Zgjedhjet 2025

Krasniqi: Diferenca prej 50 votash te një kandidat s’mund të jetë e rastësishme

Anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Krasniqi, ka thënë se diferenca prej 50 votash te kandidatët për deputet, nuk mund të jetë e rastësishme. Sipas tij nuk mundet që një kandidati t’i figurojnë 50 vota më pak e një tjetri 50 më shumë.

Krasniqi në emisionin “60 Minuta” në KTV, deklaroi se aktualisht ka raste kur janë bartur mbi pesë vota prej një kandidati të një tjetër porse pasi të merret rezultati i plotë, do të vlerësohet nëse duhet të rinumërohen votat edhe në komunat e tjera.

“Nuk mund t’ia vendosësh një kandidati 50 vota më shumë, e një kandidati 50 vota më pak. Merren votat prej secilit fletëvotim dhe vendosen në sistem, pastaj sistemi vazhdon ta mbledhë secilin fletëvotim veç e veç dhe pastaj numrin përfundimtar nuk e shkruan numëruesi por e gjeneron vetë sistemi. Pra, nëse diku janë 50 vota më shumë nuk është rastësi por është një gabim i qëllimshëm sepse ti ke kaluar dy orë në atë numërim të rezultateve dhe në vazhdimësi s’ke mundur të gabosh për të njëjtin kandidat. Ka raste kur janë bartur mbi pesë vota prej një kandidati te një tjetër. Pas një analize që do ta bëjë KQZ-ja pasi ta kemi rezultatin, do ta vlerësojmë a duhet t’i rinumërojmë edhe komunat e tjera”, ka thënë Krasniqi në emisionin “60 Minuta” në KTV.

Krasniqi tutje ka thënë se mbetet të shihet se si e kanë kryer detyrën e tyre të gjithë komisionerët e subjekteve politike. Megjithatë, në rast se vërtetohen dyshimet atëherë ndaj të njëjtëve do të merren masa.

“Këto shkelje nuk e cenojnë procesin e integriteti të zgjedhjeve në aspektin e rezultateve që subjektet politike kanë marrë por e cenojnë një pjesë të integritetit të votave të kandidatëve brenda subjektit. KQZ-ja e ka kryer detyrën e saj në maksimum por i përket komisionerëve të subjekteve politke që kanë qenë numërues se si ata e kanë kryer detyrën e tyre. Nëse konfirmohen ato dyshime që ne i kemi pasur, ne domosdo do të marrim masa si KQZ në aspektin afatgjatë të organizimit të zgjedhjeve që ta adresojmë këtë çështje me të cilën pastaj merret prokuroria”, ka thënë Krasniqi.

Anëtari i KQZ-së, Krasniqi, ka thënë se certifikimi i rezultateve mund të zgjasë deri në shkurt ndonëse procesi i rinumërimit pritet të përfundoj brenda 10 ditëve, por që një gjë të tillë do ta përcaktojnë edhe ankesat e mundshme.

Ai i është përgjigjur edhe DnV-së për kërkesën që të rinumërohen të gjitha votat e kandidatëve në nivel vendi. Sipas Krasniqit është joprofesionale të bëhet një gjë të tillë pa pasur ndonjë dyshim paraprak dhe se rinumërimi në nivel vendi do të bëhet në rast se ka nevojë.

“Të marrim vendim për rinumërimin e të gjitha votave të kandidatët pa ndonjë indicie paraprake nuk është as profesionale. Nëse ky 10% konfirmon në secilën komunë për masën që për ne mund të jetë e mjaftueshme për të ndërmarrë veprime të tjera, ne i ndërmarrim ato veprime duke përfshirë edhe rinumërimin. Por, ne po flasim për një 36% të kutive që janë duke u numëruar gjatë këtij procesi që do të zgjasë deri në 10 ditë”, ka thënë Krasniqi.

Demokracia në Veprim gjatë së martës i reagoi vendimit të KQZ-së që në 10 komuna të rinumërohen 10% të fletëvotimeve ndërsa në 28 të tjera 100%. Sipas DnV-së rinumërimi i vetëm 1/3 së vendvotimeve mund të prodhojnë ankesa dhe kërkesa të reja për rinumërim të vendvotimeve tjera duke e vonuar edhe më tutje procesin. Si rrjedhojë, DnV-ja ka rekomanduar që të ketë rinumërim të plotë të votave të kandidatëve në të gjithë vendin.