Kryetari i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), Yunus Emre, ka deklaruar se zgjedhjet e parakohshme në Kosovë janë zhvilluar në mënyrë të qetë, profesionale dhe përgjithësisht gjithëpërfshirëse, pavarësisht afateve të shkurtra zgjedhore, raporton Ekonomia Online.
Në konferencë për media pas misionit vëzhgues, Emre theksoi se procesi zgjedhor u karakterizua nga mungesa e incidenteve serioze, dhe administrim profesional në shumicën e qendrave të votimit.
Megjithatë, ai ngriti shqetësime lidhur me refuzimin e përsëritur të certifikimit të partisë kryesore serbe, Lista Serbe, nga KQZ-ja.
“Zgjedhjet ishin të përgatitura mirë nga ana teknike, pavarësisht afateve të shkurtra, dhe u vlerësuan përgjithësisht si gjithëpërfshirëse. Megjithatë, për herë të katërt këtë vit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzoi certifikimin e partisë kryesore serbe të Kosovës, Lista Serbe, dhe listës së saj të kandidatëve. Ky vendim u rrëzua më pas nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe nga Gjykata Supreme. Ky model i përsëritur ngriti shqetësime lidhur me qëndrueshmërinë dhe paanshmërinë e administratës zgjedhore në procesin e certifikimit. Delegacioni ynë përbëhej nga dymbëdhjetë anëtarë, përfshirë gjashtë parlamentarë nga katër grupe politike të PACE dhe nga pesë shtete anëtare të Këshillit të Evropës, si dhe përfaqësues të Komisionit të Venecias dhe staf mbështetës. Në Ditën e Zgjedhjeve, ekipet e PACE-it u shpërndanë në disa komuna, përfshirë Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Prizren dhe zonat përreth tyre. Listën e plotë do ta gjeni në deklaratën tonë. Vëzhguesit e PACE mirëpresin zhvillimin e qetë të zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë dhe u bëjnë thirrje të gjithë aktorëve të ndihmojnë në rikthimin e institucioneve funksionale”, deklaroi Emre.
Delegacioni i PACE vlerësoi përfshirjen e grave në procesin zgjedhor dhe përmirësimet në votimin nga diaspora.
“Votimi i 28 dhjetorit shënoi procesin e katërt zgjedhor në Kosovë gjatë vitit 2025, pas zgjedhjeve për Kuvendin në muajin shkurt dhe dy raundeve të zgjedhjeve lokale në tetor dhe nëntor 2025. Këto zgjedhje të parakohshme u shkaktuan nga një ngërç i zgjatur politik, përfshirë vonesën në konstituimin e Kuvendit, dështimin për të formuar qeverinë dhe pamundësinë për ta miratuar buxhetin. Ato u zhvilluan brenda afateve të shkurtuara zgjedhore, pas një fushate të shkurtër dhe me intensitet të ulët. Pavarësisht klimës së polarizuar politike, delegacioni i PACE vuri në dukje se shumica e bashkëbiseduesve e vlerësuan tonin më të butë të fushatës, mungesën e ankesave formale për gjuhë urrejtjeje dhe mungesën e incidenteve serioze, të cilat përbëjnë zhvillime pozitive. Në numrin e kufizuar të qendrave të votimit të vëzhguara, delegacioni konstatoi se zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë të qetë dhe profesionale, me zyrtarë zgjedhorë të trajnuar mirë dhe me një atmosferë pozitive që mbizotëronte në qendrat e votimit të administruara nga zyrtarë të komuniteteve shumicë dhe jo-shumicë. Nevoja për asistencë gjatë votimit, u evidentua gjithashtu si problem në disa qendra votimi. Këto rregullore duhet të rishikohen për të mundësuar një qasje më gjithëpërfshirëse. Fatkeqësisht, në një qendër votimi, administrata zgjedhore nuk lejoi praninë e një ekipi vëzhgues të PACE gjatë numërimit të votave”, theksoi ai.
Ai u bëri thirrje të gjithë aktorëve politikë të tregojnë përgjegjësi për t’i dhënë fund ngërçit politik dhe për të rikthyer institucionet funksionale.
“Këto zgjedhje të parakohshme synonin të vendosnin fundin e një ngërçi politik. Delegacioni i bën thirrje të gjithë aktorëve të tregojnë përgjegjësi në rikthimin e institucioneve funksionale përpara zgjedhjes së Presidentit të Kosovës në pranverën e vitit 2026 nga Kuvendi i Kosovës, dhe të respektojnë aspiratat demokratike dhe euro-atlantike të votuesve. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe Komisioni i Venecias janë të gatshëm të bashkëpunojnë për përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit zgjedhor dhe forcimin e kapaciteteve të aktorëve përgjegjës për menaxhimin e zgjedhjeve”, shtoi ai.