Nuk lëshojmë pe për Republikën e sigurt: në mandatin e ardhshëm do të ndajmë të paktën 1 miliard euro për mbrojtje dhe ushtri, do të ndërtojmë fabrikën e municioneve dhe dronëve ‘Made in Kosova’ dhe do ta nisim programin e rezervës vullnetare”, ka thënë Kurti.

E tubimin qendror në Pejë, Kurti u ka premtuar pejanëve ndërtim të kapaciteteve ngrohëse nga avulli i KEK-ut, si dhe lidhje të komunave në perëndim të Kosovës përmes infrastrukturës rrugore.  

“Unë e di që ju i nxeni sallat me pjesëmarrje, por nuk mjafton kjo. Duhet t’i kemi të ngrohta edhe shtëpitë tona dhe kjo bëhet duke e pasur kogjenerimin, sistemin e ngrohjes me energji termike, me avullin e termoelektranave të qasshme për ngrohjen e shtëpive të këndshme familjare anembanë e në veçanti këtu në Pejë. Pastaj e kemi rrjetin e rrugëve, tepër të rëndësishëm, do ta ndërtojmë magjistralen e Dukagjinit që e lidhin Prizrenin, Rahovecin, Gjakovën me Deçanin, Pejën dhe Istogun”, është shprehur Kurti. 

Kandidati i LVV-së për kryeministër, gjatë së dielës ka vizituar edhe disa familje të dëshmorëve dhe veteranëve të UÇK-së në Komunën e Ferizajt, Skenderajt dhe të Shtimes. 

Aty ai e ka çmuar kontributin e këtyre familjeve për lirinë e Kosovës. 

“Në Shtimen heroike, aty ku qëndresa ka qenë përherë e madhe dhe atdhetarizmi kuptimplotë. Ishim në familjen e luftëtarit të UÇK-së Hasan Metushi, nëna e të cilit është e zhdukur që nga 15 janari 1999. Varri i saj është pa kufomë. Atij i janë vrarë edhe babai dhe dy axhallarë, po atë ditë, më 15 janar 1999, në masakrën e Reçakut. Nga familja e gjerë Metushi ka edhe dëshmorë dhe martirë të tjerë në luftën e fundit. Lavdi për të gjithë martirët e dëshmorët e kombit!”, ka shkruar ai.

LVV-ja ka shpërndarë edhe një video mbështetëse të Andreas Schwarz, deputetit të SPD-së në Bundestagun gjerman. 

“Përshëndetje të përzemërta për Kosovën dhe miqtë e mi atje që i njoh prej vitesh. Më 28 dhjetor mbahen zgjedhjet parlamentare. Mbështetja ime e plotë e shpresoj edhe besimi juaj është me Albin Kurtin. Ai është i besueshëm, i përzemërt, vepron me vendosmëri dhe është gjithmonë me vendin e tij”, ka thënë Schwartz. 

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura më 9 shkurt të këtij viti, Vetëvendosje doli parti e parë, duke fituar 48 ulëse në Kuvend.
 

Hamza kritikon VV-në “për gjuhën përçarëse” dhe jep premtime për bizneset

1 muaj më parë / 21 dhj 2025 19:54 Nga: Rrezon Gashi
PDK -

Kandidati i Partisë Demokratike për kryeministër të vendit, Bedri Hazma, ka shpërndarë një video në rrjetet sociale që në kritikë e vë Vetëvendosjen për, siç ka thënë, gjuhën përçarëse. 

Një javë para ditës së zgjedhjeve të parakohshme, Hamza ka theksuar se krizat e vazhdueshme janë pasojë e ndarjeve politike, ndërsa zgjidhja, sipas tij, qëndron te një qasje që synon bashkëpunim dhe jo përplasjen.

“A nuk jeni lodhur ende nga përçarjet dhe krizat? Unë po! Sepse kur jemi të ndarë, humbim të gjithë, humb qytetari, humb shteti, humb Kosova. Unë nuk besoj në politikë që përçan, unë besoj në bashkim. Sepse vetëm bashkë jemi më të fortë, vetëm bashkë fitojmë. Ju ftoj të më bashkoheni për ta çuar Kosovën përpara”, ka thënë Hamza. 

