Ish-zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj, e ka vlerësuar si gabim të madh rritjen e pagave të mësimdhënësve në mënyrë lineare.
Në debatin mbi atë se çfarë po premtojnë partitë për arsimin, Rexhaj në “Konfront” të KTV-së ka thënë se rritja lineare e dëmton cilësinë në arsim.
Sipas tij, do të duhej që të kishte dallime varësisht nga vlerësimi në performancë, kontribut e cilësi.
“Pagat edhe në arsim e në tjerët sektorë në Kosovë janë rritur vazhdimisht në mënyrë të gabueshme, në mënyrë lineare, me meritë ose jo të gjithë kanë marrë njësoj, si mësimdhënësit që kanë punuar shumë e si ata që nuk kanë punuar shumë, njësoj edhe janë trajtuar. Në Kosovë nuk ka dallim për kontribut e cilësi e edhe këto rritjet lineare nuk janë kontribut në cilësi. Kjo rritje prej 50 për qind është 1% e brutoprodhimit shoqëror, të GDP-së së Kosovës, kjo është vlera. Mendoj se një investim i tillë nuk ndikon në cilësi, mendoj se do të duhej që pagat të rriten me një mbështetje, p.sh të lidhet me lincencim, performancë, përvojë, obligimet në shkollë, me angazhim, e ashtu rritet edhe cilësia, rritja lineare për mendimin tim dëmtojnë cilësinë në arsim”, ka thënë ai.