Ndaj 22 personave të dyshuar për falsifikim me vota të kandidatëve për deputetë, Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masë të paraqitjes në stacion policor, duke e refuzuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgim. Veprime janë ndërmarrë edhe në Kllokot, ku janë arrestuar 14 kryesues dhe anëtarë të komisioneve të numërimit, e të cilët, pas intervistimit, janë liruar
Gjykata Themelore në Gjakovë u ka caktuar masë sigurie 22 personave të dyshuar për falsifikim të votave të kandidatëve për deputetë gjatë numërimit në Qendër Komunale.
Për ta u caktua detyrimi i paraqitjes në stacionin policor, pas refuzimit të kërkesës së Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit.
Në kërkesën e Prokurorisë thuhet se 22 të dyshuarit, në cilësi të kryesuesve të komisioneve për numërimin e votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Gjakovë, me anë të veprimeve të kundërligjshme kanë ndërhyrë në procesin e votimit, duke i falsifikuar rezultatet e tij, me ç’rast kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor dhe vullnetin e lirë të votuesve.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, Drilon Haraçia, ka vlerësuar se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve dhe ndaj tyre ka caktuar masën e paraqitjes në stacion policor”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Për shkak të dallavereve me vota, ka pasur arrestime edhe në Kllokot.
Në Polici kanë njoftuar se janë arrestuar dhe janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve 14 persona, disa prej të cilëve kryesues e disa anëtarë të komisioneve numëruese në Qendrën e Numërimit të kësaj komune.
E pas intervistimit, që të gjithë janë liruar.
“Me dyshimin e bazuar për falsifikim të rezultateve të votimit, më 06.02.2026 janë arrestuar dhe intervistuar në cilësinë e të dyshuarve 14 persona kryesues dhe anëtarë të komisioneve numërues në QKN - Kllokot. Me vendim të prokurorit të dyshuarit pas intervistimit janë liruar”, ka bërë të ditur Policia, në raportin e së shtunës.
Nën dyshimet për manipulim me rezultatin zgjedhor të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, deri tash janë arrestuar, intervistuar e paraburgosur qindra persona në Prizren, Pejë, Ferizaj, Podujevë, Malishevë, Obiliq e Deçan.
E një ditë më parë, Gjykata e Apelit e ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prizren, duke e kthyer në rivendosje çështjen e caktimit të paraburgimit ndaj nëntë të dyshuarve.