Zgjedhjet 2025

Haradinaj premton termocentral të ri e lidhje në rrjetin ndërkombëtar të gazit

Ramush Haradinaj AAK

“Gazsjellësi prej Shkupit ka distancë deri në Ferizaj diku 40 kilometra. Duhet me prodhu energji në Kosovë me çmim të Kosovës që është shumë më i lirë se ajo që po blihet e po iu shitet qytetarëve, që i ka shtri për toke ata dhe bizneset. Opsioni i dytë që ka me ndodh është me qymyr, me prodhu energji 450 megavat, sepse e kam qëllim me prodhu energji me çmim të Kosovës e jo çmim të tregut, që nuk e din kush sa është sot e sa ka me ardhë nesër”, ka thënë Haradinaj në takimin e mbajtur në Deçan

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur edhe një takim zgjedhor në Deçan. Kryetari i kësaj partie tha se programi i tyre është i realizueshëm dhe në përputhje me kërkesat e qytetarëve.

“Po iu siguroj që nënat që lindin fëmijë kanë me qenë më mirë, me shtesa, me kujdes, fëmija kanë me qenë më mirë. Ai që nuk ka punë, ka me gjet e ai që s’ka ka me iu gëzu punës që bënë. Ka me qenë më mirë polici, ushtari, administrata, mjeku, ka me qenë më mirë bujku”, ka thënë Haradinaj.  

Ai premtoi edhe ndërtim të termocentraleve dhe çmime të lira të rrymës.

“Gazsjellësi prej Shkupit ka distancë deri në Ferizaj diku 40 kilometra. Duhet me prodhu energji në Kosovë me çmim të Kosovës që është shumë më i lirë se ajo që po blihet e po iu shitet qytetarëve, që i ka shtri për toke veçmas bizneset. Opsioni i dytë që ka me ndodh është me qymyr, me prodhu energji 450 megavat, sepse e kam qëllim me prodhu energji me çmim të Kosovës e jo çmim të tregut, që nuk e din kush sa është sot e sa ka me ardh nesër”, ka shtuar ai.

Haradinaj po ashtu e përmendi anëtarësimin në NATO dhe forcimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kandidati nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj të hënën ka shpërndarë edhe dy video në profilin e tij në “facebook”. Në njërin prej tyre me titull “Në rrugëtim i ndërtuar krah qytetarëve, krah aleatëve, krah miqve dhe gjithmonë krah Kosovës”, Haradinaj ka përmbledhur deklaratat që të tjerët kanë thënë për të, përfshirë ato të James Rubinit dhe Wesley Clarkut që së fundi ishin dëshmitarë të mbrojtjes në gjyqin kundër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Mes tjerash, në video jepen deklaratat ku Haradinaj vlerësohej për rolin e tij si komandant në luftën e fundit në Kosovë. Aty ka përfshirë edhe një deklaratë të ish-kryeministrit Isa Mustafa, që thotë se Haradinaj kishte arritur t’i bindë Shtetet e Bashkuara për transformimin e FSK-së në ushtri, në vitin 2018. Video tjetër është nga tubimi i mbajtur në Pejë, për të cilin Haradinaj shkroi se dëshmoi edhe një herë vendosmërinë dhe këmbënguljen e përbashkët për ndryshim të vërtetë në Kosovë. Haradinaj ka shkruar se kjo forcë që buron nga besimi i ndërsjellë na bashkon më shumë.

“Takimi në Pejë dëshmoi edhe një herë vendosmërinë dhe këmbënguljen e përbashkët për ndryshim të vërtetë në Kosovë. Jam thellësisht mirënjohës për njerëzit që i kam krah dhe për mbështetjen e tyre të vazhdueshme. Kjo forcë që buron nga besimi i ndërsjellë na bashkon më shumë dhe na bën më të vendosur për rrugën përpara. Aleanca gjithmonë krah Kosovës!”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj njoftoi po ashtu se të hënën ka vizituar edhe disa biznese që ofrojnë shërbime të avancuara.

“Ide të mëdha dhe plane konkrete u diskutuan në takimin tonë me Kikxxl&evroTarget dhe CubyLink, kompani me prani aktive në tregun gjerman dhe evropian, që ofrojnë shërbime të avancuara në energji, BPO dhe procese digjitale. Aleanca e di se zhvillimi ekonomik ndërtohet duke qenë krah bizneseve që krijojnë vende pune, transferojnë dije, hapin tregje të reja dhe e lidhin Kosovën drejtpërdrejt me Evropën”, ka shkruar Haradinaj në “facebook”.

Bizneset i ka vizituar edhe kandidati i kësaj partie për deputet, Ahmet Isufi.

“Kandidatët për deputetë nga Aleanca, krah bizneseve dhe zhvillimit ekonomik. Sot, bashkë me kandidatët për deputetë, vizituam Fabrikën e Mobiljeve ‘Euro Model’ në Gjilan, ndërmarrje e suksesshme e vëllezërve Dushica. U njoftuam për prodhimin dhe suksesin e arritur por edhe për nevojat e përkrahjes nga shteti e që në të ardhmen nuk do të mungojë. Jemi shumë të interesuar e të përkushtuar që ndërmarrësit tanë e sidomos prodhuesit vendorë ti përkrahim në mënyrë që të kenë lehtësime e njëkohësisht të ngritën kapacitetet zhvillimore të Kosovës”, ka shkruar Isufi.

Ai ka shtuar se me Aleancën, qeverisja do të jetë krah i mbështetjes së plotë i sektorit privat, për zhvillimin e Kosovës.