Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2026

30 deputetë të legjislaturës së kaluar pritet të mbeten jashtë Kuvendit

Kuvendi

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Më shumë se 90 për qind e votave të kandidatëve për deputetë, janë numëruar deri tash. Bazuar në rezultatin e publikuar, 30 deputetë të legjislaturës së shkuar do të jenë jashtë Kuvendit. 23 janë të Vetëvendosjes, tre të PDK-së, një i LDK-së dhe tre të Listës Serbe

30 deputetë të legjislaturës së kaluar që zgjati vetëm dy muaj e gjysmë, nuk pritet të jenë pjesë e përbërjes së re të Kuvendit.

Nga numërimi i mbi 90 për qind të votave për kandidatët për deputetë, rezulton që 23 ish-deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje që kanë qenë në garë edhe në zgjedhjet e 7 qershorit, nuk kanë arritur të sigurojnë edhe një mandat të ri.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Vota të mjaftueshme për të qenë sërish në Kuvend nuk arritën të marrin as tre ish-deputetë të PDK-së, një e LDK-së dhe 3 nga Lista Serbe.

Bazuar në rezultatin aktual, jashtë Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje kanë mbetur: Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, Naim Bardiqi, Fjolla Ujkani, Ejup Ahmeti, Fitim Haziri, Vigan Qorrolli, Ilir Qeriqi, Salih Zyba, Drita Pajaziti, Arsim Demi, Agon Batusha, Luan Aliu, Egzon Azemi, Shqipe Isufi, Fahrush Rexhepi, Arjeta Rexhyepi, Avdullah Klinaku, Mytaher Haskuka, Bylbyl Sokoli, Bajram Mavriqi, Rozeta Hajdari, Fatos Geci e Enver Dugolli.

Nga PDK-ja vota për t’u bërë sërish deputetë nuk siguruan Ariana Musliu-Shoshi, Arbnore Salihu dhe Nait Hasani.

Ndërkaq, ish-deputetja Adelina Thaqi-Meta është e vetmja nga Lidhja Demokratike që nuk arriti të marrë vota për t’u kthyer edhe njëherë në Kuvend, përkundër që partia e saj rriti numrin e mandateve për 5 sosh.

E jashtë Kuvendit nga Lista Serbe mbetën Milan Kostiq, Verica Cerniq dhe Nemanja Bisevac.
Bazuar në rezultatet preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 48 ulëse në Kuvend, PDK-ja 24, LDK-ja 20 dhe AAK-ja 8.

Në përbërjen e re pritet të jenë 29 gra pa ndihmën e kuotës gjinore, ndërsa 3 të tjera mund të hyjnë përmes kuotës.

Kuota gjinore do t’i lërë pa ulëse disa kandidatë burra në PDK dhe AAK.

Në LVV, 16 gra kanë fituar ulëse pa pasur nevojë për kuotë gjinore, në PDK, mandatet i kanë siguruar 5 gra nga 7 sa duhet t’i ketë kjo parti. 

Në LDK grave u takojnë 6 ulëse, por 7 gra që ishin në listë kanë siguruar vendin në Kuvend pa ndihmën e kuotës.

E në AAK, për t’ia liruar vendin Albana Bytyqit do të mbetet pa mandat Agim Çeku.

Deri tash kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti është deputeti më i votuar me mbi 219 mijë vota. Pas tij Glauk Konjufca me mbi 172 mijë e Albulena Haxhiu me mbi 100 mijë.

Në PDK prin Bedri Hamza me mbi 107 mijë vota, i cili pasohet nga Përparim Gruda me mbi 65 mijë dhe Arian Tahiri me mbi 57 mijë vota.

Në LDK bartësja e listës, ish-presidentja Vjosa Osmani ka siguruar mbi 72 mijë vota, lideri i partisë, Lumir Abdixhiku mbi 65 mijë vota dhe Duarsa Kica-Xhelili mbi 51 mijë vota.

Treshen e AAK-së e përbëjnë kryetari Ardian Gjini me mbi 38 mijë vota, ish-lideri Ramush Haradinaj me mbi 34 mijë vota dhe Daut Haradinaj me mbi 25 mijë vota. Ardian Gjini dhe Daut Haradinaj kanë paralajmëruar se do të lirojnë vendin për kolegët e tyre. Nëse ata tërhiqen, në Kuvend mund të hyjnë Agim Çeku dhe Arbër Tolaj.