Që nga hapja e vendvotimeve në orën 07:00, sipas vëzhguesve të Demokracisë në Veprim (DnV) procesi i votimit në të gjithë vendin po rrjedh në mënyrë të qetë. Megjithatë, DnV ka evidentuar disa parregullsi.
Ankesa ka pasur nga votues që nuk e kanë gjetur emrin në qendrën e votimit ku janë paraqitur.
Vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar se deri në orën 12:00, vështirësi për ta gjetur emrin në listë është raportuar në 50% të vendvotimeve, por që numri i rasteve ka qenë i vogël, deri në 10 raste të tilla.
Por ka pasur edhe vendvotime (1,6%) ku një numër i konsiderueshëm i votuesve (deri në 30 votues) nuk e kanë gjetur emrin e tyre në listë, e këtu prijnë komunat e Prishtinës dhe Pejës.
Ka pasur disa raste kur votuesit janë ankuar që dikush tjetër është nënshkruar në emër të tyre në Listën e Votuesve dhe atë në 1.4% të vendvotimeve, njoftoi DnV.
Sa i përket votimit me asistencë, deri në mesditë, komisionerët në 61% të vendvotimeve janë duke e zbatuar rregullën dhe janë duke kërkuar dokumentet për të lejuar votimin me asistencë. Në 35% të vendvotimeve, edhe pse votuesit kanë kërkuar të votojnë me asistencë, nuk janë lejuar të votojnë në mungesë të dokumenteve mjekësore, njoftoi tutje.
“Deri në orën 12:00, nga numri i deritanishëm i qytetarëve që kanë votuar, vetëm 1% prej tyre kanë votuar me asistencë. Po ashtu, në 5% të vendvotimeve kemi hasur në raste të izoluara (deri në 4 raste) ku votues të rinj në moshë kanë kërkuar të votojnë me asistencë. Si trend i përgjithshëm, votimi me asistencë po evidentohet në Libër, por nuk kanë munguar edhe rastet kur votimi me asistencë nuk është zhvilluar konform rregullave, dhe kjo ka ndodhur në 5% të vendvotimeve, ku deri në 10 raste nuk janë evidentuar fare në Librin e Votimit”.
Ndërkaq, janë raportuar edhe raste të fotografimit, gjithsej 13.
“Deri në orën 12:00, raste të fotografimit të votës janë 13”, tha DnV.
DnV ka thënë se në komunat me shumicë serbe, në veri të vendit, dalja në votime është raportuar të jetë mbi 22% që është gati dyfish më e lartë sesa mesatarja e përgjithshme e daljes në nivel vendi.