Zgjedhjet 2025

DnV: Fushatë me nivel të zbehtë të entuziazmit qytetar, e përqendruar tek liderët

Ismet Kryeziu

Fushatë zgjedhore konkurruese, por të përqendruar te liderët e nivel i zbehtë i entuziazmit qytetar, është pasqyra e fushatës së zgjedhjeve qendrore të 28 dhjetorit, sipas Demokracisë në Veprim.

Në një konferencë për media në ditën e fundit të fushatës, Ismet Kryeziu, drejtues i DnV-së u shpreh se gara ka qenë e qetë dhe pa incidente serioze.

Megjithatë, sipas koalicionit të organizatave, vëzhgimi ka treguar disa prirje dhe sfida që kanë ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e fushatës.

E para ka qenë niveli i zbehtë i entuziazmit qytetar.

“Pjesëmarrja e qytetarëve në aktivitetet e fushatës është luhatur ndjeshëm mes subjekteve politike dhe formave të organizuara të takimeve, nga qindra pjesëmarrës deri në mbi 1000 pjesëmarrës. Llojet e aktiviteteve kanë qenë të kombinuara me pjesëmarrje të mesme dhe me pjesëmarrje të gjerë në prezantimin e listave, dhe janë zhvilluar kryesisht në ambiente të mbyllura. Shtrirja e aktiviteteve ka treguar përqendrim të subjekteve në qendrat urbane dhe komunat më të mëdha e me peshë elektoral, ndërsa komunat më të vogla kanë qene më pak të ekspozuara”, thuhet në gjetjet e DnV-së.

Çështje tjetër ka qenë personalizimi dhe centralizimi i fushatave. “Liderët partiakë, apo kandidatët për kryeministër kanë dominuar pothuajse të gjitha aktivitetet, ndërsa kandidatët për deputetë dhe strukturat e tjera partiake ka pasur rol dytësor. Edhe pse ka pasur takime dhe organizime të kandidatëve pa prezencën e liderit, këto takime kryesisht kanë qenë të karakterit të takimeve të vogla.  Ky personalizim i fushatës drejt liderit, ka kufizuar mundësitë dhe paraqitjet programore nga ana e kandidatëve”, ishte gjetja tjetër.

Sfida serioze, sipas DnV-së, mbeten përfaqësimi dhe gjithëpërfshirja.

“Gratë kanë qenë të nënpërfaqësuara si folëse – mesatarisht vetëm një në pesë – ndërsa në shumë aktivitete nuk ka pasur asnjë grua folëse. Në listat zgjedhore. Përfaqësimi i është mbajtur kryesisht në nivelin minimal ligjor prej 30%, duke treguar përmbushje formale të kërkesave ligjore, por jo nj angazhim politik për fuqizimin e   grave në politik apo refleksion të raportit të barabartë gjinor në listën e votuesve”, thuhet në gjetje. Në këtë pikë thuhet se ka edhe hapësirë të kufizuar për të rinjtë në role vendimmarrëse e përfaqësuese. Mosha dominuese e kandidatëve për deputetë sillet nga 30-50 vjeç. Mungesë e theksuar e përfaqësimit ka qenë edhe te personat me aftësi të kufizuar.

Sipas DnV-së, fushata ka qenë e përqendruar kryesisht në çështjet ekonomike, sociale dhe të sigurisë. Temat kanë qenë punësimi, pagat, mirëqenia sociale, arsimi, shëndetësia, infrastruktura e anëtarësimi në NATO-.

“Këto tema kanë dominuar mesazhet publike të subjekteve politike dhe janë përdorur si elemente kyçe për mobilizimin e elektoratit. Madje, çështja e rritjes së pagave dhe fuqizimi i skemave tjera të karakterit social i kanë karakterizuar pothuajse të gjitha subjektet politike, pavarësisht profileve të tyre ideologjike”, ka konstatuar DnV-ja.

Sipas DnV-së, përdorimi i gjuhës fyese e diskriminuese ka qenë shumë më pak i shprehur në këtë fushatë.

Partitë dhe kandidatët kanë përdorur takimet direkte dhe rrjetet sociale për komunikim politik. Këtu është theksuar se ekziston edhe rreziku i dezinformimit, thjeshtimi i diskursit politik dhe reduktimi i debatit substancial në mesazhe të shkurtra.

DnV-ja ka vlerësuar se në fushatë ka pasur shfrytëzim të resurseve publike. Këtu është përmendur ndarja e nga 100 eurove për fëmijë dhe pensionistë nga Qeveria.

“Një shqetësim i veçantë mbetet pabarazia e garës. DnV vlerëson se edhe gjatë kësaj fushate ka pasur ndërhyrje dhe cenim të integritetit zgjedhor përmes shfrytëzimit të resurseve publike për përfitime elektorale.  Rasti i vendimit për ndarjen e nga 100 eurove për pensionistët dhe fëmijët nga ana e Qeverisë, vetëm pak ditë para ditës së zgjedhjeve është rast klasik i shfrytëzimit të resurseve publike për qëllime elektorale – që mund të krijojë një avantazh jo të drejtë për subjektet politike në pushtet dhe të minojë besimin publik në procesin zgjedhor”, thuhet në komunikatë.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa është vlerësuar se ka pasur rol kyç në integritetin e procesit zgjedhor.