Gjatë takimit me biznese të ndryshme të dielën, kandidati i PDK-së, Hamza, ka premtuar ndryshim të mënyrës së pagesës së TVSH-së për mallrat e importuara, lirimin nga tatimi të bizneseve me qarkullim deri në 10 mijë euro dhe tatim sipas fitimit real për ato deri në 30 mijë euro, duke theksuar se lehtësimi i qasjes në kredi dhe nxitja e investimeve do të ndikojnë në rritje ekonomike dhe punësim.

Ai është zotuar edhe për lehtësira të tjera të të bërit biznes.

“Ne duhet t’ua krijojmë kushtet juve që ju të punoni edhe t’ju furnizojmë me rrymë, dhe çmimin e rrymës t’ua lirojmë pak sepse është bërë barrë e madhe. E qe besa pritet të shtrenjtohet edhe tatimi në pronë dhe e ke pronën këtu e është goxha shumë”, ka thënë Hamza.

Hamza gjatë të dielës bashkë me kryetarin e Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, e kandidatë për deputetë nga PDK-ja kanë takuar qytetarë në sheshet e rrugët e Prizrenit. 
Kandidati për kryeministër ka thënë se me qeverisjen e tij viti i ri do të jetë një fillim i ri për Kosovën. 

“Lidhja e Prizrenit, histori bashkimi që frymëzon për shtet dhe dinjitet. Bashkë. Përpara”, ka shkruar Hamza pas tubimit në Prizren.

E kryetari i Prizrenit, Totaj, ka thënë se Partia Demokratike është i vetmi opsion serioz dhe i besueshëm për ta çuar vendin përpara, për të ndërtuar stabilitet, zhvillim dhe për t’ua kthyer shpresën qytetarëve të Kosovës për një të ardhme më të mirë.

“Qytetin e fitoreve të PDK-së e vizitoi sot miku im, kryeministri i ardhshëm Bedri Hamza, ku së bashku bëmë një shëtitje në qendrën e Prizrenit, në shoqëri të kandidatëve prizrenas për deputetë dhe biseduam për ndryshimin e domosdoshëm pozitiv që e pret Kosovën pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit. Partia Demokratike e Kosovës, me numrin 130 në këto zgjedhje, është i vetmi opsion serioz dhe i besueshëm për ta çuar vendin përpara, për të ndërtuar stabilitet, zhvillim dhe për t’ua kthyer shpresën qytetarëve të Kosovës për një të ardhme më të mirë”, ka shkruar Totaj.

Për Hamzën kryeministër dhe për veten, votë ka kërkuar edhe numri dy në listën e Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili.

Ai ka thënë se çdo votë Hamza do ta kthejë me punë kur të marrë drejtimin e ekzekutivit.

“Nuk ka familje në Kosovë që nuk ka me iu përmirësu gjendja me qeverinë e Bedri Hamzës”, ka thënë Ismaili.

Ai ka zhvilluar gjatë ditës së diel edhe një takim me fermerë, ku po ashtu ka premtuar në emër të Hamzës.

“Në takimin tim me fermerë, fola për hapat konkretë në programin e Bedri Hamzës që do ta trajtojnë problemin e çmimeve të papërballueshme. Do ta heqim TVSH-në nga energjia elektrike dhe nga produktet esenciale në mënyrë që kostoja e jetës të ulet për të gjithë”, ka shkruar ai.

Fushatë ndaras prej liderit të partisë kanë bërë edhe kandidatë të tjerë të PDK-së.

Zgjedhjet e 28 dhjetorit janë të dytat për Kuvend të Kosovës që mbahen gjatë këtij viti. Në ato të shkurtit PDK-ja doli e dyta me 21% të votave.

