Zgjedhjet 2025

Tetë sindikata kërkojnë nga partitë reformë të thellë të legjislacionit të punës dhe dialogut social

Objekti i Qeverisë së Kosovës

Objekti i Qeverisë së Kosovës

Tetë organizata sindikale në Kosovë u janë drejtuar me një shkresë të përbashkët të gjitha partive politike garuese në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit, duke kërkuar që çështjet kyçe të punës, dialogut social dhe mbrojtjes sociale të adresohen seriozisht në programet dhe angazhimet e tyre politike.

Shkresa është nënshkruar nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës (SPAK), Sindikata e Re e KEK-ut (SR-KEK), Sindikata e Doganës së Kosovës, Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Shoqata Sindikale e Punëtorëve të Administratës Tatimore të Kosovës (SHSPATK), Shoqata Sindikale e Zjarrfikësve të Kosovës dhe Shoqata Sindikale e Burgjeve.

Sindikatat vlerësojnë se ekziston një nevojë e domosdoshme për plotësimin dhe ndryshimin e pakos së ligjeve që rregullojnë marrëdhëniet e punës, duke theksuar rishikimin dhe avancimin e Ligjit të Punës, si dhe harmonizimin e tij me Ligjin për Zyrtarët Publikë. Sipas tyre, këto ndryshime janë të nevojshme për të garantuar siguri juridike, trajtim të barabartë dhe mbrojtje efektive të të drejtave të punonjësve.

Po ashtu, kërkohet harmonizimi i legjislacionit të punës me konventat e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) dhe standardet evropiane.

“Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe sigurisë dhe shëndetit në punë, përmes rritjes së standardeve mbrojtëse, forcimit të mekanizmave të mbikëqyrjes dhe garantimit të kushteve të sigurta për punonjësit e sektorit publik dhe ndërmarrjeve publike”, thuhet në reagimin e sindikatave.

Në aspektin e dialogut social, sindikatat theksojnë se funksionalizimi i tij është i pamundur pa një bazë ligjore të qartë dhe të zbatueshme. Ato kërkojnë ndryshimin e Ligjit për Këshillin Ekonomiko-Social, reformimin e Ligjit për organizimin sindikal dhe garantimin e pjesëmarrjes reale të sindikatave në proceset konsultative dhe vendimmarrëse.

Një tjetër kërkesë e rëndësishme mbetet miratimi dhe zbatimi i Ligjit për Sigurimin Shëndetësor, si pjesë thelbësore e sistemit të mbrojtjes sociale dhe si e drejtë themelore e punëtorëve dhe qytetarëve.

Në fund, sindikatat theksojnë se adresimi i këtyre çështjeve përbën detyrim institucional dhe hap të domosdoshëm drejt forcimit të shtetit të së drejtës dhe drejtësisë sociale, duke shprehur njëkohësisht gatishmërinë për dialog dhe bashkëpunim me të gjitha subjektet politike.