Abazi: Me planin nacional për efiçiencë, 30% më pak konsum energjie
Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Haki Abazi, ka thënë se AAK në zgjedhjet e 28 dhjetorit hyn me një plan të detajuar për uljen e konsumit dhe të kostos së energjisë elektrike.
Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, Abazi ka prezantuar atë që e ka quajtur “Plani nacional për efiçiencë”, përmes të cilit, sipas tij, synohet ulja e ndjeshme e shpenzimit të energjisë, veçanërisht në kryeqytet.
Ai ka thënë se zbatimi i këtij plani do të sillte ulje deri në 30 për qind të konsumit të energjisë në Prishtinë, duke e lidhur këtë me masat për ngrohje dhe përdorimin e burimeve alternative.
“E para është plani nacional për efiçiencë: 70% e energjisë që e tejkalon tarifën shpenzohet për ngrohje për shtëpi, amvisëri dhe objekte publike. Plani nacional për efiçiencë e ul menjëherë në minimum 30% konsumin në Prishtinë. Masat janë biznesore: nëse bëjmë kthimin e bojlerëve që shpenzojnë energji elektrike në bojlerë që ngrohen nga gjenerimi alternativ, kjo e ul 30% konsumin e energjisë elektrike. Kjo nuk është bërë për shkak të mungesës së vizionit, si në nivel komunal ashtu edhe në atë nacional. Në planin investiv janë paraparë pesë ngrohje qendrore me biomasë dhe gaz për qytetet e mëdha, që po ashtu e ulin rreth 35% kërkesën për ngrohje me energji. Gjakova e ka modelin: e kemi ndërtuar bashkë me Admir Shalën ngrohjen qendrore me biomasë, e cila funksionon jashtëzakonisht mirë. Faturat janë me çmime normale dhe lirohet energjia elektrike”, ka thënë Abazi.
Ai ka shtuar se AAK ka edhe një plan të zgjeruar për riorganizimin e tarifave të energjisë elektrike, me qëllim uljen e faturave për qytetarët.
“Në aspektin e zbritjes së çmimeve, ne do t’i zbresim në nivelin e tri rritjeve që i ka bërë Kurti në këtë katërvjeçar, sepse do të bëjmë riorganizimin e tarifave që njerëzit të mos detyrohen të paguajnë tarifa të shtrenjta për shkak të shpenzimit të energjisë elektrike. Ky caktim i tarifës 80 kË ka qenë i paraparë në 600 kË, por është bërë nga njerëz që nuk e kuptojnë shpenzimin e energjisë elektrike në vendin tonë dhe janë masa të kalkuluara në mënyrë arbitrare për fitim financiar”, ka thënë ai.
Në fund, Abazi ka theksuar se përveç energjisë, prioritet i AAK-së mbetet edhe zhvillimi ekonomik, duke thënë se përmes rritjes së investimeve publike dhe tërheqjes së investimeve të huaja synohet forcimi i ekonomisë dhe përmirësimi i standardit të jetesës.
Azemi: Brenda gjashtë muajve, Kosovën e gazifikojmë me SHBA-të
Ndërtimin e centralit me gaz brenda gjashtë muajve të parë të mandatit e ka premtuar kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Visar Azemi.
Ai këtë e ka thënë në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, ku ka theksuar se shtrenjtimi i faturave të energjisë elektrike ka ardhur si pasojë e importit të madh të energjisë.
“Për shkak se Albin Kurti nuk ka pranuar ndërtimin e centralit me gaz, i cili ishte ofruar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, madje duke thënë se ky gaz është rus, sot i ka vënë në funksion njerëz që po abuzojnë me çmimet e energjisë elektrike. Pa e ndërtuar centralin me gaz, që është premtimi ynë kryesor dhe projekti ynë kapital me SHBA-të për ta gazifikuar Kosovën, ulja apo heqja e TVSH-së nga energjia elektrike është hapi i parë dhe i menjëhershëm. Në gjashtë muajt e parë, në partneritet strategjik me SHBA-të, do t’i mundësojmë Kosovës gazifikimin, ndërtimin e centralit me gaz dhe ndërtimin e ngrohtoreve të qëndrueshme në qendrat kryesore të Republikës së Kosovës”, ka thënë Azemi.
