Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKuçi: Sistemi shëndetësor në Kosovë është i dëmtuar
Shërbimet shëndetësore në Kosovë duhet të jenë universale, ka deklaruar kandidatja e PSD-së për deputete, Natyre Kuçi.
Derisa ka komentuar gjendjen e shëndetësisë në vend në debatin “Zgjedhjet në Kohë”, Kuçi ka thënë se njerëzit duhet të kenë qasje të barabartë në shërbime shëndetësore pavarësisht a punojnë a jo.
Sipas saj, sistemi shëndetësor në Kosovë është i dëmtuar.
“Që sistemi shëndetësor në Kosovë është keq dhe i dëmtuar kjo nuk mbulohet as me numra e as me përqindje. Në një pushtet i cili e ndan 2-3% të buxhetit për shëndetësi e i çon 1 miliard euro për militarizim të shtetit për mua kjo qasje flet për çka do kjo qeveri me pas prioritet edhe çka ka prioritet”, ka thënë Kuçi.
Kandidatja e PDK-së ka thënë se është shqetësuese ikja e mjekëve në vendet e tjera, veçanërisht në Gjermani.
“Është shqetësuese që shkollat publike tonat qesin mjekë të mirë, infermierë të mirë po ne prapë po mbesim pa infermierë, pa anesteziologë sepse ose po i merr privati ose po shkojnë jashtë. Kjo është kosto shumë e madhe sepse nëse Gjermania t'i merr për një vit 11-12% të mjekëve atëherë i bie që ne po prodhojmë mjekë për Gjermani dhe po na ik truri”, ka theksuar ajo.
Kuçi ka shtuar se PSD-ja është duke garuar që të jetë në opozitë në mënyrë që të mos lejohet që të bëhen pazare me shëndetësinë dhe që ajo të trajtohet si prioritet.
Komoni: AAK-ja premton reformë rrënjësore për spitalet rajonale
Kandidati i AAK-së, Shkelzen Komoni, ka shpalosur programin e partisë së tij për fushën e shëndetësisë për zgjedhjet e 7 qershorit.
Në debatin “Zgjedhjet në Kohë”, Komoni ka thënë se preventiva kombëtare është shtylla kryesore e këtij programi derisa ka përmendur edhe reforma rrënjësore në spitalet rajonale.
“Si Aleancë e kemi programin i cila ka shtyllë kryesore preventivën kombëtare e cila do të ketë digjitalizimin dhe funksionalizimin e mjekësisë familjare, domethënë mbështetje të plotë pavarësisht se a është nivel lokal a parti tjetër, pra në mënyrë të unifikuar”, ka thënë ai.
Komoni tutje ka shtuar se partia e tij parasheh ndryshimin e politikave financiare në mënyrë që të merren barna të sigurta efektive dhe me kosto optimale derisa personeli shëndetësor duhet të motivohet në mënyrë që të mos largohet jashtë vendit, “pra të bëhen politika dhe strategji afatgjate 10-20 vjeçare”.
E derisa ka folur për mungesën e barnave, kandidati i AAK-së ka hedhur akuza në drejtim të LVV-së duke e akuzuar atë për keqmenaxhim dhe kurdisje me barna.
“Barnat mungojnë për shkak të keqmenaxhimit, kurdisjeve që janë bërë e zakonisht janë bërë në Klinikën e Onkologjisë. Po rritet buxheti e në qershor po mungojnë citostatikët është punuar para disa viteve në udhëzim administrativ ku thuhet se duhet vetëm barna origjinale jo biosimilare. Sistemi i Sllovenisë, Kroacisë i përdor biosimilare sepse thotë që e merr me kosto më të vogël edhe trajton rreth 100 persona e në sistemin që e kanë këtë trajtohen 10 persona dhe tjerat mungojnë, duhet të hulumtohet çka është bërë në udhëzimin administrativ”, ka thënë Komoni.
Kodra prezanton programin e LDK-së për shëndetësi, ripremton ndërtimin e QKUK-së së re
Ndërtimi i QKUK-së së re është sërish njëri nga premtimet kryesore të Lidhjes Demokratike të Kosovës për fushën e shëndetësisë.
Derisa ka shpalosur programin e kësaj partie në debatin “Zgjedhjet në Kohë”, kandidati për deputet, Besim Kodra, ka thënë se është i nevojshëm ndërtimi i kësaj QKUK-je derisa ka përmendur edhe investimet e tjera të parapara për këtë fushë.
“Programi ynë është ambicioz, por i arritshëm, synohet të ndërtohet një QKUK e re në një vend tjetër që do të plotësojë nevojat, pasi shumë shpesh po investohet në QKUK-në e vjetër, por nuk po përmbushen nevojat e qytetarëve. Do të investohen 100 milionë euro në pajisjet e reja mjekësore të cilat i plotësojnë nevojat e qytetarëve, specializimet do të planifikohen shumë mirë, sigurimet shëndetësore që do të ndërrojnë mënyrën se si do të paguhet sistemi shëndetësor, do të ketë një sistem informativ shëndetësor i cili është parakusht edhe për sigurime shëndetësore”, ka thënë Kodra.
