Zgjedhjet 2025

DnV: 3% e vendvotimeve u hapën me vonesë, disa në mungesë të komisionerëve e disa të rrymës

dnv

Vetëm 3% e vendvotimeve janë hapur me vonesë të dielën, sipas koalicionit Demokracia në Veprim, e kjo kryesisht për shkak të mungesës së komisionerëve. Por, vonesën në dy vendvotime e ka shkaktuar edhe mungesa e energjisë elektrike. 

E problem ka pasur edhe me kamerat në një numër të vogël vendvotimesh, ka njoftuar koalicioni i organizatave joqeveritare për vëzhgimin e zgjedhjeve, DnV. 

“Sipas të dhënave të terrenit, me vonesë janë hapur vetëm 3% e vendvotimeve. Vonesa më të theksuara ka pasur në rajonin e Pejës. Është raportuar se shkaku kryesor pas vonesave në hapjen e vendovotimeve me kohë lidhet me mungesën e komisionerëve. Vetëm në 2% të vendvotimeve nuk ka pasur vendosje adekuate të kabinave të votimit apo kamerave. Vendosja jo e duhur e kamerave ka qenë më e shprehur në komunat me shumicë serbe”, thuhet në komunikatën për media.

DnV vlerësoi se një numër i konsiderueshëm i Qendrave të Votimit në Kosovë vazhdojnë të jenë të paqasshme për personat me aftësi të kufizuara fizike. 

“Është raportuar se 16% e Qendrave të Votimit në nivel vendi nuk kanë infrastrukturë adekuate ose pjerrina që mundësojnë qasje më të lehtë në objekte ku po zhvillohet votimi”.

Vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar prani të posterëve dhe materialeve tjera propaganduese të subjekteve politike brenda 100 metra të qendrës së votimit, konkretisht në afërsi të 3% të qendrave.

Po ashtu kanë raportuar se në 18% të qendrave nuk ka tavolina ndihmëse, që si problematikë është më e shprehur në rajonin e Ferizajt, Gjilanit dhe Pejës.

Demokracia në Veprim (DnV) po vëzhgon mbarëvajtjen e procesit zgjedhor me 500 vëzhgues statikë, të cilët janë janë prezentë në 500 vendvotime.

 

Lexo përditësimet tjera
zgjedhjet - 28 dhjetor, 2025

Kosova voton