 

Abdixhiku premton 2.400 euro për të porsalindurit e shtesa 50 euro për fëmijët

1 muaj më parë / 21 dhj 2025 19:37 Nga: Sanie Jusufi
LDK - Lumir Abdixhiku

Nga 200 euro në muaj për të porsalindurit, shtesa nga 50 euro për fëmijët të moshave nga 1 deri në 16 vjet, e rritje të pensioneve për pensionistët ka premtuar kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Në tubimin e mbajtur të dielën në Kaçanik, në ditën e pestë të fushatës për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, Abdixhiku ka deklaruar se me të marrë mandatin do të themelojë Ministrinë e Familjes e cila, sipas tij, do të kujdeset për mbështetje të familjeve.

“Për çdo fëmijë që lind në Kosovë nënat do të përfitojnë nga 200 euro në muaj për 12 muaj rresht për vitin e parë. Dhe më lejoni të them se ky kujdes nuk ndalet vetëm me lindjen. Çdo fëmijë nga mosha 1 deri në moshën 16 vjet do të fitojë mbështetje financiare prej 50 eurosh në çdo muaj, sepse shteti nuk guxon dhe nuk duhet ta braktisë familjen kosovare”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka premtuar mbështetje edhe për çiftet e reja duke u zotuar për mbulimin e kostos së interesit për banesën e parë që e blejnë.

Gjatë paraqitjes së programit të tij qeverisës, ai ka premtuar realizimin e mësimit tërëditor, duke thënë se këtë tashmë LDK-ja e ka bërë në Prishtinë. 

“Me mësim tërëditor, shujta të ngrohta dhe kushte të barabarta në shkolla. Me teknologji, kodim dhe përgatitje reale për të ardhmen. Me trajnim për 40 mijë të rinj dhe punësim të garantuar pas diplomimit”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se do të futet lënda e kodimit dhe inteligjenca artificiale në shkolla dhe shtesa 50 euro për moshat 11-16 vjeç.

“40 mijë trajnime në ICT për moshat 16-21 vjeç dhe mbi 21 vjeç punësim të garantuar dhe 500 euro në muaj për 6-12 muaj për çdo të sapodiplomuar”, është zotuar Abdixhiku.

Ka premtuar sërish rritje edhe të pensioneve.

“Do të nisim rritjen e pensioneve për pensionistët. Për ta vitin e parë pensionet do të bëhen 200 euro, vitin e dytë 250 euro dhe në vitin e tretë ju zotohem se pensionet për pensionistët tanë do të bëhen 300 euro. Ky është zotimi i LDK-së”, ka theksuar Abdixhiku.

Krahas premtimeve, ai ka kritikuar edhe pushtetin e deritanishëm të LVV-së. Ai ka thënë se politika ka dështuar të udhëheqë shtetin me maturi dhe me respekt ndaj ligjit dhe Kushtetutës.

Sipas tij, Kosova nuk është vetëm në vështirësi ekonomike, por edhe në krizë të besimit pasi, siç ka thënë, e ardhshmja e shtetit është vënë në pikëpyetje.

“Institucionet janë bllokuar, Kushtetuta është shkelur dhe vendimmarrja është përqendruar tek individi, jo te ligji”, është shprehur ai, duke shtuar se vendi ka përfunduar në izolim politik dhe nën masa ndëshkuese.

Në tubimin me qytetarët e Kaçanikut, ai ka thënë se zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk janë vetëm garë politike, por “vendim për të ardhmen e shtetit”.

“Ne nuk jemi këtu për pushtet, por për shtet. Jo për një mandat, por për një drejtim të ri”, ka deklaruar Abdixhiku.

Duke folur nga qyteti ku është miratuar Kushtetuta e Kaçanikut, Abdixhiku ka theksuar se Kaçaniku ka një peshë të veçantë historike.

“Të flasësh në Kaçanik nuk është fjalim i zakonshëm politik. Është përballje me historinë dhe përgjegjësi ndaj shtetit”, ka deklaruar ai.

