Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Anton Quni, ka thënë se dallimi në votat e tij pas rinumërimit në Qendrën e Numërimit në Prizren, është bërë pa dashjen dhe dijeninë e tij.
Përmes një reagimi në profilin e tij në Facebook, Quni ka thënë se kjo ka ndodhur për ta njollosur personalitetin dhe karrierën e tij.
“Dëshiroj të bëj të ditur me përgjegjësi të plotë se çdo rritje e votave në emrin tim është bërë pa dashjen dhe pa dijeni timen. Unë nuk kam kërkuar, inkurajuar apo asistuar në asnjë formë devijimin e vullnetit të qytetarëve. Kjo ngritje artificiale e votave nuk përfaqëson mbështetjen time reale dhe as parimet e mia njerëzore. Përmes këtij operacioni, i cili nuk mund të cilësohet ndryshe veçse si kriminal, më është njollosur personaliteti dhe karriera. Përfshirja e emrit tim në skema të tilla manipuluese është një goditje e rëndë për dinjitetin tim dhe besueshmërinë që kam ndërtuar me vite para elektoratit”, ka thënë Quni.
Deputeti i zgjedhur i LDK-së u ka kërkuar falje të gjithë kolegëve kandidatë për siç tha – votat e të cilëve mund të jenë tjetërsuar në favorin tim. Ai gjithashtu është shprehur i gatshëm të bashkëpunoj me Policinë, Prokurorinë dhe çdo organ tjetër të drejtësisë për të zbardhur këtë skandal deri në fund.
Sipas të dhënave të KQZ-së të publikuar në ueb-faqe të përditësuara herën e fundit në ora 12:20, nga rinumërimi Quni ka minus 479 vota.