Përditësim, 17:40 - Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë rinumëruar votat në mbi 70 për qind të vendvotimeve, apo 1804 nga 2557 vendvotime.
Në 25 komuna është përmbyllur procesi i rinumërimit ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Procesi i rinumërimit ka nisur më 13 janar.
“ Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.
Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e hënë, 26 janar 2026, ora 16:00) janë rinumëruar mbi 70% apo 1,804 nga 2,557 vendvotime”, ka njoftuar KQZ-ja.
Rinumërohen 1.729 nga 2.557 vendvotime
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.
Sipas rezultateve të publikuara në faqen zyrtare të KQZ-së, janë rinumëruar votat nga 1.729 vendvotime, ndërsa në total janë 2557 vendvotime.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të numërohen edhe një herë të gjitha votat nga vendvotimet e rregullta, pasi gjatë rinumërimit të vetëm një të katërtës së tyre janë evidentuar rreth 57 mijë vota të keqregjistruara për kandidatë.
Para daljes në pah të problemeve me abuzimin e votave për kandidatë, KQZ-ja pati paraparë 19 janarin për shpallje të rezultateve përfundimtare.
Vendi qe një vit është pa institucione mandatplota. Zgjedhjet e shkurtit të vitit që shkoi nuk rezultuan me formimin e qeverisë, e përmbyllja e atyre të 28 dhjetorit ka tejkaluar afatet e parapara.
Kosova nuk ka buxhet të miratuar për vitin 2026 dhe për pak javë përfundon edhe mandati i presidentes.
23 persona në Prizren janë arrestuar për manipulim me vota, kanosje, marrje dhe dhënie ryshfeti. Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar nga një muaj paraburgim për 23 të pandehurit.