Kabashi e PDK-së: Parashohim ndërtimin e pesë regjimenteve
Kandidatja për deputete nga Partia Demokratike e Kosovës, Besa Kabashi, ka përmendur disa nga dështimet që, sipas saj, i ka pasur Qeveria Kurti gjatë mandatit të saj.
Ajo ka kritikuar gjithashtu edhe planprogramin e kësaj qeverie për zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke theksuar se planifikimi ushtarak dhe i mbrojtjes nuk bëhet me hamendje apo dëshira, por në bazë të nevojave reale.
Kabashi këto deklarata i ka bërë në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, ku ka folur edhe për planprogramin e Partisë Demokratike të Kosovës për sigurinë e vendit.
Ajo ka premtuar se në planprogramin e PDK-së parashihet që Kosova të kthehet në trajektoren e zhvillimit të kapaciteteve të mbrojtjes, e cila, sipas saj, ka qenë më herët.
Kabashi ka theksuar se një nga synimet kryesore të PDK-së është edhe rruga drejt NATO-s.
“Do të sigurohemi që Kosovën ta kthejmë në atë trajektore që ka qenë, të zhvillimit të kapaciteteve të mbrojtjes, ashtu siç është paraparë me aleatët tanë të SHBA-së, kur e kemi bërë planin gjithëpërfshirës... Regjimentet që Qeveria Kurti nuk i ka ndërtuar – regjimentin e helikopterëve nuk e ka ndërtuar, gardën kombëtare nuk e ka ndërtuar, nuk është e pajisur as me njerëz as me pajisje – pra, regjimentet nuk janë ndërtuar. Prandaj ne do ta vazhdojmë këtë proces, sepse sektori i mbrojtjes duhet të ketë trajektore stabile, jo të politizuar. PDK parasheh ndërtimin e pesë regjimenteve, domethënë të gardës kombëtare, në rajonet më të mëdha, sepse kjo ia mundëson Kosovës të ecën drejt trajektores së NATO-s dhe anëtarësimit në NATO, që e kemi synim dhe do ta arrijmë. Ky është synimi ynë,” ka thënë Kabashi.
Ajo ka përmendur gjithashtu edhe ndërtimin e kapaciteteve digjitale për përditësimin e informatave në kohë reale.
“Përderisa rishikimi i sektorit të sigurisë, për arsye procedurale, buxhetore dhe planifikuese, duhet të ndodhë çdo katër vjet, ne e dimë që sot jemi në kohën e inteligjencës artificiale dhe informatat duhet t’i kemi në dispozicion në kohë reale, për t’ia mundësuar Qeverisë së Republikës së Kosovës të marrë informata dhe të rialokojë buxhetin dhe kapacitetin njerëzor e teknik aty ku duhet, sipas nevojave. Për policinë do të sigurohemi që, në bazë të këtij vlerësimi, t’i përditësojmë edhe pjesët programore që kanë të bëjnë me trajtimin e duhur të trajnimeve. Ne e dimë që ka pasur ndryshime edhe në mënyrën e trajnimit dhe është shumë e rëndësishme që, për sigurinë personale të policëve dhe qytetarëve, të fokusohemi në trajnime. Ajo që është e rëndësishme për policët dhe të gjithë shërbyesit në sektorin e mbrojtjes është sigurimi shëndetësor dhe sigurimi jetësor. Ne patëm një rast ku një polic i yni, që ka shërbyer në rajonin e Pejës, e humbi këmbën në detyrë”, ka thënë ajo.
Kabashi ka folur edhe për gjendjen në veri të vendit, duke theksuar se, sipas saj, Lista Serbe ka marrë nën kontroll të gjitha institucionet dhe se nuk ka institucione të integruara fare.
Sipas Kabashit, veriu i Kosovës është politizuar për poenë politikë, pasi qytetarët e Republikës së Kosovës ende e mbajnë mend luftën dhe janë të ndjeshëm ndaj asaj që ka ndodhur në vitin 1999.
Dugolli i LVV-së: Pas municioneve do të prodhojmë edhe dronë e nuk do të ndalemi
Investime të mëdha në sektorin e sigurisë ka premtuar kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli.
Sipas Dugollit, me qeverisjen e Vetëvendosjes do të ketë investime me vlerë deri në 1 miliard euro.
“Do të investojmë mbi 1 miliard euro, por nuk do të ndalemi me kaq, për shkak se nuk jemi ndalur as gjatë mandatit katërvjeçar. Përkundër asaj që kemi pasur një buxhet bazë, në vazhdimësi, në bazë të kërkesave dhe nevojave të FSK-së, e kemi rritur buxhetin dhe kemi ndarë mjete shtesë për sisteme të ndryshme të armatimit. Përveç 1 miliard eurove që janë të zotuara për mandatin e ardhshëm, do të ketë edhe investime shtesë dhe përcaktim të prioriteteve që Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja i caktojnë. Në vitin 2026 do ta kemi fabrikën e municioneve dhe do të dalin municionet e para ‘Made in Kosova’ për ushtrinë, policinë dhe agjencitë tjera. Po ashtu, do të prodhojmë edhe dronë dhe nuk do të ndalemi,” ka thënë Dugolli.
Ai ka përmendur gjithashtu edhe investimet në Policinë e Kosovës, të cilat, sipas tij, janë realizuar gjatë katër vjetëve të fundit në pushtet.
Ndërsa sa i përket mandatit të ardhshëm, Dugolli ka theksuar se një nga prioritetet në planprogramin e tyre për policinë është pensionimi i parakohshëm i policëve.
“Vetëm gjatë këtyre katër vjetëve janë blerë më shumë mjete të blinduara të pajisura sesa në të gjithë periudhën pas luftës, duke përfshirë edhe donacionet e mëhershme. Kemi bërë investime kapitale që ua kanë lehtësuar operimin njësive të ndryshme të Policisë së Kosovës. Policia e Kosovës është pajisur me armë të gjata; secili polic, përveç armës së brezit – revoles – ka edhe armë të gjatë. Në mandatin e ardhshëm do ta procedojmë ligjin për pensionimin e parakohshëm të shkallëzuar për ata policë që dëshirojnë të përfitojnë nga kjo mundësi, pa i detyruar, pasi ende kemi nevojë të rrisim numrin e policëve, sidomos me gjenerata të reja,” ka deklaruar ai.
Dugolli ka folur edhe për gjendjen në veri të vendit, duke theksuar se, sipas tij, qeverisja e tyre ka arritur ta kthejë situatën në normalitet, ndërsa ka shtuar se gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes në veri nuk mund të kryhet asnjë pagesë me dinar.