Zgjedhjet 2025

Rritje të pensioneve për 50 për qind dhe rikthimin e Ministrisë së Inovacionit, premton Hamza

Bedri Hamza

Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, njëherësh kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza në ditën e gjashtë të fushatës për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit zhvilloi një takim edhe me pensionistët në Prishtinë, të cilëve u premtoi 50 për qind rritje të të gjitha pensioneve e barna falas për të moshuarit dhe te personat me sëmundje kronike. Hamza ka vizituar “Innovation Center of Kosovo”, duke premtuar investim në teknologji, inovacion dhe të rinjtë. Ai u zotua se si kryeministër do ta rikthejë Ministrinë e Inovacionit

Rritje të pensioneve prej 50 për qind e barna për të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike ka premtuar kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza gjatë një takimi me pensionistë në kryeqytet.

Në ditën e gjashtë të fushatës për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, Hamza atyre iu premtoi furnizim të mjaftueshëm me barna si dhe krijimin e qendrave të mjaftueshme për qëndrim ditor dhe shtëpi për të moshuarit.

“Sa është pensioni sot me iu shtu 50 për qind. Furnizim me barna sidomos për moshën e pensionistave dhe për të sëmurët kronik. Është për të gjitha kategoritë e pensioneve kur e merr në total del se është diku 500 milionë rritje vjetore. Ka me u eliminu pengesa që veteranët me punu në sektorin privat pa iu cenu e drejta për pension”, ka theksuar Hamza.

E gjatë të hënës, Hamza ka vizituar Qendrën e Inovacionit “Innovation Center of Kosovo” , duke premtuar investim në teknologji, inovacion dhe të rinjtë. Pasi dëgjoi kërkesat e drejtuesve të kësaj qendre, ai u zotua se do ta rikthejë Ministrinë e Inovacionit. 

“Nuk po teprojë, por në vitin e parë të mandatit bëhen. As i dyti nuk ka nevojë me nxan. Vitin e parë të mandatit nëse nuk bëhen këto unë e marr përgjegjësinë. Një Ministri, një ministër kompetent, një ekip të mirë. Keni mbështetje të plotë të çfarëdo kapaciteti, pasi jam i sigurt dhe e di çka është kjo. Kemi me ndryshuar këtë strukturë të ekonomisë sonë dhe kemi për të krijuar ambient që njerëzit tanë të qëndrojnë këtu”, ka theksuar ai.

E në orët e pasdites Hamza shpalosi programin qeverisë para simpatizantëve dhe mbështetësve të kësaj partie në Rahovec dhe në Gjakovë.

“Në Rahovec, në kryeqytetin e bujqësisë! Me heronjtë e punës së ndershme, që e punojnë tokën, e ruajnë traditën dhe kontribuojnë për forcimin e shtetit tone”, ka thënë Hamza.

E në një videomesazh në Facebook, Hamza ka theksuar se Kosova i ka vetëm dy rrugë - përpara ose mbrapa.

“Më 28 dhjetor, ne qytetarët e këtij vendi jemi përballë një vendimi të qartë, ta vazhdojmë rrugën mbrapa, me kaos, pasiguri dhe ndarje, apo ta ndryshojmë kahen dhe të ecim përpara, me stabilitet, zhvillim dhe shpresë. Unë zgjedh që të ecim para, për familjet tona, për fëmijët tanë, për Kosovën. Të gjithë bashkë përpara”, ka thënë ai.

PDK edhe të hënën ka vazhduar me publikimin e një serie të videove 10-sekondëshe, përmes së cilës adreson tema të rëndësishme politike dhe ekonomike.

Përmes tyre, PDK ka shpalosur arsyet pse Bedri Hamza duhet të votohet për Kryeministër të Republikës së Kosovës, por edhe kritikon Albin Kurti dhe qeverinë e tij për dështimet gjatë mandatit.

Këto video janë bërë nga Inteligjenca Artificiale në komunikimin e fushatës, një qasje që PDK e ka shfrytëzuar edhe më herët, përfshirë edhe në krijimin e këngës së fushatës “We Rise Together”.

Videoja e pestë, e publikuar të hënën nga PDK, i referohet kritikës ndaj rritjes së tatimeve të cilat po cenojnë funksionimin e bizneseve, si pasojë e keqqeverisjes nga Qeveria Kurti.

Në video shfaqet një burrë teksa kthen shenjën në biznesin e tij, nga hapur në mbyllur, si pasojë e tatimeve të larta, ndërsa mesazhi shoqërues thotë: “Tatimet rriten. Bizneset mbyllen. Keq, Albin!”.

PDK-ja në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit doli e dyta, duke siguruar 20 për qind të votave, apo 24 ulëse në Kuvendin e Kosovës.