Kryetari i Partisë Demokratike (PDK) dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, e ka prezantuar zotimin e katërt të programit qeverisës, i cili parasheh arsim cilësor, zhvillim të aftësive për të ardhmen dhe krijimin e më shumë mundësive për të rinjtë.
Hamza tha se arsimi do të trajtohet si prioritet kombëtar nga qeveria e udhëhequr nga PDK-ja. Sipas tij, një nga prioritetet kryesore do të jetë digjitalizimi i sistemit arsimor përmes investimeve në teknologji moderne, zhvillimit të platformave bashkëkohore të mësimit dhe avancimit të aftësive digjitale që nga mosha e hershme. Ai premtoi kujdes të veçantë për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, dhe tha se synon forcimin e rolit të universiteteve publike si qendra të dijes dhe inovacionit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKryetari i PDK-së ka premtuar se do të krijohet fondi i bursave prej 30 milionë eurove. Ai ka paraqitur vizionin e tij për, siç tha, një Kosovë me çmime më të përballueshme, paga më të larta, energji të sigurt, infrastrukturë moderne dhe mundësi reale për të rinjtë.
E, në një video të publikuar gjatë ditës, Hamza ka adresuar ato që i ka quajtur shqetësime kryesore të familjeve kosovare. Sipas tij, pas gjashtë vjetësh qeverisje, Kosova po përballet me një krizë të shumëfishtë – ekonomike, energjetike, infrastrukturore dhe të shpresës.
“Për shumë familje, çdo ditë është mbijetesë. Familjet punojnë më shumë, por jetojnë më keq. Të rinjtë nuk po kërkojnë më ëndrra në Kosovë, por rrugë për t’u larguar prej saj”, thuhet në pjesën e parë të videos.
Videoja përçon mesazhin e programit të PDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit: ulje të barrës financiare për familjet, paga dhe pensione më të larta, mbështetje për bizneset, investime strategjike në energji dhe infrastrukturë, shëndetësi më cilësore dhe arsim më konkurrues.
“Nuk duhet të mësohemi me krizën. Kosova mund të jetë një vend ku familjet jetojnë me dinjitet, ku të rinjtë ndërtojnë të ardhmen e tyre dhe ku shteti punon përsëri për qytetarët”, ka thënë ai.
Këto i ka theksuar edhe para elektoratit në tubimet që gjatë ditës i ka mbajtur, e më kryesori në Prizren. Hamza ka ftuar qytetarët që më 7 qershor të votojnë “për ndryshim” dhe që “t’i japin fund krizës”, e cila, sipas tij, ka prekur çdo aspekt të jetës në Kosovë.