Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka premtuar 500 milionë euro investim në Brezovicë për ta shndërruar atë në destinacionin më të rëndësishëm të turizmit malor në rajon gjatë katër stinëve.
Sipas një shkrimi në Facebook, investim strategjik do të realizohet përmes një partneriteti publiko-privat, me status që garanton interesin publik dhe kontrollin mbi këtë pasuri kombëtare.
“Brezovica, qendër e turizmit rajonal! Mbi 500 milionë euro investim në Brezovicë, për ta shndërruar atë në destinacionin më të rëndësishëm të turizmit malor në rajon, gjatë të katër stinëve të vitit. Ky investim strategjik do të realizohet përmes një partneriteti publiko-privat, me status që garanton interesin publik dhe kontrollin mbi këtë pasuri kombëtare. Projekti përfshin zgjerimin e Qendrës së Skijimit me kapacitete trefish më të mëdha, transformimin e hoteleve ekzistuese në standarde evropiane dhe ndërtimin e një fshati turistik modern, që do ta bëjë Brezovicën funksionale gjatë gjithë vitit”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, ky projekt është shumë më tepër se turizëm, “është zhvillim ekonomik i qëndrueshëm, që do të krijojë shumë vende pune, fuqizojë prodhimin vendor, bujqësinë, gastronominë dhe artizanatin, duke e kthyer Brezovicën në një motor zhvillimi për gjithë vendin”.
“Me një projekt modern, vizitorët do të kenë qasje të lehtë përmes një sistemi bashkëkohor transporti me kondollë, duke shijuar njëkohësisht bukuritë natyrore të maleve tona. Me këtë investim Brezovica i shërben qytetarëve, ekonomisë dhe imazhit ndërkombëtar të Republikës sonë”, ka shkruar ai.