Zgjedhjet 2025

Radoniqi kërkon nga zyrtarët e qendrave të votimit të garantojnë dhe mbrojnë vullnetin e qytetarëve

Një ditë para votimit në përfaqësi diplomatike e dy para se qendrat e votimit të hapen brenda Kosovës, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka adresuar porosi për qytetarët e për zyrtarët e angazhuar. E, Prokurori i Shtetit ka njoftuar se të dielën do të angazhohen rreth 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, me qëllim të trajtimit të çdo parregullsie

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, iu ka bërë thirrje shtetasve rezidentë dhe atyre jorezidentë që ta ushtrojnë të drejtën e votimit. Të shtunën, më 27 dhjetor, zhvillohet votimi fizik në përfaqësitë diplomatike në 18 shtete të ndryshme.

“Në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ftoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe demokratike: të votojnë dhe të shprehin lirshëm vullnetin e tyre politik. Me këtë rast kërkoj nga qytetarët që para se të dalin të votojnë, ta kontrollojnë qendrën e tyre të votimit, përmes platformës sonë në KQZ”, ka deklaruar Radoniqi.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë gjithsej 1 milionë e 999 mijë e 24 qytetarë me të drejtë vote për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Prej tyre, numri i votuesve që do të votojnë nga jashtë Kosove është 77 mijë e 86 votues. 19 mijë e 187 janë regjistruar për të votuar në përfaqësitë diplomatike të Kosovës e pjesa tjetër kanë zgjedhur që votën e tyre ta përcjellin përmes postës.

Procesi zgjedhor të dielën do të mbahet në 948 qendra të votimit në të gjithë Kosovën. Radoniqi ka kërkuar nga zyrtarët e angazhuar që t’i respektojnë ligjin e rregullat zgjedhore.

“U bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve që do të jenë të angazhuar gjatë ditës së zgjedhjeve, që të veprojnë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe paanshmëri, duke respektuar të gjitha procedurat ligjore dhe rregullat zgjedhore, në mënyrë që vullneti i qytetarëve të garantohet dhe të mbrohet plotësisht. Me qëllim të ruajtjes së integritetit, besueshmërisë të procesit zgjedhor, KQZ-ja ka bashkëpunim të ngushtë me Policinë dhe Prokurorinë e Shtetit”, ka thënë ai.

Zyra e Prokurorit të Shtetit ka njoftuar se kanë përfunduar të gjitha përgatitjet me qëllim të mbrojtjes së votës së lirë të qytetarëve dhe garantimi i integritetit të procesit zgjedhor. Kjo zyrë ka bërë të ditur se të dielën do të angazhohen rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial.

“Ata do të jenë të shpërndarë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe do të qëndrojnë kujdestarë deri në përfundim të plotë të procesit zgjedhor, me qëllim të trajtimit dhe procedimit të çdo parregullsie apo shkeljeje të mundshme ligjore që mund të ndodhë gjatë zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e ZPSh-së.

Prokurori i Shtetit ka ftuar qytetarët, subjektet politike, institucionet dhe organizatat e ndryshme që të denoncojnë çdo rast për të cilin dyshohet se ka keqpërdorim apo manipulim të votës, në çfarëdo forme dhe nga kushdo qoftë.