Ai ka përmendur edhe gjendjen e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B, duke thënë se rënia e tyre nga funksioni ka detyruar Kosovën të blejë energji nga jashtë.
“Si rezultat i mungesës së prodhimit vendor, me shuma marramendëse të blerjes së energjisë dhe me shuma marramendëse të transportit të energjisë prej Vukhamoviqit dhe bandës së tij, si dhe me shumë intervenime ad-hoc në kohë të caktuara. Këtu çuditërisht, gjeneratorët e Kosova A dhe Kosova B kanë punuar, por ka rënë prodhimi vendor dhe vendi është detyruar të blejë energji jashtë. Kjo kosto, po flas për rreth 700–800 megavat, edhe me blerje edhe me mbajtje, ka rezultuar me çmim artificial të faturave të energjisë elektrike”, ka thënë Azemi.
Në fund, ai ka premtuar se nëse Lidhja Demokratike e Kosovës del fituese, energjia do të jetë një nga prioritetet kryesore të qeverisjes së tyre.
Mustafa i PDK-së premton heqjen e TVSH-së në energji: 8 për qind më pak në fatura
Eliminimin e TVSH-së e kanë paraparë si një nga pikat më të rëndësishme në sektorin e energjisë në Partinë Demokratike të Kosovës.
Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, kandidati për deputet nga kjo parti Arben Mustafa ka thënë se eliminimi i TVSH-së është një nga masat më të shpejta dhe më direkte që mund të ndërmerret për uljen e faturave të energjisë elektrike.
Ai ka përmendur edhe rritjen e faturave gjatë këtij viti, duke theksuar se nuk është punuar për të pasur lehtësime, por se barra është rënduar edhe më shumë për qytetarët.
“Atë tatim që shteti e merr nga fatura, ne kemi marrë zotimin që ta heqim. Në këtë mënyrë do të krijohej një lehtësim i drejtpërdrejtë në faturat e energjisë për familjet kosovare. 8 për qind më pak, në këto kushte të rënda ekonomike për familjet kosovare, përbën një lehtësim real. Duhet pasur parasysh kur flasim për energjinë se familjeve kosovare u është dyfishuar fatura e energjisë elektrike, ndërsa bizneseve u është trefishuar çmimi i energjisë elektrike. Mirëpo sot, në fund të vitit 2025, kemi deklaratat e KOSTT-it që paralajmërojnë probleme me furnizimin me energji elektrike”, tha Mustafa.
Përveç programit të prezantuar nga deputeti i PDK-së, ai ka folur edhe për reduktimet e energjisë elektrike që janë regjistruar ditëve të fundit.
“Nuk po flitet vetëm për fatura të papërballueshme, por edhe për reduktime. Ndërkohë, KOSTT-i, pavarësisht rritjes së çmimeve të energjisë elektrike në Kosovë, u thotë qytetarëve të mos ngrohen me energji elektrike. Jemi në krizë energjetike pas kaq vitesh: jo vetëm që qytetarët po paguajnë më shtrenjtë, por edhe nuk po kanë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike. I kemi kthyer sytë nga gjeneratorët apo qirinjtë, dhe kjo nuk tolerohet. Jemi në një krizë energjetike dhe nuk ka asnjë plan të qartë se si do të dilet nga kjo krizë me këtë qeveri”, tha ai.
Në këtë kontekst, Mustafa është shprehur se duke pasur parasysh rritjen e çmimit të energjisë elektrike, ndryshimet në zgjedhjet e së dielës janë të domosdoshme, pasi, sipas tij, Kosova nuk mund të përballojë më këtë degradim.