Prokuroria e Shtetit ka nisur ndërmarrjen e hapave ligjorë pas dyshimeve për manipulim me vota të cilat dolën në pah që kur nisi procesi i rinumërimit.
Në një komunikatë për media bëhet e ditur se koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore që në të gjitha komunat, ku ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave, të fillojnë grumbullimin e informatave të nevojshme dhe të sigurojnë prova relevante, që vërtetojnë kryerjen e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin zgjedhor.
“Pula ka kërkuar që edhe në komunat ku ende nuk ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave që menjëherë pas përfundimit të këtij procesi të fillohet nga prokuroritë përkatëse procesi i grumbullimit të provave të nevojshme. Prokurori i Shtetit do të mbetet i angazhuar për ta mbrojtur votën e lirë të qytetarëve, dhe do të hetoj çdo rast, për të cilin kanë dyshime është keqpërdorë - falsifikuar vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë”, thuhet në komunikatë.
Rinumërimi i pjesshëm i votave ka nxjerrë një model manipulimi që është përdorur në të gjitha komunat: në Prizren më së shumti kanë përfituar kandidatët e Prizrenit, në Kaçanik ata të Kaçanikut e në Podujevë kandidatët e po kësaj komune. Mospërputhjet janë shënuar brenda listave zgjedhore dhe jo te votat e partive.
Prokuroria paralajmëron intervistimin e kandidatëve për deputetë lidhur me vjedhje të votave
Intervistimin e kandidatëve për deputetë si pjesë të hetimit për vjedhje të votave, e ka paralajmëruar Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje e Prokurorisë së Shtetit, Laura Pula.
Ajo ka thënë të hënën se ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore të fillojnë me grumbullimin e informatave dhe provave relevante, që vërtetojnë kryerjen e ndonjë vepre penale që ndërlidhen me procesin zgjedhor.
“Do të intervistohen të gjithë ata kandidatë të cilët ju kanë prekur votat dhe ju kanë shtuar votat. Nëse dikush del thotë që unë nuk jam fajtor për shtim të votave, atëherë duhet me dalë komisioneri i subjektit të tij konkretisht dhe të tregojë pse ja ka shtuar votat atij kandidati”, tha Pula, për "KosovaPress".
Ajo ka theksuar se do të shqyrtohen të gjitha evidencat që i ka Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sa u përket përgjegjësve në Qendrat Komunale të Numërimit.
“Neve na interesojnë lista e librave, ku janë nënshkruar të gjithë komisionerët. Na intereson procesverbali i verifikimit të numërimit të votave ku nënshkruhet nga të gjithë komisionerët e përfaqësuesve të subjekteve politike dhe ndër të tjera na intereson tani procesverbali i ri i rinumërimit për ta bërë krahasimin se sa vota më kanë marrë ty dhe t'i kanë qit ty”, tha Pula.
Ajo ka thënë po ashtu se manipulim i ngjashëm ka ndodhur edhe para 16 vjetësh.
“Vetëm në vitin 2010 kemi pasur një rast të tillë, ku pas përfundimit të zgjedhjeve dhe pas certifikimit të tyre, kemi hasur në mospërputhje të numrit të votave të kandidatëve, për çka, sa më kujtohet, diku kanë qenë 1500 persona të akuzuar për këto, në ato zgjedhje”, tha Pula.
Një ditë më parë, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, me vetiniciative ka lëshuar autorizim me shkrim për Policinë që të identifikojnë personat përgjegjës, të sigurojnë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet.
Kodi Penal në dy nene të tij parasheh burgim deri në pesë vjet për futjen e duarve në vota.
Të hënën, KQZ-ja ka marrë vendim që të çojë në rinumërim të gjitha vendvotimet e rregullta, pasi nga rinumërimi i pjesshëm janë shpërfaqur manipulime të mëdha të votave gjatë numërimit, më së shumti në Prizren.