Ai po ashtu u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në zgjedhje dhe të mbështesin ndryshimin, sipas tij, të nevojshëm.

“Shpresa nuk është ndjenjë e butë, shpresa është vendim. Dhe Kaçaniku di të vendosë drejt”, është shprehur ai.

Shpalosjen e programit të tij qeverisës ai e ka bërë edhe para simpatizantëve të LDK-së në Ferizaj dhe Viti.

LDK-ja në zgjedhjet e parlamentare të 9 shkurtit ka siguruar 18.27 për qind të votave, duke siguruar 20 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
 

Haradinaj premton energji elektrike me çmim më të ulët e anëtarësim në NATO

1 muaj më parë / 21 dhj 2025 19:35 Nga: Arianita Hoti
AAK - tubim

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vazhduar fushatën të dielën në Istog, ku para fillimit të fjalimit nga kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, është shfaqur një video me momente nga jeta e tij.

Haradinaj në këtë tubim ka ndarë dy premtime që, sipas tij, në mandatin e tij si kryeministër do të jenë më të rëndësishmet.

Ai ka premtuar se në Kosovë do të ketë energji elektrike me çmim të volitshëm.

“Me dashtë Qeveria e Kosovës perime gazsjellësi që e bënë deri në Prishtinë, në Prishtinë e bjen edhe për amvisëri, po si të marrin në Ferizaj e ndërton një central të energjisë me gaz në më pak se një vit, që veç janë të gatshme. Një pjesë e tyre janë montazh, prodhojnë energji në Kosovë me çmim të Kosovës dhe nuk i thonë popullit s’kemi çka me t’ba që po rritet çmimi sa herë dojnë tregtarët se është çmim i tregut, e nuk i thonë bizneseve në Kosovë që ju ka ardhë dy herë e ma shumë, që po i mbyllin shumica e tyre, sidomos ato që janë në prodhim”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka premtuar edhe siguri për Kosovën. 

Sipas tij, në çdo pëllëmbë të Kosovës do të zbatohen Kushtetuta dhe ligjet e vendit.

Ai ka premtuar gjithashtu edhe anëtarësimin e Kosovës në NATO në një periudhë shumë të shpejtë.

“Të nderuar të pranishëm, kam dorëzuar kërkesë në Amerikë, në Washington, në disa adresa për këto nene që i nënshkroi presidenti amerikan, Ligjin për autorizimin e sigurisë kombëtare. Në nenet e Kosovës, para një viti, i kam kërkuar me shkresë. Ka pasë njerëz që më kanë thënë s’bohet kurrë, plot ka pasë, që sa kohë jam ka vij edhe në Istog, qyrni se çka kam folë para 9 shkurtit, kqyrni a i keni në ato ligje Kosova, pra është kandidat potencial për me u anëtarësu në NATO. Nuk ka kushte, veç duhet me i kry detyrat e shtëpisë që i kryen çdo anëtar që don me u anëtarësu në NATO. Këtë punë e kryjmë shpejt e sigurt”, është shprehur Haradinaj.

Hardinaj po ashtu gjatë ditës ka premtuar se me të në krye të ekzekutivit fermeri do të kthehet në një nga prioritet shtetërore.

“Rritje e subvencioneve, mbështetje direkte për fermerët, fuqizim i agrobiznesit të prodhimit vendor. Investime në infrastrukturë bujqësore. Teknologji e re, pajisje efikase dhe mekanizim bashkëkohor për fermerët. Siguri ushqimore standarde të BE-së. Kontroll cilësie dhe standardizim për tregun evropian. Zhvillim i zonave rurale për të mbajtur familjet në vend. 8 Kthimi i tokave të pauzuara në prodhim.”, ka shkruar Haradinaj në një postim në Facebook.

Në tubimin në Istog janë prezantuar edhe kandidatët nga kjo komunë, të cilët po ashtu kanë kërkuar votën e qytetarëve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

E tubimin kryesor Haradinaj e ka mbajtur në Pejë. 

