Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se po vazhdon numërimi i fletëvotimeve për të cilat u vendos gjatë ditës së djeshme që të rinumërohen. Sipas KQZ-së, deri më tani janë rinumëruar 64 nga 914 vendvotime.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen. Sipas KQZ-së, nga nisja e këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e mërkurë, 14 janar 2026, ora 16:00) janë rinumëruar 64 nga 914 vendvotime, të cilat u takojnë komunave të ndryshme, si: Deçan (5), Gjakovë (15), Gllogoc (6), Gjilan (13) dhe Dragash (25)”, thuhet në njoftimin e fundit të KQZ-së.
Dyshimet për mospërputhje të votave ndërmjet kandidatëve për deputetë të subjekteve të ndryshme politike, ka detyruar KQZ-në që të marrë vendim për rinumërimin e një numri kaq të madh të vendvotimeve, të cilat përbëjnë 36% të tyre në nivel vendi.
Sipas vendimit në mbledhjen e fundit të KQZ-së, në 10 komuna do të rinumërohen 100% të vendvotimeve, ndërsa në 28 komuna do të rinumërohen vetëm 10% e vendvotimeve.