Ai tutje ka shtuar se do të ndërtojnë edhe një spital të ri mbi lumin Ibër.
“Do të ndërtohet një spital i ri mbi lumin Ibër, që do të jetë një bashkëpunim mes Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Po ashtu do të ketë mbulim të plotë me barna esenciale si dhe do të ketë një fokus të veçantë për shëndetin mendor”, ka shtuar Kodra.
Gjatë debatit kandidati i LDK-së ia ka numëruar kandidatit të VV-së premtimet e partisë së tij për fushën e shëndetësisë që nuk i ka realizuar derisa i ka kritikuar për mostransparencë.
“Nuk është bërë ajo që është pritur, e para premtimet për sigurimet shëndetësore brenda mandatit nuk janë kryer, kanë qenë premtimet për të bërë një sistem informativ shëndetësor, nuk është bërë. Qasja e qeverisë ka qenë medikamentoze është fokusuar te barnat por jo rreth parandalimit të sëmundjeve”, ka thënë ai.
Kodra ka shtuar se fakti që Kosova nuk po e funksionalizon sigurimin shëndetësor po i jep mundësinë spitaleve private që të lulëzojnë.
Haxhiu: Me rritjen e buxhetit në shëndetësi është rritur edhe korrupsioni
Kandidati i PDK-së për deputet, Bekim Haxhiu, e ka kritikuar Qeverinë Kurti se nuk ka punuar si duhet në sektorin e shëndetësisë duke thënë se përkundër rritjes së buxhetit për barna furnizimi është më i dobët sesa vitet e kaluara.
Haxhiu ka thënë se shëndetësia është shndërruar në një sistem abuziv të pasurimit të qeveritarëve në kurriz të pacientëve dhe se përmes rritjes së buxhetit është rritur korrupsioni dhe hajnia.
“Buxheti në shëndetësi është rritur, por kjo nuk e ka plotësuar nevojën e qytetarëve për të marrë shërbime më të mira e në veçanti në mbulimin e listës së barnave esenciale. Buxheti për barna është rritur në 60 milionë, ndërsa furnizimi është më i dobët sesa kur kanë qenë 24 milionë euro”, ka thënë Haxhiu.
Ai po ashtu ka thënë se është e pashpjegueshme se si me pesë rezonanca magnetike është rritur lista e pritjes nga 1 deri në 6 muaj derisa lista e pritjes në Klinikën e Ortopedisë ka shkuar në 6 vjet.
E derisa ka shpalosur programin e partisë së tij për këtë fushë, kandidati i PDK-së ka thënë se ai është i mundshëm dhe i realizueshëm përmes funksionalizimit të sistemit shëndetësor që mundësohet përmes funksionalizimit të sigurimeve shëndetësore.
“Nuk mund të them se kemi sistem shëndetësor funksional derisa shtylla kryesore e saj, sigurimet shëndetësore nuk funksionojnë. Shtylla e dytë është furnizimi i qëndrueshëm me barna edhe nga lista esenciale e barnave dhe pastaj për sëmundjet kronike falas”, ka thënë ai.
Kandidati i PDK-së tutje ka shtuar se partia e tij ka për synim rritjen e cilësisë në shëndetësi që do ta bëjë përmes fuqizimit të spitaleve rajonale duke përfshirë ndërtimin e një spitali të ri në Prishtinë.
Meholli shpalos programin e VV-së për fushën e shëndetësisë
Krijimi i sistemit check-up, i cili parasheh kontrollin dhe mbikëqyrjen shëndetësore për çdo qytetar është njëra nga prioritetet e Lëvizjes Vetëvendosje për mandatin e ardhshëm.
Derisa ka shpalosur programin në debatin “Zgjedhjet në Kohë” kandidati i VV-së për deputet, Sylejman Meholli, ka thënë se përmes këtyre premtimeve synohet përmirësimi i gjendjes në shëndetësi.
“Çdo qytetar do të ketë mundësinë e përzgjedhjes së mjekut të vet familjar, do të ketë një program të veçantë që do të quhet check-up shëndetësor për çdo qytetar të republikës, ku qytetarët do të kenë mundësi të bëjnë të gjitha llojet e analizave një herë në vit për diçka që ata mund të kenë dyshime për ndonjë sëmundje të caktuar, ku kjo gjë do të ndihmojë në zbulimin e sëmundjes në fazat e hershme”, ka thënë ai.
Meholli tutje ka shtuar se do të punojnë për të fuqizuar edhe më shumë shërbimet shtëpiake shëndetësore si dhe implementimin e ligjit për sigurimet shëndetësore.
Ai ka përmendur edhe ndërtimin e spitaleve të reja në Mitrovicë, Ferizaj e Drenas.
Kandidati i LVV-së tutje ka shtuar se gjatë qeverisjes së deritanishme të partisë së tij, kanë përmirësuar kushtet në klinikat dhe spitalet e vendit, kanë rritur pagat për stafin shëndetësor si dhe kanë rritur buxhetin për këtë sektor.