“Peja historike, qyteti që gjithmonë ka qenë në anën e vendimeve të mëdha, e ndien qartë se këto zgjedhje përfaqësojnë një moment të veçantë, një pikë kthese që përcakton drejtimin e së ardhmes së vendit. Gjatë takimit të sotëm në Pejë prezantuam kandidatët për deputetë dhe vizionin e Aleancës për katër vitet e ardhshme. U diskutua një plan i qartë zhvillimi, nga ekonomia e qëndrueshme dhe ndërtimi i aleancave të forta, deri te kultura si shtyllë e identitetit dhe progresit shoqëror”, ka shkruar Haradinaj.

Gjatë ditës së diel, fushtë ka bërë edhe anëtari i Kryesisë së AAK-së, Pal Lekaj.

Në një takim me banorët e lagjes “Pjetër Bogdani” në Gjakovë, ai ka thënë se ka marrë përkrahje të madhe për AAK-së dhe për të si kandidat.

“Një takim me banorë të lagjes “Pjetër Bogdani” në Gjakovë, me një mikpritje vëllazërore që kurrë nuk ka munguar. Familje shumë të respektuara të kësaj lagjeje janë rreshtuar fuqishëm krah Aleancës dhe ndryshimit për Kosovën. Kjo përkrahje masive e konfirmon fitoren e AAK-së dhe të numrit 129 më 28 dhjetor!”, ka shkruar Lekaj në Facebook.

Në legjislaturën e fundit ai nuk ishte pjesë e Kuvendit, por në disa të tjera po. Ishte edhe ministër.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e kaluara të 9 shkurtit ka kandiduar së bashku me Nismën dhe së bashku kanë marrë 7.06 për qind të votave, ndërsa në këto zgjedhje ka hyrë e vetme në garë.
 

Abdixhiku: Zgjedhjet e 28 dhjetorit, vendimtare për të ardhmen e shtetit

1 muaj më parë / 21 dhj 2025 18:45
Lumir Abdixhiku

Kandidati për kryeministër i LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë një tubimi zgjedhor në Kaçanik ka thënë se këto zgjedhje janë vendimtare për rikthimin e Kosovës në normalitet kushtetues e institucional.

Abdixhiku kritikoi gjendjen aktuale politike dhe institucionale në vend, duke thënë se Kosova ndodhet në krizë besimi.

Të flasësh në Kaçanik nuk është fjalim i zakonshëm politik. Është përballje me historinë dhe përgjegjësi ndaj shtetit. Institucionet janë bllokuar, Kushtetuta është shkelur dhe vendimmarrja është përqendruar te individi, jo te ligji”, u shpreh ai, duke shtuar se vendi ka përfunduar në izolim politik dhe nën masa ndëshkuese.

Në tubimin me qytetarët e Kaçanikut, ai tha se zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk janë vetëm garë politike, por “vendim për të ardhmen e shtetit”.

“Ne nuk jemi këtu për pushtet, por për shtet. Jo për një mandat, por për një drejtim të ri”, theksoi Abdixhiku.

Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve që të dalin në zgjedhje dhe të mbështesin ndryshimin.

Haradinaj rendit tetë zotime në mbështetje të bujqësisë e fermerëve

1 muaj më parë / 21 dhj 2025 15:25
Ramush Haradinaj AAK

Kandidati për kryeministër nga AAK-ja, Ramush Haradinaj, teksa ka renditur zotimet në mbështetje të fermerit e bujqësisë, ka deklaruar se Kosova për vite me radhë nuk e ka shfrytëzuar potencialin e vet bujqësor siç duhet.

Mbështetje direkte për fermerët, siguri ushqimore, kontroll cilësie dhe standardizim për tregun evropian janë tri nga tetë zotimet e Haradinajt në këtë fushë.

“Kosova është vend që për vite me radhë nuk e ka shfrytëzuar potencialin e vet bujqësor siç duhet. Në qeverisjen e ardhshme Haradinaj, fermeri kthehet në një nga prioritet shtetërore. Aleanca krah prodhimit vendor: Rritje e subvencioneve dhe mbështetje direkte për fermerët; Fuqizimi i agrobiznesit dhe prodhimit vendor; Investimet në infrastrukturë bujqësore; Teknologji e re, pajisje efikase dhe mekanizim bashkëkohor për fermerët; Siguri ushqimore dhe standarde të BE-së; Kontroll cilësie dhe standardizim për tregun evropian; Zhvillim i zonave rurale për të mbajtur familjet në vend; Kthim i tokave të pauzuara në prodhim”, thuhet në postimin e Haradinajt në rrjetin e tij social Facebook.

Abdixhiku: Vizioni ynë është Kontrata e Jetës me Shtetin

1 muaj më parë / 21 dhj 2025 15:11
Lumir Abdixhiku

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se shteti duhet të jetë i pranishëm në çdo hap të jetës së qytetarit dhe jo si bamirës por si partner.

Vizioni i LDK-së thotë Abdixhiku është Kontrata e Jetës me Shtetin. Ai ka theksuar se besojnë në një shtet që nuk shfaqet vetëm në zgjedhje por ecën me qytetarin në çdo hap të jetës, duke i renditur zotimet e tij si kandidat për të posalindurit, fëmijët e të rinjtë në fazën e punësimit.

“Ne besojmë se shteti duhet të jetë i pranishëm në çdo hap të jetës së qytetarit; jo si bamirës, por si partner. Prandaj ky është vizioni ynë! Kontrata e Jetës me Shtetin.
Ne besojmë në një shtet që nuk shfaqet vetëm në zgjedhje, por ecën me qytetarin në çdo hap të jetës. Që nga lindja, me 200 euro në muaj për çdo të porsalindur për një vit. Me çerdhe publike dhe edukim të hershëm cilësor. Me mësim tërëditor, shujta të ngrohta dhe kushte të barabarta në shkolla. Me teknologji, kodim dhe përgatitje reale për të ardhmen. Me trajnim për 40 mijë të rinj dhe punësim të garantuar pas diplomimit”, ka shkruar në rrjetin e tij social, Abdixhiku.

Hamza premton mbështetje për punëtorët e bizneset

1 muaj më parë / 21 dhj 2025 12:37
Bedri Hamza

Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza, ka premtuar mbështetje për punëtorët dhe bizneset. Në një vizitë në një biznes, Hamza premtoi ulje të tatimit në pronë dhe ulje të çmimi të rrymës.

Hamza gjatë një bashkëbisedimi në këtë biznes, deklaroi se çmimi i lartë i rrymës është bërë barrë e madhe.

“Që unë jam kryeministër nuk rritet tatimi. Do ta ndërroj ligjin sepse të rritet tatimi në pronë më shumë se 200% është tepër shumë, është e papërballueshme. Edhe do t’iu furnizojmë me rrymë edhe çmimin e rrymës t’ua lirojmë pak sepse është bërë barrë e madhe", ka shkruar në rrjetin e tij social Facebook, Hamza.

Kurti premton 1 miliard euro për ushtrinë

1 muaj më parë / 21 dhj 2025 12:22
Albin Kurti

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka premtuar 1 miliard euro për mbrojtje dhe ushtri. Ai ka ndarë një pjesë nga zotimet e tij në një nga tubimet në kuadër të fushatës zgjedhore, duke ia bashkangjitur disa fotografi të FSK-së, dronëve e kapaciteteve ushtarake. 

Kurti premtoi ndërtimin e fabrikës së municioneve dhe dronëve “Made in Kosova”, si dhe nisjen e programit të rezervës vullnetare.

“Nuk lëshojmë pe për Republikën e sigurt: në mandatin e ardhshëm do të ndajmë të paktën 1 miliard euro për mbrojtje dhe ushtri, do të ndërtojmë fabrikën e municioneve dhe dronëve ‘Made in Kosova’ dhe do ta nisim programin e rezervës vullnetare”, ka shkruar në rrjetin e tij social Facebook, Kurti.